Borxhet e fshehta të Trepçës

Autori:Avdyl Pajaziti

Janë rreth 150 milionë euro borxhe të gjigantit metalurgjik Trepça, për të cilat pak kush është në dijeni. Madje rrallë përmenden edhe në raportet zyrtare.

Por këto para sipas pretendentëve, i janë dhënë Trepçës në kohën kur ishin instaluar masat e dhunshme në ndërmarrjet shoqërore në Kosovë, 1990-2000.

Një raport i European Stability Iniciatives (ESI) dhe Shtyllës së BE –së në UNMIK-ut, i publikuar në dhjetorin e vitit  2003, vlerësonte se borxhet e këtij gjiganti kapin shumën prej 84.2 milion euro.

Ndërkaq, shuma totale e borxheve në këtë periudhë vlerësohet të jetë rreth 150 milionë euro.

Raporti ka vlerësuar se shumica e  transaksioneve të parregullta  që kanë futur në borxhe “Trepçën”  kanë ndodhur gjatë udhëheqjes së këtij gjiganti nga Novak Bjeliqi, njeri i besueshëm i Sllobodan Millosheviqit

Novak Bjeliq ishte emëruar  drejtor  përgjithshëm i “Trepçës” në vitin 1995. Nën udhëheqjen e tij “Trepça” gradualisht filloi të humb qëllimet e saja të prodhimit.

Sipas raporteve të brendshme të kësaj kompanie, të cilat i janë bërë të ditura, Gazetës Fjala, për periudhën 1995-1999 Bjeliqi thoshte se më shumë se  60 milion dollarë kishin kushtuar investimet  në “Trepçë”  dhe shumica e fondeve kishin ardhur nga  “Mytileneos”, SCMM, “Trafigura” e “Volvo “.

Sipas raportit të ESI-I , pagesat ishin bërë në kesh për të parafinancuar veprimet e “Trepçës”, duke future partnerët në marrëveshje afatgjate dhe duke futur shumë parregullsi.

Kontratat gjithmonë përfshinin edhe garancionet (leterkreditet) e Trepçës  që ishte shans për të gjithë partnerët e huaj që të ankohshin kundër aseteve të “Trepçës” si dhe bankës garantuese.

Në nëntorin e vitit 19995 “Trepca” ka nënshkruar  një kontratë për  eksportimin e produkteve të saj me kompaninë greke “Myteleneos” në vlerë prej 51 milion dollarësh, duke i dorëzuar paraprakisht një pagesë prej 5 milion dollarësh.

Gjashtë muaj më vonë kjo firmë ankohet për dërgim të ngadalshëm të mallrave dhe kualitet të dobët. Ndërkaq në maj të vitit 1997 kjo firmë greke nënshkruan një kontratë tjetër me “Trepçën”  ku parashihet që “Trepça’ të furnizoj  me një vlerë deri në  350 milion dollarë  ndërsa “Myteleneos” do të paguaj të gjitha shpenzimet  e “Trepçës” duke përfshirë edhe furnizimin më koncentrat si pjesë e parapagesës.

Sipas këtij raporti vlerësohet se në  fund të vitit 1998  borxhet e “Trepçës”  për “Mytilenos”  ishin diku rreth 45 milion dollar dhe Bjeliq  propozoi që Jugobanka, e cila ishte garantuese në asetet e “Trepçës” në rajonin e Mitrovicës duhej të transformohej tek kjo firmë greke në kohë të paspecifikuar. Hipotekat shtriheshin edhe në disa objekte të “Trepçës”.

Një tjetër partner i huaj ishte edhe Societe Commercial des Metaux et Minerais (SCMM) me pronar Jean Pierre Rozan, që kishte si interes furnizimin me argjend nga “Trepça” e që kontratat e para i ka bërë në  fillim të vitit 1998.

Pas dështimit në përmbushje të obligimeve prej 2.18 milion dollar Rozan, thuhet se është kompensuar  me pasuritë e “Jugobankës” në Mitrovicë.

Sipas raportit  në fillim të vitit 2001  Trepça ishte  prezent në  113 raste gjyqësore  ku akuzohej për borxhet  si dhe dëmet e shkaktuara nga  mospërmbushja e kontratave. “Mytileonos” flet për një borxh prej 53,2 milion dollarë, SCMM për 3,8 milion  dollarë, ndërsa që vlerësohet se borxhi I grumbulluar I “Trepcës” mund të arrijë  deri në 84,2 milion euro.

Në nëntorin e  vitit 1992 Kombinati “Trepça”  është transformuar në të ashtuquajturën Shoqëri Aksionare, duke vazhduar ky proces edhe në vitin 1996 por duket nuk është përfunduar tërësisht. Transformimi në shoqëri aksionare është bërë duke shndërruar  borxhet e “Trepçës”  në aksione dhe aksionarë pre dominant bëhet shteti I Serbisë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/borxhet-e-fshehta-te-trepces/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala