Biznes me“Tema të Diplomave”

Autori:Gazeta Fjala

Studentët e Universitetit të Prishtinës nuk po e kanë fort problem t’i punojnë Temat e Diplomës. Ata madje këtë po e bëjnë pa e lodhur trurin fare.

“Shpëtim” për studentët po vlerësohet një biznes që është përhapur kohëve të fundit, e që atyre po ua sjell të gatshme Temat e Diplomës.

Krejt ky shërbim studentëve po u kushton nga 70 e deri në 230 euro.

Në rrjetin social Facebook ekzistojnë disa ueb faqe të cilat ofrojnë kryerjen e “Punimeve të Diplomave”.

Përveç kësaj këta persona janë kujdesur që të dhënat e tyre t’i publikojnë edhe në shtyllat elektrike rreth kampusit universitar, si dhe në disa portale të shpalljeve për t’i informuar studentët rreth shërbimeve të tyre.

mes tekst

E tani studentëve të Universiteti të Prishtinës nuk po i mbetet asgjë tjetër pos të vejë kontakt me personat në fjalë dhe të fillojnë negociata për blerjen e “Temës së Diplomës”.

Gazeta Fjala pasi që i ka parë këto faqe në Facebook, ka zhvilluar biseda me disa prej tyre për ta kuptuar se si ecën ky biznes.

Kështu kemi arritur të kuptojmë së këta persona zakonisht qëllojnë të jenë nga Prizreni dhe Prishtina dhe se çmimin e caktojnë varësisht nga tematika dhe numri i faqeve, sa me shumë faqe të ketë dhe sa me e vështire të jetë tema aq me shumë do kushtojë.

“Studentët e Fakultetit Ekonomik për një temë 25 faqesh duhet të paguajnë 70-130 euro. Ndërkaq studentët e Fakultetit Teknik paguajnë me shumë, atyre për një temë rreth 60 faqesh nga këto ueb faqe ju kërkohet 230 euro. Edhe studentët e Biologjisë paguajnë me pak se ata të Teknikut rreth 100 euro”.

1 diplomat

Kjo veprimtari që po e ushtrohet nga këto grupe po del të jetë fitimprurës si rrjedhoje e numrit të madh të interesuarve.

Gazeta Fjala ishte interesuar edhe për çmimin e një hulumtimi edhe ky shërbim i ofruar nga këta, mirëpo përgjigja ishte se duhet të presin me gjatë për këtë.

Ndërkaq sa i përket pagesës, disa preferojnë që kjo procedure të kryhet përmes xhirollogarisë bankare.

“Pagesa bëhet përmes bankës. Fillimisht dërgohet një kapar pastaj pagesën mund ta bëni në dy ose tri pjesë gradualisht pasi që edhe punimi punohen në dy ose tri drafte”, tha njëri nga personat me të cilin kontaktoi gazeta.

E disa të tjerë duan që paratë t’ia dorëzosh fizikisht kur edhe bëhet shkëmbimi “temë-para”.

“Kur e merr temën e banë pagesën, vjen në Prizren edhe e merr”, ka thënë tjetri përgatitës i temës së diplomës.

Të gjitha këto veprimtari janë konsideruar si të paligjshme nga njohësi i çështjeve të arsimit Dukagjin Pupovci.

“Personat që merren me këtë lloj “biznesi” po kryejnë vepër penale dhe duhet të denoncohen nga Universiteti i Prishtinës në mënyrë që të merren masa ligjore ndaj tyre nga organet kompetente” ka thënë Pupovci.

Ai fajin për këtë ia ka hedhur profesorëve ngase punimi i diplomës është një punë profesionale në një temë të cilën studenti e punon nën udhëheqjen e mentorit.

“Fakti që studenti është në gjendje ta blej diku një punim diplome dhe ta mbrojë atë para profesorit, tregon se ne nuk i kushtojmë kujdes të duhur mentorimit”.

“Profesori duhet ta mbikëqyrë studentin në procesin e përgatitjes së punimit të diplomës duke e këshilluar dhe ndihmuar atë. Po të ishte kështu, atëherë studenti do të duhej ta bënte vet punimin e diplomës, sepse profesori do ta dinte se nuk është punë origjinale e tij”, ka thënë Pupovci

Ai po ashtu ka thënë së nuk mund të lirohen nga përgjegjësia as studentët dhe familjet e tyre që lëshohen në të tilla punë.

Gazeta Fjala ka provuar të marr përgjigje nga Rektoratit nëse janë në dijeni për këto gjëra por kjo gjë ka qenë e pamundur deri më tani.

Edhe Policia e Kosovës është pyetur lidhur me atë se a kanë pranuar ndonjëherë denoncim nga Universiteti i Prishtinës për këto raste , mirëpo as nga ta nuk kemi siguruar ndonjë përgjigje.

Mbrojtja e diplomës është detyrimi përfundimtar për diplomimin e studenti, punimi i diplomës është një punë profesionale në një temë të cilën studenti e punon nën udhëheqjen e mentorit. /Gazeta Fjala/

2 dilomat

3 diplomat4 diplomat

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/biznes-metema-te-diplomave/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala