Burgjet pa spitale

Autori:Gazeta Fjala

Në burgjet e Kosovës aktualisht gjenden rreth 1600 persona të dënuar apo të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

Mirëpo për të gjithë këta të burgosur në rast të sëmundjeve nuk ofrohet ndonjë trajtim më i thellë pos shërbimeve ambulatore. Si pasojë e kësaj të burgosurit shpeshherë dërgohen në spitalet rajonale.

Të burgosurit edhe në rastin e intervenimit në spitale apo QKUK janë nën përcillje të rreptë të zyrtarëve policor të Kosovës.

Kohëve të fundit QKUK-në më së shumti e ka vizituar kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.

Lushtaku edhe pse tash e disa vite është i burgosur në burgun e Dyzit ai herë pesë herë detyrohet që ta vizitoj Klinikën e Kardiologjisë  së QKUK-së për shkak të problemeve me zemër.

Por Lushtaku disa herë kishte shfrytëzuar  ‘sëmundjen’ e tij dhe vizitën në QKUK, për t’i ikur autoriteteve të drejtësisë.

Rast të njëjtë si të Lushtakut ku spitali përdorej për ikje ka ndodhur në qershorin e vitit të kaluar.  Aty nga spitali rajonal i Pejës u arratis një i dënuar me 14 vite burgim. I dënuari për veprën penale të vrasjes së rëndë u arratis nga tualeti i njërit nga repartet e spitalit të Pejës.

Shkaku i mungesës së spitaleve nëpër burgje ka bërë që të burgosurit ta shfrytëzojnë mundësinë e arratisjes nga burgu nga spitalet tek të cilët ata zyrtarisht kanë kërkuar ndihmë.

Kosova ka burgun e Dubravës, atë të Sigurisë së lartë në Dyz, qendrën korrektuese në Lipjan, qendrën e paraburgimit në Prizren, në Prishtinë, në Gjilan, në Pejë e Mitrovicë.

Ndërtimi i spitaleve ndalon ikjen e të burgosurve

Ndërkohë që në  Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të njeriut (KLMDNj) e shohin si të domosdoshëm ndërtimin e spitalit brenda burgjeve.

Kryetari i KLMDNj, Behxhet Shala mendon se zgjidhja e problemit të ikjes do të zgjidhej vetëm krijimin e një qendre spitalore brenda burgjeve.

“Çdo vonesë në ndërtimin e ndonjë spitali brenda burgjeve ndikon në përkeqësimin e gjendjes së të burgosurve.  Njësia spitalore në kuadër të Shërbimit Korrektues të Kosovës duhet të ndërtohet sa më parë që është e mundur”, ka thënë Shala për Gazetën Fjala.

Ndërkohë që Shala shprehet se me ndërtimin e spitalit do të ndaleshin edhe ikjet e  të burgosurve nga burgjet.

“Me ndërtimin e këtyre spitaleve do të ketë ulje të numrit të atyre të cilët do të bëjnë përpjeke të ikin nga vuajtja e dënimit”, ka shtuar Shala.

Ndërkohë që Time Kadrijaj, deputete e Kuvendit të Kosovës ka thënë për Gazetën Fjala se është e drejtë themelore që të burgosurit ta kenë një trajtim dinjitoz brenda burgjeve të Kosovës.

“Të burgosurve nuk guxon tu mungoj as edhe një gje sa i përket trajtimit të tyre dhe shërbimeve shëndetësor,”, ka thënë Kadrijaj.

Ajo ka thënë se shërbimet kirurgjike dhe rentgenet të burgosurit nuk mund t’I bëjënë në burgje, asnaj vizitat në qëndra tjera refernte shtojnë rrezikun e arratisjes së tyre.

MSH: Ligji nuk parasheh burgje

Ndërkohë që zyrtarë nga Departamenti Shëndetësor i Burgjeve në Ministrinë e Shëndetësisë shprehen se nuk ka asnjë kuptim  profesional, ekonomik dhe as human  për ndërtimin e spitaleve brenda burgjeve.  Këtë MSH e arsyeton me numrin e vogël të pacienteve nëpër burgje.

“Në Kosove nuk parashihet te ketë spitale të burgjeve duke pasur parasysh nevojat jo te mjaftueshëm, kostoja dhe mundësia e trajtimit te pacienteve ne njësit ekzistuese dhe dhomat e sigurta si dhe projektet e cekuar”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë dhënë Gazetës Fjala.

Sipas MSH-së ligji askund nuk parashihet ndërtimi i Spitalit brenda burgjeve dhe si rrjedhojë ato nuk do të ndërtohen në asnjërin nga shërbimet korrektuese në Kosovë.

“Sa i takon shërbimeve specifike, subspecialistike, natyrisht se ne Kosove nuk ka mundësi te ndërtohet një shërbim terciar i veçantë për burgje, dhe për këtë arsye shfrytëzohet shërbimet e spitaleve regjionale dhe te QKUK-se përmes Institutit te Psikiatrisë Ligjore, dhomave te sigurta ne te gjitha  SR te Kosovës dhe klinikave te QKUK-se (dhomat e sigurta, për periudhe te caktuar, ne kuadër te QKUK-se veç janë ndare nga Bordi i ShSKUK-se dhe pritet aktivizimi i tyre)”, kanë thënë zyrtarë nga Departamenti Shëndetësor i  Burgjeve i MSh-së. /GazetaFjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/burgjet-pa-sipitale/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala