Bastoret plot fëmijë

Autori:Zekirja Shabani

17 vjeçari E.J, nxënës i klasës së 12-të, në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë, nuk është duke e mbajtur orën e edukatës fizike që ka në orar. Në vend të saj, ai po vë bast me shokët se cili ekip do të fitoj.

Me uniformën që e identifikon si nxënës, është nisur drejt bastores “Arena Sport”, e cila ndodhet jo më pak se 600 metra, larg  shkollës ku vijon mësimet.

Për moshën që ka, me ligj nuk i lejohet të shkelë as pragun e objekteve të lojërave të fatit.

“Është e ndaluar që një person nën tetëmbëdhjetë (18) vjeç të përfshihet në lojëra fati, të luajë qoftë personalisht ose përmes një agjenti” thuhet në  nenin 45 të ligjit që e rregullon këtë fushë.

Por, pavarësisht moshës maturanti i gjimnazit frekuenton ç’do ditë bastoren.

Ndërsa e quan “Badihavistikë”, orën që zhvillon mësimdhënësi i tij me pjesën tjetër të klasës.

Ai ndihet më mirë të vë bast me paratë që prindërit ia kanë dhënë për të blerë ushqim, sesa të ndjekë mësimet.

“Shkoj në bastore gjithë. Si badihavgji që jom sum rrihet, dal luj në bastorën që osht mas shkollës “Arena Sport”. Mirë po bahet aty, po ka lojë shumë, e shumë të ri”, tregon maturanti i cili gëzohet kur fiton ekipi i tij.

“Kur fiton ekipi jem, fitoj edhe unë. Zakonisht dalim kur t’kem me qit profesor, se atij, s’ia nin fort a dalim, a qa bajmë, badihavistikë o landa e tij.  Në orë spo rrihet, ma mirë qatu n’bastore, bile nashta fitojmë najsen”, vazhdon rrëfimin për Gazetën Fjala 17 vjeçari që nuk shkon i vetëm në bastore.

Sociologët të shqetësuar

Sociologu Ferdi Kamberi, thotë se lojërat e fatit shpeshherë shihen si destruktive për shpërfaqjen e problemeve të ndryshme të cilat kanë impakt edhe në sferën shoqërore.

“Të themi më mirë, lojërat e fatit bëjnë që të kemi probleme së pari me vetën, për shkak të varësisë ndaj tyre, ato dekurajojnë dhe shpërfillin nga ambienti social, ato e dezorinetojnë ritmin e njeriut dhe shpërfaqin konflikte familjare, sidomos me rastin e humbjeve të shumave të mëdha të parave”, thotë Kamberi.

Sipas tij këto janë të shumta në ato shoqëri të vogla, ku determinon papunësia dhe varfëria, si dhe problemet e shumta sociale.

Element tjetër është se ato kanë ndikim edhe tek moshat e reja të cilët janë imituesit më të mëdhenj të të rriturve.

“Në këtë drejtim, nxënësit të cilët ende janë në moshë të re, mund të jenë pre e varësisë së lojërave të fatit që pastaj mund të paraqet problem në stadet tjera të jetës”, thotë Kamberi, i cili shpjegon se kjo është arsyeja që edhe me ligj është e specifikuar se lojërat e fatit duhet të qëndrojnë në distanca të largëta me institucionet shkollore.

Një gjë e tillë shihet se shumë pak aplikohet. Andaj, edhe problemet vërehen sidomos në frekuentimin e nxënësve në lojëra të tilla.

Ai kritikon edhe mësimdhënësit që nuk punojnë sa duhet për nxënësit lidhur me këtë dukuri.

“Prandaj, është e nevojshme që së pari pedagogët që flasim ose të ketë ligjërime në klasë për këtë dukuri, pastaj të ketë një bashkëpunim në mes të nivelit qendror, lokal, OJQ-ve, si dhe Këshillave të Prindërve”.

Edhe 12 vjeçarët në bastore

V.A, i të njëjtës moshë, ç’do ditë e viziton objektin  e lojërave të fatit, një vend ku rrinë bashkëmoshatarët e tij.

Prindërit e tij, nuk dinë asgjë për tiketat që ç’do ditë, i mbush djali i tyre.

“Çdo ditë luj bastore, rrallë fitoj. Po kur fitoj, goxha ma don. Prindërit se dinë qe luj se m’kishin myt me dit”.

Këtë “zanat” thotë se ia kanë mësuar shokët.

“Dostat ma kan shti n’gjak me lu, e prej atëherë, unë ç’do ditë shkoj në bastore me ata, se fitoj kanihere goxha shumë”  thotë V.A, të cilit që atëherë tiketat nuk i janë larguar nga dora.

Gjimnazistëve, iu bashkohet edhe një nxënës i moshës 12 vjeçare, për t’i bërë shoqëri në lojë.

Edhe ky ka ikur nga ora e mësimit.

Por, ndryshe prej herave tjera ai të enjten kthehet mbrapa dhe nuk lejohet të futet në vendin ku zakonisht luan me shpresën se do të fitojë njëherë.

Fidani, pronar i bastores, thotë se nuk i lejon të miturit të hyjnë për të luajtur.

“Si lajna ktu me hi nër 18 vjet”, thotë për Gazetën Fjala ai.

Por, duket se ky rregull nuk vlen gjatë gjithë kohës. Në derën ku qëndron mbishkrimi +18 hyjnë të mitur pa asnjë pengesë.

Kjo në bazë të ligjit është e pa lejueshme.

“Është e ndaluar që organizatori i lojërave të fatit t’i lejojë një personi nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeçare të përfshihet në lojëra të fatit” thuhet në nenin 45, pika 4 të Ligjit për lojrat e fatit.

Se çfarë thotë ligji e dinë mirë edhe pronari i kësaj bastoreje dhe e respekton derisa mediet janë prezente.

Sjellja e tij, e befasoi edhe 12 vjeçarin që iu ndalu hyrja.

“Sbon me hi jo”, thotë pronari derisa ruan derën nga frika se mos po hyjnë të miturit, të cilët janë grumbulluar për të luajtur si çdo ditë aty./Gazeta Fjala/

(Fitnete Rrahimi)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/bastoret-plot-femije/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala