“Bombat” e Prishtinës (Foto)

Autori:Zekirja Shabani

Nxënësit e shkollës fillore “Hasan Prishtina” çdo ditë, rrugën për në shkollë e bëjnë nëpër oborrin e pompës së Benzinës “Ina Petrol” në lagjen Ulpiana në kryeqytet. Ky është shtegu më i shkurtër edhe për tu kthyer në banesat e tyre ngjitur me këtë pikë karburanti në mes të lagjes.

Banorët e këtushëm bashkëjetojnë tash e sa vite me frikën nga shpërthimi i ndonjë zjarri.

“Sa herë i lëshojmë syt ka rruga na shkon mendja se ngat çfarë rreziku jetojmë”, thotë Luani, banorë i kësaj lagjeje.

Ina Petroll

Por, Ina Petroll, nuk është e vetmja “bombë” në kryeqytet e vendosur në mes të banorëve.

Gazeta Fjala sjellë me fotografi edhe disa pika tjera të karburanteve të vendosura në zonat më të populluara në Prishtinë.

Sado që duket e habitshme, që të gjitha sipas zyrtarëve të Komunës janë të pajisura me leje pune në bazë të dokumentacioneve që kanë lëshuar institucionet përgjegjëse shtetërore për kushtet teknike dhe specifikacionet tjera që duhet plotësuar.

Njëra ndër to është edhe pika e shitjes së karburanteve e kompanisë “AL Petrol”, po në lagjen Ulpiana, pranë selisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Al Petroll

Këtu qytetarët e pajtuar me rrezikun mund të shijonë edhe kafenë e shoqëruar me aromë nafte gjatë verës, në terracën e kafiterisë ngjitur me pikën e karburantit.

Ndërkaq, qytetarëve shpesh u duhet të kalojnë nëpër oborrin e sajë për të shmangur goditjen nga veturat që kalojnë e furnizohen me derivate aty.

Një tjetër vend ku shiten derivate është edhe rrugës për në Germi, sapo të kalohet Shkolla e Mesme Teknike “28 Nëntori”.

10

Kjo pikë e karburanteve duket se është në oborr të shtëpisë, gati pjesë integrale e shtëpisë.

Edhe kjo zonë është mjaftë e populluar dhe e frekuentuar nga nxënësit e qytetarët e tjerë.

Por këtu nuk mbaronë numri i pikave të karburanteve brenda qytetit në Prishtinë.

Edhe në Rrugën “Fehmi Agani” për vite të tëra është i vendosur objekti për shitjen e naftës e benzinës. Njëher ishte në pronësi të “Ina Kroacisë”, dikur e “Kosova Petroll”, ndërsa tani është marrë me qera nga “IP Petroll”.

IP petroll

Ndërkaq, në pjesën tjetër të qytetit, në lakrishte në rrugën Tirana, është edhe “Bingo Benz”. Një pikë e thjeshtë karburanti të cilës gjithnjë e më shumë po i ofrohen objektet e banimit afër.

3

Këto janë vetëm disa “bomba”, siç i quajnë banorët pikat e karburanteve brenda qytetit.

Sa do që vendosja e tyre është e rregulluar me ligje dhe lejet për to janë dhënë nga institucionet kompetente, banorët mbeten të shqetësuar për mundësinë e ndonjë rreziku eventual./Gazeta Fjala/

 

Si e rregullon ligji vendosjen e pikave të shitjes së derivateve të naftës me pakicë për furnizim të mjeteve motorike?

Udhëzimi Administrativ  Nr. 23/2012:

Neni 4

Zonat e rrezikut për shfaqje të zjarrit

1. Zonat e rrezikut janë të përcaktuara medispozitat e Rregullores për normat teknike për ndërtimin e impianteve për lëngjet e ndezshme, deponimin dhe toçitjen e tyre për mbrojtje nga zjarri, tënjëjtat vlejnë edhe për pikat e shitjes për furnizimin e mjeteve motorike mekarburante të parapara me këtë udhëzim administrativ, e ato  janë:

1.1. Zona I – e cila përfshinë brendësinë e rezervuarit dhe govatës prej betoni gjegjësisht gomorës nëse ekziston,  pusetën mbi hapjen hyrëse në rezervuar, pusetën për kyçjen e tubave

për mbushjen e rezervuarit nëse janë të instaluara ndaras, automati përmbushje, matësi i rrjedhës, armaturat dhe pajisjet tjera që paraqesin tërësinë e pajisjeve për mbushje.

1.2. Zona II e cila përfshinë:

1.2.1.  Hapësirën rreth pusetës hyrëse të rezervuarit nëntokësor në të cilën janë vendosur aksesorët për mbushje  nëse janë të instaluar ndaras,  tubeve shfryerëse dhe valvulave në rreze prej 3 metrave të matur horizontalisht dhe në lartësi prej 1 metër mbi pusetën gjegjëse, tubit shfryrës dhe alvullit, të matur nga toka.

1.2.2. Hapësira rreth aparatit  për toçitje të karburanteve, gjegjësisht  hapjes për toçitje të autobotit në rreze prej 2.5 metrave të matur  horizontalisht dhe në lartësi prej 1metër mbi atë aparat gjegjësisht hapjes së matur nga toka.

1.2.3. Hapësira rreth hapjes për  mbushje të rezervuarit  të mjeteve motorike të cilat furnizohen  e

karburant në pikën shitëse dhe enëve lëvizëse me vaj për ngrohje në rreze  prej 1 metër, të matur horizontalisht dhe prej 1 metër në lartësi mbi hapjen, të matur nga toka.

1.2.4. Hapësira e objektit për  vendosjen e stafit punues në të cilën mbahen lëngjet e ndezshme të grupit I, II dhe III.

1.3.  Zona III e cila përfshinë hapësirën përreth zonës rrethuese në gjerësi prej 5 metrave të  matur horizontalisht prej cepit të zonës II dhe në lartësi prej 0.5 metrave të matur nga toka.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/bombat-e-prishtines-foto/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala