Banka TEB ua mbyllë llogaritë OJQ-ve (Dokument)

Autori:Zekirja Shabani

Një Organizate Jo Qeveritare i është bllokuar llogaria me urdhër të menaxhmentit të Bankës TEB, ndërsa dhjetra organizata tjera janë njoftuar se brenda javës mund të humbin llogaritë e tyre në këtë bankë.

Gazeta Fjala ka marrë vesh se TEB-i po i rishikon dosjet e klientëve veç e veç, burimet e tyre të financimit, projektet në realizim e sipër dhe personat e lidhur me organizatën.

I tërë ky proces, po vlerësohet i kundërligjshëm dhe diskriminues si nga përfaqësuesit e organizatave ashtu edhe nga zyrtarët e Ministrisë së Administratës.

Dyshimet kryesore, të cilt kanë shtyrë bankën drejtë këtij vendimi, sipas informacioneve që posedon Gazeta Fjala, kanë të bëjnë me lidhjen e disa organizataave me burime të dyshimta të financimit dhe terrorizmit.

Megjithatë një gjë e tillë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Por, në vendimin e marrë nga Banka TEB për bllokimin e llogarive të të gjitha organizatave thuhet se arsyeja është që “…të aplikojmë kujdes të shtuar më të madhë për OJQ-të…”.

“Si dhe të vazhdojmë me ofrimin e shërbimeve më të mira për klientët e bankës në të ardhmen. Dhe si rezultat i kësaj llogaria juaj është bllokuar”, shkruan në këtë vendim, të cilin e ka pranuar edhe Fitim Sadiku, udhëheqës i Organizatës lokale “Polis”, nga komuna e Lipjanit.

Sipas shkresës Banka ka marrë këtë vendim bazuar në rregulloren e brendshme të saj, por Sadiku vlerëson se ajo veproi në mënyrë të paligjshme duke mos e paralajmëruar atë si klient që ishte, paraprakisht.

Ai thotë për Gazetën Fjala se është i pa pranueshëm ky vendim pasi që është diskriminues për OJQ-të.

“Në fakt unë e kam pas këtë informatë, nga disa zyrtarë të njohur që punojnë nëpër banka, se më herët janë bllokuar llogaritë, mirëpo zyrtarisht e kam kuptuar të premten kur edhe më erdh email”, tha Sadiku.

Bajram Kosumi drejtor i departamentit për Oranizatat Joqeveritare që vepron në kuadër të Ministrisë së Administratës nuk pajtohet me byrokraci të tilla të kujt do qofshin.

I pakënaqur me këtë veprim të kësaj banke komerciale, ai thotë se është fat i mirë që nuk operon vetëm TEB-i në Kosovë, prandaj edhe mund të hapen llogari rrjedhëse në cilën do bankë tjetër.

Kosumi nuk pajtohet asesi me dokumentet që ka kërkuar kjo bankë.

“Është plotësisht e ditur se një OJQ para të gjitha institucioneve vendore dhe atyre ndërkobëtare, pas regjitrimit e përfaqëson përfaqësuesi i autorizuar i organizatës dhe nuk ka nevoj të kërkojnë që të jenë të pranishëm tre themeluesit, madje ata pas një përiudhe të caktuar, për shkaqe më të ndryshme mund të mos jenë as pjesë e organizatës”, tha Kosumi për Gazetën Fjala.

Ndërkaq, drejtori i organizatës “Polis”, Fitim Sadiku lajmëron se do të ushtrojë ankesë ndaj bankës TEB në emër të organizatës së tij dhe përkrahjes për shumë organizata tjera.

“Unë momentalisht jam duke e shqyrtuar bazën ligjore për të parashtruar ankesë, gjithashtu unë dua të ngris zërin edhe për shumë organizata të tjera për këtë padrejtësi që po na bëhet”, tha ai.

Banka TEB ju dha afat një javë organizatave joqeveritare si kliente të saj për të kompletuar disa dokumente për të mundur të zhbllokojnë llogaritë.

TEB

Ajo ka kërkuar që OJQ-të, përveç çertifikatës së regjistrimit të OJQ-së, statutit, verifikimin e adresës dhe listës së projekteve të realizuara të dërgojnë edhe dokumentet tjera.

“Dokumente valide të identifikimit të bashkëthemeluesve dhe personave të autorizuar, dëshmi për burimin e financimit, dokumentin që dëshmon destinacionin përfundimtar si dhe tri projekte vijuese të planifikuara për t`u realizuar”, shkruan në vendimin e Bankës TEB, të nënshkruar nga drejtori menaxhues, Dukagjin Shylemaja.

Fitim Sadiku thotë se kërkesa e bankës që të sigurojnë të gjitha këto dokumente është e pamundshme shkaku i kohës së shkrurtër për kompletimin e tyre.

“Banka do të duhej të na jepte kohë më shumë e jo të na bllokoj fillimisht llogarinë e pastaj të na lajmëroj. Bile unë edhe nëse mundem të kompletoj dokumentet nuk do t`i dërgoj pasiqë është afati tepër i shkurtër”, tha Sadiku.

Por, edhe nëse Sadiku e përfaqësuesit e tjerë të organizatave i dorëzojnë të gjitha dokumentet e kërkuara, përsëri, banka rezervon të drejtën të vazhdoj ose jo t`i mbajë si kloent ata ose jo.

Nga Banka TEB, Gazeta Fjala ende nuk ka marrë përgjigje  në pyetjet rreth këtij vendimi.

Përgjigje ende nuk ka dhënë as Banka Qendrore e Kosovës se a lejohet një bankë komerciale të  marrë një vendim të tillë dhe cila është ligjshmëria e tij./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/banka-teb-ua-mbylle-llogarite-ojq-ve-dokument/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala