Biznesi në shtetin e haraçit

Autori:Zekirja Shabani

“Ja siguroje lokalin ja ta kallëm”, ky është refreni më i dëgjuar nga afaristët kosovarë në 16 vite të pasluftës.

E “sigurimi” nënkupton pagesën e një grupi të caktuar të njerëzve, që në emër të komandantëve, grupeve kriminale e zyrtarëve të lartë shtetërorë, kërkojnë para për ti lënë të lirë bizneset të punojnë.

Rrustem Mustafa e Latif Gashi janë dy ish komandantët më të përfolur kohëve të fundit për zhvatjen e bizneseve në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Këto akuza i ka bërë të hënën në emisionin “Puls”, në KTV, përfaqësuesi i markës sportive “Asiks” Eroll Vitaku.

Ai është vetëm njëri nga dhjetëra afarist kosovarë që ka pranuar publikisht se për vite të tëra ka paguar haraç, në mënyrë që të ushtroj aaktivitetin e ti pa pengesa.

Si ai janë edhe shumë biznese tjera që detyrohen të paguajnë shuma të mëdha parash për të zhvilluar afarizëm në vend.

Këtë fakt e kanë konfirmuar edhe institucionet e sigurisë. Misioni Evropian për Rend dhe Ligj EULEX vitin e kaluar ka bërë të ditur se është duke i hetuar 13 raste të tilla. Kurse, në Policin e Kosovës patën treguar se se janë paraqitur 34 ankesa vetëm për gjashtë muaj.

E përfaqësuesit e komunitetit të biznesit janë alarmuar me këtë dukuri në rritje.

Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërgjaliu thotë se deklaratat e afaristëve për haraçin janë shqetësuese dhe dëmtohet ambienti i të bërit biznes në vend.

“Kjo tregon për pasiguri për të bërë biznes në Kosovë, e cila duhet të zgjidhet sa më shpejtë”, thotë Gërgjaliu.

Ai u bënë thirrje të gjithë afaristëve që të denoncojnë rastet e tilla, në mënyrë që njëherë e përgjithmonë të largohet haraçi si barrë për punën e tyre.

“Duhet të gjithë ata të atakuar nga ky fenomen negativ ta ken guximinin ta denoncojnë këtë dukuri negative”, vlerëson ai duke shtuar se sundimi i rendit dhe ligjit është barriera kryesore me të cilën përballen bizneset në vend dhe investitorët e huaj që dëshirojnë të investojnë në Kosovë.

Një nga investitorët që pati denoncuar zhvatjen në Pejë është Selatin Balkan, të cilit persona të njohur për policinë dhe institucionet e rendit i kërkuan 300 mijë euro haraç për të filluar biznesin në këtë qytet.

Ndërkaq, në një raport të publikuar vitin e kaluar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës thuhet se një përqindje e konsiderueshme e bizneseve iu paguajnë ryshfet zyrtarëve publikë, në mënyrë të përsëritur, gjatë gjithë vitit.

Sipas ASK-së,  në Kosovë, sipas raportit, 59.2 për qind e ryshfetit është paguar me para të gatshme, ndërsa, shuma mesatare e paguar për ryshfet është 844 euro, e cila korrespondon me 1 mijë e 787 euro. Raporti, ndër të tjera, thotë se katër të pestat e të gjitha bizneseve në Kosovë (80.4 për qind) përdorin, të paktën, një masë mbrojtëse të sigurisë kundër krimit.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/biznes-ne-shtetin-e-haracit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala