Brenda javës raporti për vrasjen e Elvis Pistës

Autori:Gazeta Fjala

Në prag të dy vjetorit të vrasjes së Elvis Pistës zyrtarit të Postës dhe Telekomit të Kosovës dhe kandidatit për deputet të Partisë Demokratike të Kosovës, ende nuk është zbuluar vrasësi.

Mirëpo pritet që brenda një jave të dilet me informata të reja rreth këtij rasti, shkruan Gazeta Fjala.

Ndonëse për më shumë se gjashtë muaj, lënda për vrasjen e Elvis Pistës ka qenë e mbyllur në sirtarët e zyrës së kryeprokurores Shpresa Bakija, e cila ka qenë e suspenduar nga puna për shkak të aktakuzës për shpërdorim të pozitës zyrtare, tash ajo është në duart e një prokurori të ri.

Para dy javëve një komision i krijuar me rekomandimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, këtë lëndë e ndau për prokurorin Ali Uka.

Prokurori pret raportin e policisë

I kontaktuar nga Gazeta Fjala Ali Uka tha se me të marrë këtë lëndë ai ka bërë kërkesë në drejtorinë e përgjithshme të policisë në Prishtinë për të marrë një raport të plotë të punës rreth këtij rasti.

Ai thotë se në koordinim edhe me prokurorinë e shtetit të do të vendosin se si do të veprojnë në hapat e mëtutjeshëm.

“Policia brenda javës do të përgatitë raportin nga rezultatet e përgjimeve në një përmbledhje të rastit, pas këtij raporti unë duhet ta përpunoj atë brenda 2-3 ditësh dhe do të dal dhe do të tregoj se si do të veproj me rastin”, tha Uka.

Prokurori Uka deklaroj se nuk mund të jap më shumë detaje për shkak të mos pengimit të hetimeve.

“Ne i kemi disa kërkesat tjera, të cilat duhet t`i trajtojmë me prokurorinë e shtetit dhe drejtorinë e përgjithshme të policisë këto për hirë të hetimeve nuk mund t`i tregoj”, tha ai.

Edhe Beatrisa Pista-Demiri motra e Elvis Pistës, në një intervistë dhënë së fundi për media ka thënë se se vrasja e tij është shumë afër zbardhjes.

“Të gjithë e dinë shumë mirë se vrasja në njëfarë formë ka qenë hollivudine edhe e përgatitur shumë mirë. Aq e përgatitur në mënyrë profesionale sa që po del të jetë një kafshatë e madhe për hetuesit vendorë. Mund të them lirisht se janë duke punuar shumë edhe pritet që së shpejti të zbardhet rasti”, tha Pista-Demiri.

Pista-Demiri gjithashtu ka deklaruar se vazhdon ta demantoj informacionin se mund të dal diçka e re nga telefonat të cilët me kërkesën e ish prokurores së këtij rasti Shpresa Bakja ishin dërguar për ekzaminim në Holandë.

“Unë qëndroj prapa asaj që kam thënë se nga telefonat nuk do të ketë asgjë të re por duhet të bëhet punë më shumë“, tha Pista- Demiri.

Nga ana tjetër prokurori Ali Uka tha se do e intervistoj motrën e Pistës lidhur me deklaratat për rastin por se fillimisht thotë se do e pres raportin e përgjithshëm të policisë.

Elvis Pista u vra me 15 qershor

Elvis Pista ishte vra në mesnatën mes 14 dhe 15 qershorit rreth orës 00:45 në oborrin e restorantit “Jaha” në Rahovec. Ai ka qenë kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së. Pista ka qenë edhe zyrtar i lartë i Post Telekomit të Kosovës.

Pas vdekjes së tij dyshime për rrethanat e vrasjes u hodhën rreth aktiviteteve që zhvillonte Pista.

Familja kishin deklaruar se Pista sa ishte gjallë kryente funksione të shumta dhe kishte raporte të ndryshme me njerëz të profileve të larta.

“Me plot përgjegjësi e them që nuk janë intervistuar njerëzit e profileve të larta”, pati thënë motra e tij Beatrisa Pista-Demiri.

Nga ana tjetër Blerim Buriani ekspert i sigurisë tha për Gazetën Fjala se ka shumë enigma për disa raste që asnjëherë nuk dihet se çka ka ndodhur.

Sipas tij zvarritja e zbardhjes së rasteve tash e një kohe të gjatë u be praktikë e cila nuk dihet se a është rastësi

“Pra duhet të vërtetohet edhe kjo zhagitje. Së paku organet e rendit të sqarojnë më shumë dhe  të jenë më transparent para publikut”, tha ai. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/brenda-javes-raporti-per-vrasjen-e-elvis-pistes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala