Çmimi i ri për patentë-shoferët në fillim të vitit 2016

Autori:Gazeta Fjala

Muajit e parë të vitit 2016-të do të jenë vendimtarë lidhur me përcaktimin e çmimit të patentë shoferwve në Kosovë. Por deri në miratimin e projektligjit të ri do të mund të regjistrohet patenta me çmimin e vjetër.

Lutfi Zharku ministri i Infrastrukturës tha për Gazetën Fjala se ky projektligji momentalisht është duke u shqyrtuar në Kuvendin e Republikës se Kosovës.

“Dhe presim që të miratohet në njërën nga seancat e para në vitin e ardhshëm, dhe derisa nuk miratohet ligji i ri nuk do të ketë rritje të kostos”, ka thënë ai.

Por sipas Zharkut, kjo ministri ka propozuar ndryshime thelbësore që rezultojnë me sigurinë më të madhe në rrugë. Propozimet për projektligjin e ri konsistojnë në rritjen e numrit të orëve për aftësimin e kandidateve për patentë shofer nga 16+16 (teori dhe praktikë) e që aktualisht është 25 orë teori dhe 30 orë praktikë.

“Rritja e numrit të orëve natyrisht do të thotë kosto shtesë për auto shkollat por që do të reflektohet në aftësimin me cilësorë të kandidatëve për patentë shofer”, ka treguar ministri Zharku.

Zharku ka arsyetuar propozimet e kësaj ministria, duke thënë se janë në përputhje të plotë me praktikat evropiane dhe Strategjinë për siguri në komunikacioni rrugor që është miratuar në shtator të këtij viti nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Gjithashtu përveç rritjes së orëve dhe kostos parashihet që ndryshime të bëhen edhe në mënyrën e testimit.

“Sa i prekët procedurave ne presim që në muajt e para të vitit të ardhshëm të aplikojmë testimin elektronik në pjesën teorike kurse në pjesën praktikë do të bëjmë monitorimin e testimit përmes kamerave që do të instalohen ne veturën me të cilën kryhet testimi”.

Në mbledhjen e komisionit për Zhvillim Ekonomik dhe përfaqësuesve të shoqatave të auto- shkollave  të mbajtur ditë më parë më i zëshmi ishte kryetari i Federatës së Auto- Shkollave të Kosovës, Xhemshit Cakolli,  i cili kishte pasur shumë vërejtje ndaj disa neneve të reja të vendosura në projektligjin e ri.

“Përveç që auto- shkollat me pas një udhëheqës profesional, çka po parashihet me projektligjin ri, po kërkohet që auto – shkollat me pas edhe poligon të tyre. Ju e dini se sa metra katrorë nevojiten për një auto-shkollë për me e pas një poligon të tillë, dhe mundësia e vetme është me shku në ndonjë fshat”, tha Cakolli, i cili shtoi se për kategorinë B, s’ka nevojë për një gjë të tillë.

Për të më i pa pranueshëm është shtimi nga 16 orë në 30, pasi që sipas tij, kjo do ta rritë shumë koston për marrjen e një patentë shoferi.

“Me 16 orë ne e dimë se nuk do të jetë një aftësim i kandidatit aq sa duhet, sidomos tek gjinia femërore, dhe tash TVSh–ja na ka obligu neve diku 18 % … dhe kur të llogaritet çmimi i regjistrimit me 30 orë, atëherë do të kushtojë diku 300-400 euro, dhe me një çmim të tillë s’do të ketë mundësinë që çdokush ta marrë një patentë-shofer”, thotë Cakolli.

Por nga ana tjetër Ministria e Punëve të Brendshme në një përgjigje për Gazetën Fjala tha se është keqkuptuar çështja e shtrenjtimit të patentë shoferit, e cila ishte diskutua në debatin publik të mbajtur nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe  Industri.

“Ne ju njoftojmë se nuk ka qenë në diskutim shtrenjtimi i patentë shoferit si dokument qe lëshohet nga ana e MPB-së, por ka qenë në diskutim nga ana e auto shkollave çështja shtrenjtimit për regjistrim në auto shkollë”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

“Ne nuk hezitojmë të paraqitemi për ti dhënë sqarimet e nevojshme, por kompetente për këtë çështje në fjalë është Ministria e Infrastrukturës”, vazhdon përgjigja e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Gjithashtu me projektligjin e ri, parashihet që një drejtues auto- shkolle do të duhet të ketë së paku shkollën e lartë, ose fakultetin e kryer. Dhe se një kandidat mund të aplikojë për të kryer shkollën për patentë shofer 6 muaj para se t’i mbushë 18 vjet. /Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/cmimi-i-ri-per-patente-shoferet-ne-fillim-te-vitit-2016/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala