Bukuria si kriter punësimi

Autori:Avdyl Pajaziti

A.Z nuk ishte aq e bukur sa duhet për të plotësuar kriterin e zyrtarëve të bankës që të punësohej. Në vend të saj ishte zgjedhur një vajzë tjetër, që “ua kishte mbushur syrin” menaxhmentit.

Ajo tregon për Gazetën Fjala se bukuria nuk ishte përcaktuar si kriter në konkurs, por gjatë gjithë kohës sa zhvilloheshin intervistat përparësi u jepej atyre vajzave më të pashme.

Kujtojmë konkursin e vitit të kaluar të shpallur nga “Officework Kosova” ku kërkohej një punëtore për punë në zyrë ku në mesin e kritereve ishte bukuria dhe mosha e punëtores.

“…së paku shkollën e mesme, mosha 18-25 vjet”, janë disa nga kërkesat e kompanisë për punësim.

Në këtë garë, bukuria si kriter po i len anash edhe meshkujt.

Kandidati Sh. tregon se thuaj në të gjitha konkurset që ka aplikuar përparësi u ishte dhënë femrave. Kjo nuk del të jetë telashi i vetëm për të gjetur punë në Kosovë.

Nepotizmi është një dukuri tjetër që përcakton se kush do të përzgjidhet për pozitat e lira, qofshin ato në kompani publike apo private.

G.M rrëfen për aplikimin e tij në disa konkurse të kompanive private mirëpo edhe në asnjërën prej tyre nuk ishte pranuar.

Kjo sepse përparësi iu ishte dhënë të afërmeve të pronarëve apo udhëheqësve të ndërmarrjeve.

Agjencitë mashtruese të punësimit

Këtyre të papunëve si alternativë e vetme u mbesin agjencitë online të punësimit, të cilat në disa raste sipas qytetarëve që kanë kërkuar shërbim nga to, janë fiktive dhe përsëriten të njëjtat konkurse herë pas here.

Për këtë janë në dijeni edhe në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Musa Demiri, zëdhënës i këtij institucioni thotë për Gazetën Fjala se janë të informuar se ekzistojnë dhe veprojnë disa ofrues jo publik të shërbimeve të punësimit që ofrojnë disa shërbime punësimi.

“Për të parandaluar një keqpërdorim të punëkërkueseve Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka bërë hartimin disa akteve ligjore për parandalim të kësaj dukurie”, ka thënë Demiri për Gazetën Fjala.

Qytetarët ankohen se këto ofrues të shërbimeve po manipulojnë me vendet e lira të punës dhe punëkërkuesit po bien pre e mashtrimeve.

Por edhe përkundër ankesave që vinë nga qytetarët, pronarët e këtyre agjencioneve e mohojnë këtë. Madje ata krenohen se po krijojnë mundësi punësimi në Kosovë.

Arion Rizaj nga portali i punës “Kosova Job” ka thënë se në çdo fundvit mundohen te nxjerrin një numër të punësuarve nga konkurset që shfaqin, ai tha se në vitin 2015 janë punësuar 5.000 persona por ky numër mund te ketë një margjinë të gabimit sipas tij sepse jo gjithë kompanitë raportojnë për numrat.

Ai është shprehur se ka pasur raste që kanë larguar konkurse nga faqja e tyre, të cilët nuk kanë arritur të verifikohen ndërkohë ka shtuar se raste të manipulimit të drejtuara nga punëkërkuesit nuk ka pasur në Kosova Job, shkruan Gazeta Fjala.

Mundësinë e manipulimit e mohon edhe Ardit Krasniqi nga Portal Pune.
Sipas tij prej konkurseve që plasojnë ata janë punësuar mbi 35 mijë punëkërkues, ndërkohë shprehet se nuk ka ndonjë konkurs fiktiv.

Ndërkaq sipas Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi në vitinn2015 janë punësuar mbi 15 mijë qytetarë.

Mirëpo edhe pas këtyre deklarimeve se është rritur numri i të punësuarve, ende vazhdon të jetë e lartë shifra e të papunësuarve në Kosovë.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se 35.3 për qind e kosovarëve janë të papunë. Në këtë vlerë nuk përfshihen studentët të cilët janë në kërkim të punës./ Gazeta Fjala/

(Natyra Rushiti)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/bukuria-si-kriter-punesimi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala