Bizneset kosovare nuk janë gati për tregjet e BE-së

Autori:Zekirja Shabani

Njëra nga kompanitë më të mëdha të përpunimit dhe prodhimit të mishit në vend, Meka nga Dragashi, është rënduar për vite me radhë me taksat për lëndën e parë të cilën e importon nga vendet e Bashkimit Evropian.

Por, që nga dita e sotme kur pritet të hyjë në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) në mes të Kosovës dhe BE-së, kjo kompani nuk do të duhet që të paguajë më këtë taksë.

Rrjedhimisht, Burim Piraj, pronar i kompanisë, ndihet i inkurajuar që të rrisë kapacitetin e biznesit të tij.  Ai thotë se prodhimet e tij janë cilësorë dhe me të hyrë marrëveshja në fuqi, pret që të eksportojë edhe në tregun e madh të Evropës.

“Ne kemi nevojë që të zgjerojmë edhe më tej kapacitetet. Përndryshe, ne posedojmë teknologji moderne që përdoret edhe në Evropë, kështu që vetëm duhet të zgjerojmë kapacitetet që të prodhojmë edhe për eksport,” thotë ai.

Por, Piraj tregon se përveç barrierave tarifore me të cilët është përballur deri më tani, ai do të vazhdojë të ketë edhe pengesa të tjera.

“Gjëja e parë që përballemi ne si prodhues të mishit është mos regjistrimi i agjencionit të ushqimit dhe veterinës për të qenë i aftë për kontrollimin e kafshëve para therjes ashtu që të na mundësohet eksporti produkteve shtazore drejt komunitetit evropian,” tregon ai, shkruan Gazeta Fjala.

“Ende do të kemi vështirësi, por shpresoj që barrierat tarifore do të kalohen. Kjo marrëveshja është mundësi e mirë për ne”.

Një tjetër biznesmen, Bashkim Osmani, pronar i kompanisë Laberion nga Podujeva që merret me prodhimin e lëngjeve, thotë se prodhimet e kompanisë së tij, por edhe të shumicës së bizneseve në Kosovë nuk mund të konkurrojnë me produktet e vendeve evropiane.

Për më tepër, ai thotë se këto produkte nuk kanë cilësi të mjaftueshme as nëse krahasohen me produktet e kompanive të rajonit.

“Neve na mungojnë subvencionet dhe stimulimet; kemi probleme me rrymën elektrike që u shtrenjtua  dy herë brenda vitit; kostoja e prodhimit është mjaft e lartë krahasuar me vendet e tjera,” sqaron ai, i pyetur pse prodhimet vendase kanë mbetur prapa atyre të rajonit dhe më gjerë.

Kosova vazhdon të ketë dalje të vogël në tregjet ndërkombëtare.  Sipas Agjencionit të Statisitikave të Kosovës (ASK), eksporti i Kosovës mbulon importin me më pak se 15%.

Por, pronarët e bizneseve janë optimistë se kjo do të ndryshojë në të ardhmen, sidomos tani pas nënshkrimit të MSA-së.

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është proces i dyanshëm dhe proces rajonal, me të cilin krijohen marrëdhëniet ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të BE-së dhe, në të njëjtën kohë, nxitet bashkëpunimi ndërmjet vendeve të rajonit.

Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nuk do të hiqen të gjithë taksat në kufij.  MSA parasheh vetëm heqjen e taksës doganore 10 për qind, ndërsa TVSH në import, akciza dhe tatimet tjera mbesin të njëjta.

Në anën tjetër, Selatin Kaçaniku nga organizata Konsumatori, thotë se në përgjithësi bizneset kosovare nuk janë të përgatitura për të konkurruar seriozisht në tregjet evropiane.

Sipas tij, MSA është vetëm shkalla fillestare e integrimeve dhe se bizneset duhet që të fillojnë të përgatiten dhe të jenë të disiplinuara në mënyrë që të arrijnë të shesin produktet e tyre në Evropë.

“Ne nuk mund të integrohemi në Evropë me këtë anarki për arsyeje të zbatueshmërisë së ultë të ligjeve. Dhe, Evropa këtë nuk na e fal. Ka biznese të vogla që ja kanë nisë ta disiplinojnë vetveten dhe të futen në rrjedha të standardeve ato që tani janë të integruara në tregun evropian,” thotë ai.

Nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim pritet të bëhet sot në Strasburg.  Kryeministri Isa Mustafa dje para nisjes tha se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje pritet të fillojë një fazë e re e bashkëpunimit më cilësor ekonomik me BE-në.

“Jemi të vetëdijshëm që procesi i nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocimi, është një fillim i një rruge të gjatë, që do ta bëjmë për t’iu ofruar Bashkimit Evropian, në një rrugë për të cilën ne nuk kemi alternativë tjetër, sepse kjo alternativë është përkrahur dhe përqafuar nga qytetarët tanë dhe nga gjithë miqtë tanë,” ka thënë ai.

Me zbatimin e kësaj marrëveshje, pritet që Doganës së Kosovës do t’i zvogëlohet një pjesë e të hyrave, ngase të gjitha produktet industriale dhe bujqësore që eksportohen nga BE, do të hynë në Kosovë pa asnjë tarifë doganore.

Sipas të dhënave nga dogana, taksat vjetore të produkteve që hynë në Kosovë e që për origjinë kanë vendet e BE-së janë rreth 60 milionë euro./Gazeta Fjala/.

 

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/bizneset-kosovare-nuk-jane-gati-per-tregje-e-be-se/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala