Deputetët kanë laptop, por shpenzojnë mijëra euro në letër dhe ngjyrë

Autori:Avdyl Pajaziti

Mijëra euro buxheti i Kuvendit të Kosovës ka shpenzuar në secilën legjislaturë për të pajisur deputetë me Laptop.

Por kjo nuk ka ndikuar që përfaqësuesit e popullit  të kursejnë letër e ngjyrë që ishte edhe qëllimi i pajisjes me pajisje të tilla.

Një hulumtim i Institutit për Studime të Avancuara GAP rezulton se Kuvendi i Kosovës nuk i ka ulur shpenzimet për blerjen e makinave të printimit, blerjen e tonerëve për printer dhe fotokopje, shpenzimet për letër dhe shpenzimet për servisim të makinave fotokopjuese dhe printerëve, pavarësisht të shpenzimit të qindra mira eurove për tu pajisur me laptop.

Që nga legjislatura e dytë e Kuvendit të Kosovës, deputetët janë pajisur me laptop të punës.

Blerja e laptopëve ka vazhduar edhe në legjislaturën e tretë dhe të katërt, për të vazhduar pastaj me planet për blerjen e tabletëve të tipit iPad, gjithnjë me shpresën se përdorimi i teknologjisë informative do të ndikojë në kursimin e shpenzimeve për printim dhe fotokopjim.

Mirëpo, sipas të dhënave të siguruara nga Instituti GAP, përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, del se futja në përdorim e laptopëve, nuk ka pasur ndikim në reduktimin e shpenzimeve për letër, aparate fotokopjimi dhe printimi, ngjyrë për fotokopje dhe printer.

“Në bazë të të dhënave që janë dërguar nga Kuvendi i Kosovës, duket se shpenzimet që lidhen me printim nuk kane shënuar rënie, por në disa raste ka pasur ngritje”, ka deklaruar për Gazetën Fjala, drejtori i Institutit GAP, Agron Demi.

Në institutin që përcjellin punën e legjislativit konstatojnë se duke parë këtë trend të shpenzimit të këtij lloji, është e pakuptimte që Kuvendi i Kosovës të vazhdoj me planet për blerjen e iPad-eve personal për të gjithë deputetet, ashtu siç janë planet.

“Para blerjes së laptopëve dhe iPad-eve te rinje, duhet të vendosen kritere më të ashpra se çka do të printohet si dokumente përcjellëse në seanca dhe mbledhje të komisioneve parlamentare”, ka deklaruar Demi.

Edhe në nëntor të vitit të kaluar administrata e Kuvendit t Kosovës kishte vendosur që t’iu blejë deputetëve tabletë të fjalës së fundit të teknologjisë. Por për shkaqe procedurale ato nuk iu janë sjellur deputetëve.

Bile blerjen e tabletëve, ky institucion e kishte bërë nëpërmjet tenderit njëburimor, duke e eliminuar konkurrencën që është baza e ligjit të prokurimit.

Administrata e Kuvendit kishte vendosur ti blejë 140 tabletë të tipit iPad të prodhimit amerikan “Apple” me një shumë prej 111 mijë e 860 euro. Bashk me tablet kishte porositur edhe mbrojtësin dhe pajisjet përcjellëse. E një tabletë për secilin deputetë kishte kushtuar rreth 800 euro

Në njoftimin për dhënien e kontratës, Kuvendi kishte shkruar se përmes procedurës së negociuar kanë rekomanduar për kontratë kompaninë “Info Com”.

Ndërkaq, ligji për prokurim publik e parasheh këtë procedurë të prokuritimit, të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.

Por sipas të dhënave të siguruar nga Instituti GAP kjo porosi ishte panevojshme.

E nga Kuvendi i Kosovës nuk kanë qenë në gjendje të tregojnë nëse deputetët do të pajisen me Ipad ashtu siç ishte planifikuar.

Por të dhënat e grafikave më poshtë tregojnë se përfaqësuesit e popullit nuk kanë nevojë për Ipad.

 

1

32

4

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/deputetet-kane-laptop-po-shpenzojne-mijera-euro-ne-leter-dhe-ngjyre/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala