Dasmat e rrezikshme

Autori:Gazeta Fjala

 

Në vend të krushqve në dasmën e A.V të enjten në Prishtinë hynë pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Oborri ku po zbriste nusja ishte mbushur gëzhoja plumbash.

Dasmorët e paftuar arrestuan A.V bashkë me një familjarë tjetër, të cilët për pak sa nuk ua kishin marrë jetën qindra personave përreth.

Këtë radhë, nuk ishte dhëndëri që u shoqërua në polici, siç ka ndodhur në disa raste tjera, kur intervenimi i policisë është i domosdoshëm në ahengje, shkruan Gazeta Fjala.

Statistikat tregojnë se nuk janë të pakta rastet kur të shtënat e gëzimit marrin jetë njerëzish.

Policia e Kosovës nuk ka të dhëna për numrin e vdekjeve nga plumbat qorr ndërsa është mobilizuar të mos lejojë që dasmat të kthehen në tragjedi.

Kontaktuar nga Gazeta Fjala, zyrtarë nga Policia e Kosovës  kanë thënë se që nga muaji maj I këtij viti e deri në muajin korrik kanë qenë 20 raste në të cilat është shtënë me armë zjarri, ku janë arrestuar 19 persona.

“Nga muaji maj 2016, Policia ka filluar implementimin e planit operativ ,,Sezoni Veror”. Një ndër detyrat, angazhimet qe dalin nga implementimi i këtij urdhri është edhe zvogëlimi, parandalimi, intervenimi gjate te shtënave ne dasma dhe ahengje”, ka thënë  zëdhënësi I PK-së, Daut Hoxha.

Sipas Hoxhës që dy muaj janë konfiskuar 16 armë me 290 fishekë më të cilat dasmorët anë e mbanë Kosovës janë munduar që ta shprehin gëzimin e tyre.

Qytetarët nuk i tremben policisë

Por pavarësisht kësaj, qytetarët nuk i ndalin të shtënat.

Hana Krasniqi qytetarë nga Vushtrria thotë se të shtënat me armë janë bërë rutinë për dasmorët.

“Në Vushtrri ato dasma që i kam hasur të gjitha kanë gjuajtur me armë. Nuk e di se përse duhet të shtihet me armë”, thotë ajo.

Ndërkohë që sipas Policisë së Kosovës numri me i madh i intervenimeve kane ndodhur ne rajonin e Prishtinës.

E njohësi i çështjeve të sigurisë në vend, Blerim Burjani, ka thënë për Gazetën Fjala se pavarësisht punës së vazhdueshme të policisë, qytetarët vazhdojnë  të festojnë dasmat me tone të larta të muzikës dhe me të shtëna me armë.

“…njerëzit po nxehen nga muzika dhe po e humbin durimin e pastaj po vin të shtënat në dasma nga të cilat po rrezikohen jo vetëm dasmorët por edhe qytetarët përreth”,  thotë Burjani.

Ai thotë se policia por edhe organizatat e ndryshme duhet të punojnë më shumë lidhur me vetëdijesimin e qytetarëve  rreth të shtënave dhe ruajtjes së sigurisë në vend.

Ndërkohë që para disa viteve në Kosovë ka operuar programi për zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP),  i cili disa herë ka organizuar fushata kundër shkrepjeve me armë zjarri në ahengje familjare duke e quajtur kampanjën “Festo me zemër jo me armë”

E Policia e Kosovës, apelon tek qytetarët që të përmbahen nga veprimet e kundërligjshme, në veçanti tu shmangen posedimeve apo përdorimeve të paautorizuara të armëve, sepse masa ligjore do të ndërmerren  për të gjithë ata që prishin rendin dhe qetësinë publike apo rrezikojnë sigurinë e qytetarëve.

Sociologët: Kosovarët festojnë me Kanun

Sociologu Ferdi Kamberi thotë se dasmat janë ceremoni gëzimi të cilat kanë elemente të kohezionit social, ku njerëzit (familjarët, miqtë, etj) takohen dhe ndajnë vlera të përbashkëta shoqërore dhe kulturore.

“Mirëpo, ajo që bie në sy në këto ahengje/dasma është edhe festimet me emocione me armë të cilat kanë edhe pasoja të paparashikuara. Madje, nuk janë raste të rralle, kur dasmat janë shndërruar në tragjedi si rezultat i festimeve me armë”, thotë Kamberi.

Sipas tij, e siguri se kjo bazën e ka tek Kanuni i Lekë Dukagjinit i cila tregon se ende me disa elemente Kanuni sundon tek sistemi patriarkal i familjes.

“Pra, shihet se ende shoqëria shqiptare në kuadër të sistemit patriarkal të familjes ka elemente të kanunit sidomos tefestimet e tilla të cilat kanë pasoja”./GazetaFjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/dasmat-e-rrezikshme/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala