Databaza e policisë “mbron” vrasësit   

Autori:Zekirja Shabani

Në emër të ligjit, Policia e Kosovës, iu shqipton qytetarëve – pjesëmarrës në trafik, afërsisht 500 deri në 900 gjoba secilën ditë. Vetëm në 24 orëshin e fundit i ka shqiptuar 650 gjoba. Ose, në total për gjashtë muajt e parë të këtij viti janë shqiptuar 150,640 gjoba. Në këtë periudhë kanë ndodhur 41 aksidente me fatalitet, 2,140 me lëndime dhe 4,864 aksidente që kaluan vetëm me dëme materiale.

Numri aksidenteve, ndonëse ka tendencë të rënies, ai sërish është i madh. Pa marrë parasysh këtë situatë, shkaktarët e tyre kalojnë pa ndëshkime si i parasheh ligji, poentimi negativ i vozitësve, madje, me një arsyetim banal – për shkak të problemeve teknike me databazën.

Më 2008 u aprovua Ligji për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor dhe për mosrespektimin e tij nga ana e shoferëve, pos masave të tjera, parashihet edhe heqja e pikëve nga patenta e shoferit. Kurse që nga aprovimi, dihet vetëm një rast ndaj të cilit është aplikuar ligj, thotë Agron Demi, drejtor ekzekutiv i institutit GAP.

“Më 2008 u aprovua Ligji për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor i cili parasheh që përveç dënimeve, të aplikohen edhe pikët negative, varësisht nga kundërvajtja. Tani e shtatë vite, sipas informatave të Policisë, vetëm në një rast ka ndodhur që t’i hiqen pikët një shoferi. Aksidentet në komunikacion janë gjithnjë e më të shpeshta. Shkelësit e rregullave të komunikacionin zakonisht janë persona të cilët gjobiten më shumë se një herë, por në mungesë të aplikimit të pikëve negative, ata nuk rrezikohen që t’u merret leja, ndërkaq, ata vazhdojnë të rrezikojnë sigurinë e të tjerëve”, tha ai në një paraqitje të tij publike.

Zëdhënësit e Policisë të pyetur nga “GazetaFjala”  se pse nuk është vënë në praktik ky lloj dënimi për kundërvajtësit rrugor, thonë se kjo po ndodhë për shkaqe teknike.

“Ligji i aprovuar në vitin 2008  nuk vihet edhe aq në përdorim për shkak të disa problemeve teknike me databazë”, u shpreh Baki Kelani, zëdhënës për informim në Policinë e Kosovës.

Aksidentet në komunikacion dhe tiketat e shqiptuara 2014-2015

Edhe pse institucionet relevante, Policia e Kosovës, agjencitë e ndryshme dhe organizatat që veprojnë në vetëdijesimin e pjesëmarrësve në trafik, me qëllim të parandalimit të aksidenteve në komunikacion, ato janë ta paevitueshme, pa marrë parasysh arsyet dhe rrethanat.

Statistikat e dhëna nga Policia e Kosovës tregojnë se për gjashtë muajt  parë të viti 2015 në krahasim me vitin paraprak kishte më shumë aksidente, ndonëse me një dallim të vogël. Në total sivjet kanë ndodhur 7.376 aksidente, ose 0,71 për qind më shumë se vjet. Numri i aksidenteve fatale është dukshëm më i vogël. Ndodhën 41 aksidente të këtilla, ose afër 23 për qind më pak se vjet. Në këto aksidente humbën jetën 46 persona, ose 17 më pak se vjet.

Mirëpo, numri i kundërvajtjeve në komunikacion është shumë i madh. Këtë e dëshmon edhe numri i tiketave të shqiptuara ndaj shkaktarëve të këtyre kundërvajtjeve megjithëse për dallim me vitin e kaluar a rënie. Gjatë periudhës janar-qershor të vitit 2015 janë shqiptuar 150,640 tiketa, ose 13,929 më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar./Gazeta Fjala/

aksidentet

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/databaza-e-policise-mbron-vrasesit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala