Bifurkacioni humbë milionat, shefat shpërblejnë veten (Dokument)

Autori:Avdyl Pajaziti

Komisioni komunal i aksionarëve në kuadër të ndërmarrjes Bifurkacioni në Ferizaj, që përbëhet nga tre zyrtarë të komunës ka vendosur që të kompensojnë veten me nga 190 euro.

Përveç vetes ata kanë marrë vendim edhe për kompensim të bordit të drejtorëve të KRUK Bifurkacioni.

Kjo ndërmarrje me plotësim ndryshimin e ligjit për Ndërmarrjet Publike, e  përcakton si Ndërmarrje Publike Lokale nën kompetenca të komunës, pasi që më herët ka qenë ndërmarrje publike qendrore.

Vendim i komisionit të aksionarëve i prillit të vitit 2014 tyre parasheh kompensimin për anëtarët që nga tetori i vitit 2012 deri në janarin e 2014-ës.

“Kompensimi bëhet në shumën e cekur…edhe për anëtarët e komisionit të aksionarëve të zgjedhur në përbërjen e kaluar të kuvendit me datën 31.10.2012 dhe kompensimi i tyre do të bëhet nga data e fillimit të punës në ndërmarrje”, shkruan në vendimin e datës 30 prill 2014.

Një vit më vonë në mars 2015 vendimi tjetër obligonte Bifurkacionin që të kompensonte me të njëjtën shumë edhe anëtarët e emëruar sivjet deri në përfundim të mandatit të kuvendit komunal.

“Vendimi hyn në fuqi që nga momenti i nënshkrimit nga kryetari të komunës”, shkruan aty.

Ky komision në muajin korrik të vitit të kaluar kishte marrë vendim për kompensim edhe të bordit të drejtorëve të KRUK Bifurkacioni.

Sipas dokumenteve të siguruar nga Gazeta Fjala kryesuesi i bordit do të merrte 437 euro kurse anëtarët nga 408, sipas vendimit.

Komuna e Ferizaj nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës Fjala se ku janë bazuar kur morën këto vendime për kompensim, edhe pse gazeta ka pritur një javë për to.

Bifurkacioni për kundër operimit me humbje ofron ndihma financiare

Edhe në vetë kompaninë regjionale të ujit dhe kanalizimit “Bifurkacioni” gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti janë  marrë vendime të cilat e kanë “rënduar” buxhetin e ndërmarrjes.

8400 euro është vlera e ndihmave që Bifurkacioni ka ndarë.

Ajo ka ndihmuar financiarisht disa punëtorë dhe persona tjerë që nuk kanë lidhje me ndërmarrjen Bifurkacioni, ani pse në dokumentet që posedon Gazeta Fjala shihet se tri vitet e fundit është duke operuar me humbje.

Bazuar në dokumentet që posedon Gazeta Fjala Bifurkcioni në fund të vitit 2013 ka pasur humbjen e akumuluar në vlerën prej 2 milion 616 mijë e 787 euro. Kurse një vit më vonë kjo humbje arrinë vlerën në 2 milionw e 740 mijë e 375 euro.

Disa vendime lidhen me ndihmën për rastet shëndetësore të tre punëtorëve. Njërit prej tyre i janë ndarë 2000 euro ndërsa dy të tjerëve nga 200 euro për shërbime shëndetësore.

Faton Frangu kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje i ka konfirmuar vendimet e marra në krye të Bifurkacionit, mirëpo ai nuk ka treguar se në çfarë baze ligjore është bazuar ndërmarrja kur mori këto vendime.

“KRU”Bifurkacioni”SH.A. në mungesë të sigurimeve shëndetësore të punëtorëve, në disa raste me qëllim të ndihmës për shërim ka ndarë mjete financiare sipas kërkesës për punëtorët e vet, dhe atë deri në 500 € me vendim të KE, ndërsa mbi 500 € me vendim të Bordit të Drejtorëve”, tha Faton Frangu për gazetën Fjala.

Gjithashtu Frangu nuk tregoi nëse Bifurkacioni ka buxhet të mjaftueshëm për tu zgjeruar në kësi veprimtarish.

“Humaniteti” i Bifurkacionit

Ndërmarrja Bifurkacioni u zgjeruar edhe në ndihmë edhe për persona të tjerë që nuk ishin punëtorë të ndërmarrjes.

Ajo kishte ndarë një shumë prej 500 eurosh për një fëmijë të kafshuar nga qentë endacak.

Kryeshefi Frangu thotë se e ndihmuan shkaku i gjendjes së rëndë financiare.

“U.T ishte sulmuar nga qenet endacak, kishte pësuar plagë të mëdha,gjendjen financiare shumë të rëndë, me banim afër kompanisë sonë dhe me kërkesën e Komunës së FE, por edhe të punëtorëve të kompanisë kemi ndarë këtë ndihmë për te”, tha Frangu.

Një shumë prej 5 mijë euro ajo e ka dhënë si donacione për ndërtim të shtëpive ne kuadër të projektit për ndërtimin e shtëpive për rastet sociale.

Frangu tha se aksion i përkrahur nga gjithë afaristët dhe institucionet e Ferizajt, ka gjetur përkrahjen edhe nga Bordi i Drejtoreve të KRU”Bifurkacioni”SH.A.

“Bordi e ka parë të arsyeshme që ne si kompani publike të participojmë në këtë aksion, meqenëse do të ndihmohen konsumatorët tonë. Për momentin kemi paguar 2500 €, e më vonë do shikojmë shumen tjetër , dhe do jemi të gatshëm të ndihmojmë edhe me njerëzit tonë nga lëmia e ujit dhe kanalizimit”, tha ai.

Bifurkacioni ndihmoi edhe një student Ferizajas për tu regjistruar në një universitet të Zvicrës. Sipas kryeshefit Frangu ndërmarrja është e hapur për të ndihmuar në krijimin e kuadrove të reja dhe me perspektivë për kompaninë dhe qytetin.

“Pas kërkesës së Alban Halitit për regjistrim në Universitetin e Gjenevës ne në konsultë me Komunën si aksionare tonën kemi ndarë këtë ndihmë modeste për regjistrim, 500€. Dhasht zoti që ai shpejt të përfundon dhe ne do e presim me duar hapur për zhvillimin e kompanisë dhe qytetit”, tha kryeshefi Frangu./Gazeta Fjala/.

3

2c

1q

 

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/bifurkacioni-humbe-milionat-shefat-shperblejne-veten-dokument/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala