Brezovica drejt dështimit

Autori:Gazeta Fjala

Kanë mbetur edhe hiç më shumë se njëzet e pesë ditë të afatit shtesë për përmbushjen e kushteve kontraktuale për fituesin e projektit zhvillimor për kompleksin turistik Brezovica.

Por fati i saj ende nuk është i qartë.

Edhe pse kanë kaluar afro 30 muaj që nga shpallja e fituesit, projekti nuk ka filluar të realizohet.

Konsorciumi fracez “MDP Consulting-Compagnie des Alpes” nuk i siguroi mjetet e premtuara, por Qeveria e Kosovës i dha ende kohë ta bëjë këtë

Burime të Gazetës Fjala brenda ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë kanë thënë se marrëveshja me konserciumin francez “MDP Consulting-Compagnie des Alpes” është duke dështuar.  Kjo pavarësisht se Qeveria e Kosovës i dha kohë konserciumit për t’i siguruar mjetet, ky i fundit ende nuk i siguruar ato.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka deklaruar se konserciumi francez e ka informuar atë për takimet e tij me kompani të ndryshme me të cilat synon të bashkëpunoj për projektin zhvillimor Brezovica.

MTI numëron ditët

Vjollca Dibra, këshilltare për media dhe komunikim në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë,  ka thënë për  Gazetën Fjala se MTI është në kontakt të vazhdueshëm me Partnerin Privat, që është nënshkrues i kontratës për projektin e Brezovicës.

Dibra shpreson se ky konsorcium do të arrij ta përmbush edhe premtimin brenda afateve ligjore deri në fund të këtij muaji.

“Partneri privat na ka informuar për takimet me kompani të ndryshme, me të cilat synon të bashkëpunojë për realizimin e projektit të Brezovicës. Presim që gjatë këtij muaji t’i dorëzoj dëshmitë e kërkuara për mobilizimin e fondeve të nevojshme”, ka thënë ajo.

“Partneri privat ka kohë deri më 31 maj 2016 të mobilizoj fondet për realizimin e investimeve të planifikuara për fazën e parë të projektit”, ka shtuar Dibra.

Konserciumi nuk pranon të flas

Gazeta Fjala i ka dërguar pyetje edhe konsorciumit francez lidhur me atë se a i kanë siguruar mjetet e nevojshme për projektin zhvillimor për Brezovicën dhe se me cilat kompani është në bisedime për projektin zhvillimor.

Por ata nuk kanë dhënë detaje se a janë siguruar apo jo mjetet.

Gazeta Fjala i ka dërguar pyetje zyrës për media të konserciumit që udhëhiqet nga Pascal Roux, por i njëjti ka refuzuar që të përgjigjet në pyetjet tona.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë kërkojnë nga autoritetet e vendit që të jenë më të vëmendshëm karshi realizmit të këtij projekti.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka, në një intervistë për Gazetën Fjala ka thënë se duke i ditur përpjekjet që janë bërë në përgatitjen e projektit për privatizimin e qendrës rekreative Brezovica dhe një punë të mirë që kanë bërë konsulentët e Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID), nuk do të ishte lajm i mirë anulimi i tërë procesit, e rrjedhimisht dështimi i procesit.

“Tashmë, kemi shprehur shqetësimin tonë lidhur me vonesat a vazhdueshme, megjithatë nëse projekti konkretizohet me marrëveshjen finale për investim, atëherë edhe vonesat dhe shtyrjet do të arsyetoheshin”, ka thënë Zeka.

Ndërkohë që Konsorciumi francez kishte planifikuar investime në kompleksin turistik Brezovica 165 milionë euro në tri vitet e para, si dhe ishte premtuar se do të krijojë 4000 vende të reja pune.

Në investime parashihet zgjerimi apo krijimi i shtigjeve të klasit botëror për skijim, më të gjata se 100 km (më të gjatat në Ballkan), të pajisura me rreth 20 teleferikë dhe pajisje tjera moderne, me standarde të sigurisë dhe të kualitetit më të lartë në rajon./Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/brezovica-drejt-deshtimit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala