Dëshmi të reja për keqpërdorime në Raiffeisen Bank (Dokument)

Autori:Avdyl Pajaziti

R.Bislimi nga Komuna e Gjilanit tash e katër vjet është në konflikt me Bankën Raiffeisen. Rasti i tij është i njohur thuajse për të gjithë zyrtarët e kësaj banke të cilët Beslimi i akuzon që u munduan ta heshtin me çdo kusht për shkaqe të sigurisë. Njohuri për këtë kanë edhe organet e drejtësisë. Madje është zhvilluar edhe një proces gjyqësor kundër ti.

Bislimit banka Raiffeisen ia mori nga llogaria e tij 3 mijë e 900 euro. Keto mjete jo që nuk i kthyen kurrë, por ai u dënuar edhe me burg nën akuzën se arriti ta thyej sigurinë e kësaj banke, duke konvertuar dhjetëra çeqe të dyshimta me dollarë.

Gazeta Fjala,ka kërkuar përgjigje nga zyrtarët përgjegjës në Raiffeisen Bank lidhur me këtë rast dhe rastet tjera që kanë ardhur në adresë të redaksisë por nuk ka marrë përgjigje të detajuar.

Iliriana Tahiraj, zyrtare për media dhe marrëdhënie me publikun në Raiffeisen ka thënë se në bazë të ligjeve të aplikueshme në Kosovë, Banka nuk ka të drejtë të publikojë informacione për klientët e saj.

“Banka ka të drejtë t’i sqarojë këto raste individuale të klientëve dhe të ofrojë informacionet e nevojshme vetëm nëse kjo kërkohet nga institucionet përkatëse: Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe institucionet tjera të parapara me ligjet e aplikueshme”, ka thënë Tahiraj.

Megjithatë, qytetarët e pakënaqur me shërbimet e kësaj banke dhe të frikësuar me nivelin e sigurisë kanë rrëfyer për Gazetën Fjala përvojat e tyre.

Ky qytetar nga Gjilani tregon se në korrik të vitit 2011 zyrtarët e bankës përfshirë dhe menaxherin e degës në Gjilan, ia kishin pranuar 10 çeqe në vlerë nga 500 dollarë, që vinin nga Dubai të lëshuara nga “Charter Standard Bank of Amerika”.

“Kam ranë në kontakt në Dubai me një person që punonte si menaxher i pagesave dhe më ka bërë një kontratë që për çdo pagesë që unë e bëj do të marr 10 për qind. Në adresë mi ka dërguar 10 çeqe me dhe më ka porosit që ti dërgoj  për verifikim në bankë”, fillon rrëfimin ai.

Fillimisht e kishte dërguar vetëm një çek prej 500 dollarëve dhe i kishte shpjeguar se si është puna në sportel.

“Në bankë me kanë thënë se nuk na intereson prej nga kanë ardhur,  por na intereson a është në rregull ose jo”, ka treguar Bislimi përvojën e parë që e ka pasur me Bankën Raiffeisen.

Pas kësaj ka marrë konfirmimin nga banka qe çeqet me dollar janë në rregull se mund ti tërheq paratë  ose ti lë në bankë.

“Thash se këto para do ti lë në bankë”, shpjegon ai derisa në ditët në vazhdim kishte rritur shumën dhe numrin e çeqeve.

“Çeqet kanë qenë të lëshuar nga Charter Standard Bank of Amerika.  Pas 7 e 8 ditësh më erdhën edhe 26 çeqe, me letër përcjellëse  Të gjitha në vlerë 500 euro. Këto para i pranojke Sadullah Rrudhani, zyrtar i bankës. Ai më garantoi se gjithçka ishte në rregull dhe nuk kishte asnjë problem”, thotë Bislimi, të cilit këso çeqe me para i janë dërguar nga çdo 10 ditë nga 30 copa.

“66 çeka i kanë marrë prej neve dhe kanë thanë se të gjithë janë në rregull”.

Por, pas tërë kësaj procedura gjerat ndryshuan. Ndaj Bislimit nisën dyshimet se çeqet e deponuara nuk janë në rregull.

“Me datë 21 dhe 22 korrik 2011, cekat e parë . Me 12 gusht 2011 më kanë thirr në Prishtinë ku po punoja tu i shtru do pllaka, pasi edhe jam mjeshtër me profesion.  Më ka thirr Merita nga Raiffeisen Bank më një sjellje arrogante. Ai në fjalinë e parë që jam takuar me kanë thënë se ia keni borxh bankës 18 mijë euro”, thotë Bislimi.

Ai tregon se gjatë kësaj bisede drejtues të bankës i kanë treguar se ia kanë tërhequr nga llogaria partë, kursime familjare.

“Çfarë na ke bërë ti me ato çeqe. Na ti kemi marr 3900 euro.  Na i marrim kur dojmë. Po na vjen keq që s’kemi mujt me i gjet ma shumë pare, se edhe ato ti kishim marrë”, thotë Bislimi.

Pas gjithë këtyre procedurave ky klient është dënuar me gjashtë muaj burg, të cilat siç tregon është duke i paguar më para.

Klientët e dëmtuar të Raiffeisen Bankës

Në Gazetën Fjala pas raportimeve të më hershme për dyshimet se llogaritë e klientëve janë duke u keqpërdorur, kanë arritur me dhjetëra ankesa nga qytetarët.  Gazeta kësaj radhe bënë publike, me miratimin e tyre edhe shumën e parave që ata pretendojnë se ua ka marrë banka,.

*Shaban Musliu ka treguat se në bankën Raiffeisen i janë zhdukur 4 mijë 300 deri 7000 mijë euro në degën e bankës në Gjilan. Ai ka treguar se kanë kaluar vit që nuk ka marrë asnjë përgjigje. Ai  rastin e ka paraqitur edhe në polici dhe në gjykatë.

*Gëzim Rrahami, që aktualisht jeton në Gjermani, ka treguar se ka pasur një rast të tillë vite me parë në këtë bankë. Ai ka thënë se shuma e parave është mjaftë e madhe.

*Edhe qytetari nga Prishtina, K.Ceku ka treguar se ditë më parë i janë marrë nga llogaria 250 euro.

E, drejtues të Bankës Raiffasen nuk kanë pranuar të flasin shumë për këto raste. Ata vetëm thonë se Banka nuk ka të drejtë ti bëjë publike informacionet për klientët e saj.

Iliriana Tahiraj, zyrtare për media dhe marrëdhënie me publikun në Raiffaisen Bank thotë se me gjithë përpjekjet që një institucion mund të bëjë për të ofruar shërbime cilësore për klientë, gjithmonë do të ketë klientë që mund të jenë të pakënaqur me shërbimet e ofruara dhe trajtimin e ankesave të tyre. “Prandaj, edhe Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në rregulloret e saj e ka specifikuar se nëse një klient nuk është i kënaqur me përgjigjen që e merr nga bankat komerciale për ankesën e tij, ai mund ta drejtojë ankesën tek Banka Qendrore të Republikës së Kosovës”, thotë Tahiri.

deponim

raiffeise

Gazeta Fjala gjatë javës së kaluar ka raportuar edhe për disa raste të dyshimit të keqpërdorime të llogarive të klientëve nga kjo bankë:

Raiffeisen Bank manipulon me llogaritë e klientëve (Dokument)

Zhduken paratë e klientëve në Raiffeisen Bank

Pas këtyre shkrimeve në adresë të Gazetës Fjala ka arritur edhe një sqarim/reagim nga Banka Raiffeisen. Të cilin mund ta lexoni të plotë më poshtë.

Reagon e Raiffeisen Bank

Sot sërish pranuam nga ju kërkesën për të sqaruar rastet e ankesave të klientëve të cilët janë drejtuar tek ju. Siç ju kemi njoftuar edhe më herët, në bazë të ligjeve të aplikueshme në Kosovë, Banka nuk ka të drejtë të publikojë informacione për klientët e saj. Banka ka të drejtë t’i sqarojë këto raste individuale të klientëve dhe të ofrojë informacionet e nevojshme vetëm nëse kjo kërkohet nga institucionet përkatëse: Banka Qëndrore e Republikës së Kosovës dhe institucionet tjera të parapara me ligjet e aplikueshme.  

Ne po ashtu dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë në lidhje me artikujt që Gazeta Fjala i ka botuar me datë 16 dhe 17 korrik 2015 me titull “Raiffeisen Bank manipulon me llogaritë e klientëve” dhe “Zhduken paratë e klientëve në Raiffeisen Bank”.  Pohimet në këta artikujt nga Gazeta Fjala se ”Siguri të llogarive në Bankën Raiffeisen duket se nuk ka. Nëse je klient i saj lehtë mund të ngelesh pa para” dhe “Kjo ka filluar t’i frikësoj qytetarët që i kanë deponuar paratë në këtë bankë ose bënë transaksione përmes saj” janë të gjeneralizuara dhe të pavërteta. Këto pohime Gazeta Fjala i ka bazuar vetëm në ankesat e klientëve të pakënaqur pa e marrë parasysh sqarimin se Banka nuk ka të drejtë të bëjë publike detaje të tjera për ta argumentuar rastet individuale të ankesave të klientëve.

Ne besojmë se edhe ju pajtoheni se megjithë përpjekjet që një institucion mund të bëjë për të ofruar shërbime cilësore për klientë, gjithmonë do të ketë klientë që mund të jenë të pakënaqur me shërbimet e ofruara dhe trajtimin e ankesave të tyre. Prandaj, edhe Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në rregulloret e saj e ka specifikuar se nëse një klient nuk është i kënaqur me përgjigjjen që e merr nga bankat komerciale për ankesën e tij, ai mund ta drejtojë ankesën tek Banka Qëndrore të Republikës së Kosovës.

Ne e respektojmë qëllimin tuaj të adresoni çdo çështje që është në interes publik dhe do t’i konsiderojmë seriozisht çdo informacion që ju si media e publikoni rreth Bankës sonë. Ne po ashtu jemi të vetëdijshëm se ju keni të drejtë të raportoni për secilën ankesë që klientët e adresojnë tek ju dhe ju e shihni se është e arsyeshme të publikohet.

Megjithatë, konsiderojmë se pohimet që ju si media i keni bërë për bankën tonë (fjalitë të cilat i kemi përmendur më lart) janë të pavërteta, dëmtojnë reputacionin tonë si dhe ndikojnë drejtpërdrejtë në besueshmërine e klientëve tanë. Prandaj, ne jemi duke i analizuar me kujdes artikujt e publikuar në mënyrë që të vendosim për hapat e mëtutjeshëm që do të ndërmarrim për të sqaruar rastet e adresuara në pajtim me ligjet e aplikueshme në Kosovë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/deshmi-te-reja-per-keqperdorime-ne-raiffeisen-banke-dokument/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala