Buxheti që nuk përmbush kërkesat për zhvillim

Autori:Gazeta Fjala

Më shumë se 800 persona në vit besohet se vdesin në Kosovë për shkak të ndotjes së madhe të ajrit.  Problemit të ambientit në vend i shtohen edhe ndotja e natyrës, lumenjve, prerja ilegale e pyjeve,  betonizimi i vazhdueshëm i tokës pjellore dhe dëme të tjera.

Por, megjithëse gjendja konsiderohet të jetë alarmante, situata nuk pritet të ndryshojë për të mirë as në vitet e ardhshme. Kjo pasi që Qeveria e Kosovës ka vendosur që të ndajë vetëm 1 për qind të buxhetit të shtetit për ambient.

Kjo përqindje është edhe më e vogël se ndarja që është bërë për kategorinë e rekreacionit, kulturës, dhe religjionit, që sipas projektligjit për buxhetin për vitin 2016, do të ketë 2 për qind të buxhetit të shtetit.

Sipas projektligjit për vitin 2016, Kosova pritet të ketë të hyra të përgjithshme prej 1 miliard e 674 milionë e 709 mijë e 482 eurove, që është për rreth 100 milionë euro më shumë se buxheti i vitit 2015.

Bazuar në ligjet në fuqi, projektligji për buxhet duhet që të votohet në Kuvendin e Kosovës deri në fund të muajit dhjetor, ndërsa qeveria e ka respektuar obligimin e vet që të hartojë atë deri në fund të muajit tetor, shkruan Gazeta Fjala.

Ndërkohë që opozita ka paralajmëruar se do t`i rikthehet bllokadës së legjislativit, edhe kur në kuvend të shkoj për miratim buxheti për vitin 2016.

Që nga fillimi i sesionit vjeshtor të punës së kuvendit tri partitë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë bllokuar mbajtjen e seancave, duke kundërshtuar marrëveshjet e arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ministri i Financave Avdullah Hoti, ka thënë se buxheti për vitin 2016 “reflekton agjendën e qeverisë për zhvillim ekonomik dhe çështje sociale.”

Ai po ashtu ka njoftuar se ky buxhet është i harmonizuar edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Buxheti i vitit të ardhshëm nuk parasheh rritje të pagave, ashtu siç ishte premtuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) gjatë fushatës elektorale.  Në vend të kësaj, ministri Hoti, që vjen nga partneri qeverisës i PDK-së, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka vendosur për rritje të ndihmave sociale.

Sipas projektbuxhetit, parashihet rritje prej 25% e asistencës sociale për rreth 27 mijë familje në nevojë.  Po ashtu, për 40 mijë pensionist kontribues, ministri Hoti ka thënë se janë siguruar 23 milionë shtesë.

Nga rreth 1.6 miliard euro të planifikuara për buxhet të vitit 2016, për arsim pritet të shpenzohet 17 përqind e buxhetit të përgjithshëm, për shëndetësi 11 përqind, shpenzime për rend dhe siguri 9 përqind, kurse për sektorët tjerë shpenzimet do të jenë nën 5 përqind.

Vetëm më pak se një e treta e buxhetit do të shkojë për investime kapitale, ku pjesa më e madhe e të hyrave do të shpenzohen për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Han i Elezit, që filloi të ndërtohej në verën e vitit 2014, e që pritet të përfundojë në mesin e vitit 2017.  Kjo autostradë buxhetit të shteti i ka kushtuar rreth 600 milion euro, prej të cilave rreth 170 milion euro do të paguhen gjatë këtij viti.

“Si pjesë e reformës në menaxhimin e financave publike, kemi bërë klasifikimin funksional të shpenzimeve buxhetore, ku shihet se buxheti shkon 22% për çështje ekonomike për të mbështetur agjendën e zhvillimit ekonomik të Qeverisë së Kosovës”, ka deklaruar ministri i financave.

Derisa sipas ndarjes buxhetore për shpenzimet rrjedhëse, ku hynë pagat dhe mëditjet, mallra dhe shërbimet, subvencionet dhe transferet, janë planifikuar 1 miliardë e 211 mijë euro. Ndërkohë që për paga dhe mëditje do të shpenzohen 548 milion euro.

Në anën tjetër, edhe vetë disa nga ministrat e kabinetit qeveritar janë shprehur të pakënaqur me ndarjen e buxhetit.  Më i zëshmi nga ta ishte Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi.

Krasniqi ka njoftuar se buxheti i këtij viti është për 3 milionë euro më i vogël për bujqësinë krahasuar me vitin e kaluar.

“Realisht është edhe pak më i vogël sesa një version i kaluar i buxhetit, të cilin e kemi diskutuar.  Janë 3 milion euro në total që janë më pak, por shqetësimi mund të konsistojë kryesisht tek pjesa e buxhetit për grante dhe subvencione,” ka thënë ai në mbledhjen e qeverisë më 30 tetor, kur u miratua projektligji.

Viteve të fundit, bujqësia është parë si mundësi e mirë e zhvillimit ekonomik të vendit dhe uljes së papunësisë.

Pakënaqësi rreth ndarjes së buxhetit ka shprehur edhe Ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, dhe ai i Arsimit, Arsim Bajrami.

Komisioni për Buxhet dhe Financa,  i kuvendit të Kosovës gjatë së mërkurës do të shqyrtoj Projektligjin për Buxhetin. /Gazeta Fjala/.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/buxheti-qe-nuk-permbush-kerkesat-per-zhvillim/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala