Blerand po zhdukemi

Autori:Avdyl Pajaziti

Popullata e Kosovës është duke u zvogëluar, bile me ritme të frikshme.

Të dhënat statistikore tregojnë se lindjet janë përgjysmuar vetëm brenda 25 vjetëve dhe trendi i zvogëlimit të numrit të tyre po vazhdon.

Ato kanë rënë nga 56 mijë në vit sa ishin në vitin 1988 në 29 mijë në vitin 2013.

Alarmant është fakti se ky numër ka zbritur me 10 mijë lindje brenda vitit konstant secilën dekadë.

Në vitet ’80 të shekullit të kaluar konstant ishin rreth 50 mijë lindje, në vitet ’90 konstant rreth 40 mijë, në vitet ’00 ishin në 30 mijë, ndërsa në dekadën aktuale ato kanë filluar të jenë në suaza të 20 mijëve.

Pavarësisht këtyre shifrave një ministër kosovarë e më pas edhe shefi i tij dolën me një qëndrim sikurse mos ti dinin këto të dhëna.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci e tha një televizion e madje e përsëriti në një tjetër se qiftet kosovare duhet të kenë kujdesë në numrin e fëmijëve që lindin. Duke bërë kërkesë që numri i fëmijëve mos të jetë i madh por konformë zhvillimit ekonomik të vendit e të ardhurave financiare  familjare.

“Unë nuk mendoj se në shekullin XXI dikush i cili merr një pagë 300 euro duhet të bëjë familje shtatë anëtareshe. Ai duhet t’i dijë kapacitetet e tij. Ai po e merr në qafë një fëmijë dy ose tre vjeçar”, ka thënë Stavileci, duke bërë thirrje që qiftet kosovare të kenë kujdes në numrin e fëmijëve të lindur.

Por ministrit të tij nga partneri qeveritar i doli krah edhe shefi i qeverisë.

Isa Mustafa shkruajti se edhe në Kosovë, sikurse edhe në të gjitha vendet e tjera duhet të mendojmë më shumë për zhvillimin e familjes dhe planifikimin e saj.

“Aspekti ekonomik i planifikimi të familjes mundëson që numri i fëmijëve të jetë në harmoni me të ardhurat e familjes. Aspekti social njeh metodat parandaluese për lindjet e paplanifikuara, kurse aspekti mjekësor mundëson që të ruhet shëndeti i nënës dhe fëmijës”, shkruajti shefi i Stavilecit, Isa Mustafa.

Por statistika zyrtare në Agjencinë e Statistikave të Kosovës janë të frikshme sa i përket raportit mes rritjes dhe zvogëlimit të numrit të popullsisë.

Për këtë arsye edhe deklaratat e zyrtarëve të lartë të shtetit do të duhet të jepeshin pas konsultimit të shifrave. Kjo për faktin se numri i popullsisë në vend nuk po shtohet sikur dikur me shifra enorme. Por niveli i rritjes së popullsisë po ulet me shifra marramendëse.

Për këtë ka shkruar edhe Gazeta Fjala javë më parë.

Nëse krahasohen të dhënat e Agjencisë së Statistikave në Kosovë në vitin 2001 kur ishin 36 mijë lindje me vitin 2012 kur janë 27 mijë. Pra, janë 9 mijë lindje më pak dhe 2 mijë vdekje më tepër. Lindjet kanë rënë me rreth 35 për qind e po aq janë shtuar vdekjet.

Në bazë të trendeve aktuale, popullata e Kosovës në vitet 2030 nuk do të ketë shtim natyror. Kosova do të fillojë të zvogëlohet edhe për shkaqe natyrore, sepse zvogëlimi i popullsisë për shkaqe tjera po ndodhë qysh tash.

Sipas ASK-së Kosova në vitin 2006 kishte 2.1 milionë banorë, ndërsa në regjistrimin e vitit 2011 doli se ai numër ka rënë në 1.8 milionë banorë.

Shtimi natyror i bie të jetë 21 mijë, ngase të njëjtin vit kur janë freskuar të dhënat e Entit të Statistikave të Kosovës në vend ishin shënuar rreth 8 mijë vdekje. Por, tërë shtimi natyror i Kosovës po kërkon azil në vendet e perëndimit. Sipas agjencisë evropiane të statistikave, Eurostat, çdo vit kërkojnë azil mbi 20 mijë kosovarë. Janë dy kategori tjera ikjesh që vendin e zhysin në zvogëlim të popullatës, martesat me letra dhe qëndrimet ilegale. Këto dy kategori llogaritet të jenë mbi 10 mijë në vit në suaza normale.

Ky trend ishte para fluksit të fundit, kur u dyfishuan ikjet nga shteti. Vetëm në tremujorin e fundit dhe në fillim të këtij viti llogaritet ta kenë braktisur vendin së paku 50 mijë veta.

“Sa më i madh është numri i popullsisë, aq më i madh është tregu, aq më të mëdha janë kërkesat, dhe aq më të mëdha janë mundësitë për zhvillim”, Ibrahim Rexhepi, STRAS.

Pas deklaratës së ministrit së Zhvillimit Ekonomikë shpërthyen komentet e analizat. Shumica prej tyre qenë kundër asaj që tha ministri i qeverisë Mustafa.

”Blerand Stavileci është ministër për zhvillim ekonomik, e jo ministër I shtimit natyror. Ky ministër, sipas detyrës zyrtare do të duhej të thoshte se si Qeveria në të cilën ai është pjesë e saj do të punoj që t’i zhvilloj politikat, në mënyrë që të rris pagat, të punësoj të papunët dhe të rris ekonominë e vendit, e jo të thotë se si duhet ulur shtimi natyror, se si duhet planifikuar familjen e brockulla të tilla”, shkruan Petrit Zogaj nga Lëvizja Fol.

Bile Zogaj deklaratën e ministrit Sravilevci e krahason me zyrtarët shtetëror të vendeve totalitare.

“E dimë shume mirë se ne cilat shtete kemi pasur planifikime familjare, e ato shtete nuk kane qene demokratike dhe nuk janë. Ne, po pretendojmë se jemi vend demokratik dhe se deklaratat e zyrtareve të Qeverisë nuk duhet me qenë në këtë nivel të papërgjegjësisë publike”, ka shkruar Zogaj.

E për njohësin e rrjedhave ekonomike Ibrahim Rexhepi, zhvillimi ekonomik  ka kuptim  kur ai ndodhë  dhe është në të mirën e përgjithshme.  Sipas tij për të arritur këtë, duhet bërë një balancim ndërmjet rritjes ekonomike dhe shtimit të popullatës. Por se ky balancim mund të bëhet vetëm duke korrigjuar njërin fajktorë, atë të rritjes ekonomike, i cili duhet të nxitet dhe të stimuloj me të gjitha format, në mënyrë që norma e rritjes të jetë e mjaftueshme dhe të ofroj mirëqenie për tërë popullatën.

“Nëse synohet  që një mekanizëm jashtë familjes ta zëmë shteti të ndikoj në planifikimin e familjes, atëherë kjo na kthen në kohërat e sistemeve të kaluara, kur diku, si në Kinë, shteti planifikimin e familjes e ka përdorë si mekanizëm që të përafroj normën e natalitetit me atë të zhvillimit ekonomik.  Ndërkaq, kemi pasur edhe rastin e Kosovës ku qeveria serbe është munduar të fusë një planifikim të familjes të shqiptarët, por krejt për qëllime asimiluese”, ka deklaruar Rexhepi që drejton organizatën STRAS.

Bile përkundër ministrit e kryeministrit ekonomistët e shtimin e popullsisë e shohin edhe si kontribut në zhvillimin ekonomik.

“Sa më i madh është numri i popullsisë, aq më i madh është tregu, aq më të mëdha janë kërkesat, dhe aq më të mëdha janë mundësitë për zhvillim”, ka thënë Regjepi, për Gazetën Fjala.

Kështu sipas RexhepitdDeklarata e ministrit Stavileci më së buturi mund të vlerësohen si të pamatura.

“Nuk i takon atij, e asnjë qeveritari e pushtetari tjetër,  që  të përzihet në “shtratin bashkëshortor”  të askujt.  Planifikimi i familjes është punë që e koordinojnë qiftet bashkëshortore. Ndërkaq, ministri për zhvillimin ekonomik  vërtetë duhet të fokusohet në zhvillimin ekonomik dhe të ofroj mirëqenie për secilin kosovarë që lindë”, ka thënë Rexhepi.

Kundër deklaratave të ministrit Stavileci kanë reaguar edhe disa shoqata të grave duke e quajtur ato si ofendim ndaj tyre.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/blerand-po-zhdukemi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala