Bankat fitojnë pa u djersitur

Autori:Avdyl Pajaziti

Ibrahim REXHEPI

Shtatë banka komerciale në Kosovë në fund të vitit të kaluar raportuan se kanë 805 milionë euro të lira, të cilat mund t’i shesin aty ku e kanë pazarin më të mirë.  Në këto para nuk mund të llogaritin bizneset me qëllim të financimit të afarizmit, apo të zhvillimit, meqenëse bankat po synojnë  që paranë ta shesin sa më shpesh e më shtrenjtë, të mos përballen me rrezik të madh, të kenë sa më pak shpenzime dhe fitim të madh.

Kështu tregon edhe bilanci i gjendjes në fund të tremujorit të katërt të vitit të kaluar. Sipas këtyre të dhënave, edhe më shumë është rritur ndryshimi ndërmjet depozitave dhe kredive, nga 785 milionë euro sa ishin në fund të dhjetorit të vitit 2013, në 805 milionë euro në fund të dhjetorit 2014, pa marrë parasysh se rritja e kredive dhe e depozitave  ishte me normë të njëjtë- rreth tre për qind.

Bankat në emër të interesit dhe të provizioneve nga klientët vjet morën 236,9 milionë euro, kurse për të njëjta qëllime (interes në depozita) dhanë vetëm 53,6 milionë euro.

Mirëpo, karakteristikë e fundvitit  2014 ishte rënia e lehtë e  të hyrave nga interesi dhe provizionet, por që u përshkua  me rënie tepër të madhe të  pagesave të interesit për depozita, apo, si i quajnë bankat shpenzimet e interesit. Në total tetë banka ( pa Komercialna Banka dhe Is Bank, të cilat nuk e kanë bërë publike  llogarinë përfundimtare) kishin  236,9 milionë euro të hyra vetëm nga interesi,  apo 1,7 për qind më pak se një vit më parë. Në të njëjtën periudhë  klientëve në emër të interesave dhe provizioneve në depozita iu paguan vetëm  53,6 milionë euro. Sa për krahasim po përmendim se kjo shifër është 26,5 për qind më e vogël se para një viti, ndërsa  4,4 herë më e vogël se ajo që përfituan bankat duke shitur paranë e grumbulluara nga qytetarët dhe bizneset  në Kosovë.  Thënë në më troç-  bankat për një euro të hyra të realizuara, për interesin e klientëve paguan rreth 25 cent. Fitim i mirë dhe pa djersë!

Ndryshimi kaq i madh ndërmjet të hyrave dhe shpenzimeve erdhi pas uljes së normave të interesit në depozita. Në vitin 2008  norma mesatare e interesit në depozita ishte 4,4 për qind, gjashtë vjet më vonë, ajo ra për 3,8 pikë të përqindjes. Në të njëjtën periudhë norma e interesit në kredi nga 13,8 për qind ra në 9,9 për qind. Mirëpo, margjina e interesit nuk lëkundi profatibilitetin e bankave- ajo në vitin 2008 ishte 9,4 për qind, kurse vjet – 9,3 për qind. Në këtë interval kohor ka pasur raste kur ajo ishte gati 11 për qind (viti 2010).  Rënia kaq e madhe e interesit në depozita krijoj një komoditet më të madh të bankat, meqenëse ato ishin të sigurta për shpenzime e ulëta të interesit në vend, prandaj kjo mund t’ua kompensonte ndonjë luhatje në tregun e aksioneve, apo të letrave me vlerë ku kanë investuar paratë, ose të ndonjë kredie të rrezikuar që kanë në Kosovë. Bankat ishin të kujdesshme që kjo matematikë të mos çrregullohet nga shpenzimet operative, të cilat u mbajtën nën kontroll të ashpër dhe nuk u lejua rritja e tyre në krahasim me vitin 2013.

tabela 1

Por, gjërat nuk shkuan si duhet, meqenëse, totali i të hyrave nga interesi ishte më i ulët, pa marrë parasysh se kreditimi dhe depozitat u rritën me të njëjtën normë. Do të thotë se në disa raste bankat “u dogjën”, por kjo nuk u reflektua në  rezultatet përfundimtare. Madje, për këtë flet fakti se provizionet për kreditë joperformuese (para që bankat ndajnë për shkak të kredive të rrezikuara) në një shumë prej 24,2 milionë euro, ishin 46,9 për qind më të ulëta se një vit më parë.

Për befasi, rënie më të madhe të të hyrave nga interesi kishin dy bankat më të mëdha në vend “Procredi Bank” dhe “Raiffeisein Bank”. Mirëpo, ato kishin margjinë të madhe ndërmjet të hyrave dhe shpenzimeve: PCB-ja – 60 milionë euro, kurse RBKO-ja – 56 milionë euro. Rritje më të mëdha të të hyrave kishte BKT dhe TEB Bank me normë 12,8 për qind, përkatësisht 13,9 për qind , kurse bankat e tjera ishin solide- me një rritje rreth dy për qind.

tabela 0

Së fundit, të tetë bankat vitin e përfunduan mirë- asnjëra nuk kishte humbje. Fitimi i përgjithshëm i tyre ishte 60,8 milionë euro, ose  pak më shumë se dy herë më i lartë se në vitin 2013. Këtu më me nikoqirllëk afaruan PCB dhe RBKO, të cilat kanë 63 për qind të fitimit të tetë bankave, pa marrë parasysh se ishin  dy bankat e vetme që patën rënie të të hyrave nga interesi. Mirëpo, banka e parë shpenzimet operative i shkurtoj  11 për qind, kurse e dyta i mbajti në nivel të njëjtë, ndërsa të dyja ndanë shumë pak provizione për kreditë joperformuese. Do të thotë se kredimarrësit e tyre po përformojnë më mirë.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/bankat-fitojne-pa-u-djersitur/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala