Bizneset e shantazhuara

Autori:Zekirja Shabani

Krejt ata që zgjedhin Kosovën për të bërë biznes duhet të bëhen gati për përballje me shantazhe, me drejtësi të pa drejtë, me norma të interesit të larta e me shumë barriera tjera. Kjo edhe është arsyeja përse në Kosovë ka pak biznese prodhuese.

“Kosova ende ka një normë të ulët të zhvillimit ekonomik, e cila kryesisht vjen për shkak të ambientit jo të favorshëm për biznes, mungesës së investimeve dhe mosguximit të prodhuesve vendor që në këtë ambient të futen në projekte prodhuese, që bartin shkallë të lartë të rrezikut”, kështu nisë edhe raporti i fundit për Zhvillimin e Sektorit Privat në Kosovë dhe Potencialet për Investime i publikuar nga agjencia REA.

Norma e rritjes 2,5 për qind, sa vlerësohet se është arritur në vitin 2014, ndonëse është mjaft e lartë krahasuar me vendet e rajonit, ajo nuk është e mjaftueshmë për tejkalimin e problemeve sociale, të cilat kanë ndikim esencial në fuqinë blerëse të qytetarëve, si edhe në madhësinë e tregut në përgjithësi.

Ibrahim Rexhepi, hulumtues nga Prishtina REA, ka treguar se ndonëse mund të ketë arritje në lehtësirat e të bërit biznes, ato kryesisht kanë të bëjnë kryesisht me çështje procedurale e administrative.

“Ndërkaq, në ambientin dhe klimën e të zhvilluarit dhe për operimin e biznesit, problemet janë të theksuara. Kanë ashpërsi, shantazhe, gjyqësi të varfër e të vonuar dhe mungesë të frymës së partneritetit publiko-privat, e plot privatizime të dështuara”, tha Rexhepi.

Ambienti jo atraktive dhe jo aq i sigurt ka ndikuar në rënien e investimeve të huaja, nga 384,6 milionë euro sa ishin në vitin 2011, në rreth 125,3 milionë euro në periudhën janar-shtator 2014.

“Niveli i investimeve është përkeqësuar edhe në sektorin privat, prandaj, rritja ekonomike kryesisht, vjen nga investimet në sektorin publik. Mirëpo, kjo strutkurë e investimeve nuk garanton zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë”., ka treguar Rexhepi.

Të dhënat e prezantuara në dokument flasin për trend negativ të ekonomisë kosovare pavarësisht shumë potencialeve të vendit për zhvillim.

Bilanci tregtar edhe më tutje mbetet i përkeqësuar, kryesisht për shkak se politikat qeveritare më shumë janë të orientuara kah nxitja e importit, se sa stimulimi i prodhimit vendor.

“Të hyrat nga kufiri edhe më tej përbëjnë mbi 65 për qind të te hyrave publike. Për shkak të këtyre politikave, si edhe varshmërisë së madhe nga importi, deficiti tregtar në vitin 2014 ishte 2,2 miliardë eurosh, në vitin 2013 – 2,4 miliardë euro, 2012- 2,5 miliardë euro, sa ishte edhe në vitin 2011.Eksporti ende ka vëllim mjaft të ulët (2014- 324 milionë euro) dhe strukturë të pavolitshme, ku gati gjysmën e tij e përbëjnë metalet bazë. Pjesëmarrja e artikujve të tjerë mbetet e ulët: ushqimi dhe pijet (nga 8,1 në vitin 2005 , në 6,6 për qind në vitin 2014), apo makineritë dhe pajisjet elektrike e mekanike (nga 11,6 për qind, në 4,3 për qind. Ka edhe shenja inkurajuese. Pjesëmarrja e produkteve nga plastika dhe goma në eksport është rritur nga 1,7 për qind, në 6,2 për qind, tekstili- nga 1,1 për qind në 4,3 për qind dhe ajo e produkteve bimore – nga 5,1 për qind në 5,2 për qind”, shpalos të gjeturat raporti

Në përkeqësim të mëtejmë është edhe sektori i investimeve, posaçërisht i atyre të jashtme të cilat kryesisht u orientuan në sektorë që nuk garantojnë zhvillim afatgjatë.

“Investimet në bujqësi në periudhën 2010- shtator 2014 ishin simbolike, prej 0,4-0,9 milionë euro, pastaj industria kishte rënie nga 101,1 milionë euro, në 4,6 milionë euro, në ndërtim u zvogëluan 80 për qind, në financa gati se u përgjysmuan”.

Bizneset pa përkrahje

Norma e lartë e interesit, mungesa e grace-periudhës, si edhe kushtet e garantimit të kredisë, shumë biznese i bëjnë të pamundshme për shfrytëzimin e tyre.

“Në qershor 2014, vlera e përgjithshme e kredive ishte 1.89 miliardë euro, që paraqet rritje vjetore 3.5 për qind. Kreditë për ndërmarrje u përfaqësuan 67.3 për qind- 1.27 miliardë euro, me rritje vjetore prej 2.9 për qind, që është normë më e ulët se ajo e shënuar një vit më parë – 3.1 për qind”, thuhet në raport.

Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Kosova ngecë dukshëm në dhënien e incentivave për bizneset prodhuese, që punësojnë shumë veta dhe të orientuara në eksport. Pos lirimit të disa mallrave të importuara nga tatimi doganor – kryesisht lëndë të para dhe makineri, nuk ka ndonjë masë tjetër që lehtëson të bërit biznes. Nga ana tjetër, vendet e rajonit, si Serbia e Maqedonia ofrojnë lehtësira për investime, pushime fiskale, shfrytëzim të parcelave me tërë infrastrukturën.

Si një ndihmesë për biznesin është planifikuar të jenë zonat ekonomike dhe parqet industriale. Por, pos Parkut Industrial në Drenas, asnjë tjetër nuk është funksional sa i përket aspektit menaxherial, ndërkaq, për jetësimin e zonave të lira ekonomike në Mitrovicë, Gjakovë e në Prizren ekziston vetëm vendimi qeveritar, por jo edhe aktet e tjera, si edhe veprimet institucionale me qëllim të funksionalizimit të tyre, edhe pse ajo e Mitrovicës ka një licensë si park industrial.

Njëri ndër problemet më të theksuara nga ana e bizneseve, është mbikqyrja dhe funksionimi i tregut, përkatësisht konkurrenca e pandershme, e cila ende ka përmasa të mëdha. Me këtë problem ballafaqohen të gjitha bizneset, pa marrë parasysh sektorin në të cilin ato veprojnë. Të dhënat tregojnë gjendjen mjaft alarmante – ekonomia joformale në Kosovë gjatë vitit 2013 shtrihej ndërmjet 1,3 dhe 1,8 miljardë euro.

“Nga intervistat e zhvilluara me bizneset, ekonomia informale vazhdon të konsiderohet pengesa kryesore, meqenëse 72% e bizneseve të intervistuara e kanë konsideruar këtë si pengesë shumë të madhe, ndërsa si pengesë më pak të vogël – 12% e ndërmarrjeve”,thuhet në raport.

Probleme tjera raporti renditë problemin e  energjisë, ngarkesat fiskale, mungesa e investimeve infrastrukturore, ligjet dhe zbatueshmeria e tyre e vogël.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/bizneset-e-shantazhuara/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala