Bankat po mbyllen për “miliarderët e Kosovës”

Autori:Zekirja Shabani

Kosovarët i kanë mbi 1.9 milion llogari në 10 Bankat Komerciale në vend. Në to i ruajnë 2.5 miliard euro. Ndërkaq, më shumë se 93 për qind e tyre janë llogari individuale, e pjesa tjetër e llogarive u takojnë bizneseve.

Të dhënat e prezantuara në raportin vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se vetëm 157,761 prej qytetarëve i kryejnë shërbimet bankare përmes internetit. Të gjithë të tjerët u drejtohen sporteleve nëpër degët e bankave në të cilat janë klient, raporton Gazeta Fjala.

Megjithatë, disa banka kanë vendosur që të mos u shërbejnë klientëve të tyre në sportele duke reduktuar numrin e degëve dhe punëtorëve gjithashtu.

BQK- konfirmon se gjatë vitit 2014 bankat kanë mbyllur 26 nëndegë, kryesisht njësi të vogla pas vlerësimit të performancës dhe efikasitetit të tyre, “si dhe për arsye se bankat kohëve të fundit kanë investuar në zgjerimin e shërbimeve të automatizuara në mënyrë që t’ju ofrojnë klientëve mundësi për të kryer transaksionet përmes: e-banking, bankomatëve, terminaleve të shitjes”.

Zyrtarët e ProCredit Bankë, ditë më parë kanë konfirmuar për Gazetën Fjala se deri më tani në gjithë Kosovën kanë mbyllur gjashtë pika të shërbimit bankar dhe për këtë arsye do të ketë riorganizim të punëtorëve.

Sipas tyre kjo po bëhet me qëllim të digjitalizimit të shërbimeve dhe avancimit të teknologjisë për zhvillim të mëtutjeshëm të biznesit, pasi rreth 80 për qind e transaksioneve në këtë bankë thonë se bëhen përmes kanaleve elektronike të bankimit.

Njëjtë merret vesh se edhe në bankën tjetër që dominon tregun në Kosovë, Raiffeisen Bank, kanë filluar përgatitjet për diferencim të klientëve dhe orientim të shërbimeve bankare në favor të “klientëve të mëdhenj”

Krejt kjo pasi statistikat e BQK-së tregojnë se viti 2014 u karakterizua me një tendencë në rritje të përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave.

numri i llogarive

“Numri i pagesave e-banking brenda vendit u rrit për 49.5 për qind, ndërsa vlera e tyre u rrit për 58 për qind. Numri i pagesave në POS terminale është rritur për 25.5 për qind, ndërsa vlera e tyre është rritur për 24.04 për qind. Po ashtu edhe tërheqjet në ATM terminale u karakterizuan me rritje. Numri i tërheqjeve në ATM gjatë vitit 2014 është rritur për rreth 7.29 për qind , ndërsa vlera e tërheqjeve është rritur për 6.41 për qind”, thuhet në raportin e BQK-së.

Këtij trendi, po i kontribuojnë politikat e bankave duke rritur tarifat e shërbimeve përbrenda degëve dhe duke inkurajuar ato elektronike.

Megjithatë, numri i përdoruesve të shërbimeve online mbetet ende i vogël, në raport me totalin e llogarimbajtësve në Kosovë edhe pse karakterizohet me një rritje të shpejtë, raporton Gazeta Fjala.

Sipas këtij raporti, nga totali i llogarive të klientëve në bankat komerciale në vend, në fund të vitit 2014, rreth 157.7 mijë llogari kishin qasje “online” nga interneti për të kryer pagesa apo për të kontrolluar gjendjen e llogarisë, duke shënuar një rritje prej 20.1 për qind në krahasim me vitin 2013.

Me këto ndryshime në shërbime dhe reduktim të shpenzimeve Bankat Komerciale në Kosovë kanë fituar vitin që shkoi hiq më pak se 60 milion euro neto.

“Neto profiti i realizuar në vitin 2014 arriti vlerën prej 60.1 milionë eurosh, kurse neto profiti i regjistruar në vitin 2013 ishte 26 milionë euro”, është thënë në Raportin e Stabilitetit Financiar të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Sipas BQK-së rritja e profitit të sektorit bankar gjatë vitit 2014 ishte si rezultat i reduktimit të shpenzimeve, veçanërisht atyre për provizione, mbulimin e humbjeve të mundshme nga kreditë dhe shpenzimeve të interesit në depozita./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/bankat-po-mbyllen-per-miliarderet-e-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala