AXOS po i kërkon kot 50 milionë euro për PTK-në

Autori:Gazeta Fjala

Beteja ligjore mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë Axos duket të jetë vetëm lojë. Të dy palët ishin dakorduar para dy vitesh, që në rast dështimi të tenderit për PTK-në, nuk do të ketë ndëshkime për asnjërën palë.

Gazeta Fjala, ka gjetur se për këtë ekzistojnë dokumente të nënshkruara mes ish ministrit Besim Beqaj dhe përfaqësuesve të kompanisë Axos.

Këtë e ka konfirmuar edhe Beqaj, i cili thotë se padia e Axos, ku kërkon 50 milion euro dëmshpërblim nuk është e vlefshme.

Për këtë janë në dijeni edhe në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

Megjithatë, javën e kaluar kanë filluar përgatitjet për tu përballur në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjedhjen e Kontesteve Investive për shkak se u ndërpre procesi i privatizimit të Postës së Kosovës.

Përfaqësuese ligjore e Qeverisë së Kosovës në këtë rast është zgjedhur kompania amerikane “Patton Bogs”, e cila do të paguhet në vlerë prej 17 mijë e 700 dollarë nga buxheti i shtetit.

Axos kishte nënshkruar dështimin

Por pavarësisht nisjes së këtij kontesti, ACP Axos Capital ka qenë e njoftuar që nga fillimi se qeveria e Kosovës mund ta ndërpres kontratën në çdo kohë dhe se për këtë shteti nuk ka asnjë përgjegjësi ndaj saj.

Ish-ministri i zhvillimit ekonomik Besim Beqaj ka thënë për Gazetën Fjala se kontesti mes Kosovës dhe Axos mund të përfundoj shumë lehtë, pasi sipas tij ky investues ka qenë njoftuar me kushtet e vëna në dosjen e tenderit nga qeveria e vendit.

Ai thotë se Axos përveç që ka qenë e njoftuar,  ajo edhe e ka nënshkruara kontratën pa e kontestuar këtë nen.

“Pra qeveria ka mundur ta ndërpres kontratën në çdo kohë pa paralajmërim dhe se për këtë nuk ka asnjë detyrim financiar ndaj saj”, tha Beqaj.

Njëjtë pati deklaruar edhe ish-Ministri Fadil Ismajli në janar të vitit 2014. Ai pati bërë të ditur se asnjë kompensim nuk do t’i shkojë kompanisë Axos, pasi sipas tij qeverinë e Kosovës e mbrojnë dokumentet e transaksionit dhe nuk ndihet e kërcënuar për kompensimin që Axos po e kërkon.

“Qeveria i ka të gjitha instrumentet dhe është e mbrojtur me dokumentet e transaksionit ku ka pas të drejtën me nenin 1.1 të këtyre dokumenteve me anulu në çdo moment këtë proces”, tha Ismajli.

Agron Demi nga Intituti GAP tha se zakonisht bizneset e mëdha nëpër botë mundohen të përfitojnë nga Gjykata e Arbitrazhit në dëm të shteteve.

Por sipas tij, problematike është vetë akuza , që e vë shtetin në defensive dhe krijon shpenzime të  panevojshme. Demi thotë se në tërë këtë proces, shteti i Kosovës nuk është edhe papërgjegjësi.

“Kjo ngase që nga shpallja e tenderit për shitjen e PTK e deri tek anulimi i tij nuk ka pasur kritere të qarta se çfarë po kërkohet nga investitorët dhe se kush do të zgjidhej. Kjo ka bërë që disa nga kompanitë e interesuara për blerjen e PTK të shpenzojnë kohë dhe para për përgatitjen e ofertës”,tha Demi.

Padia dëmtim i imazhit të Kosovës

Nga ana tjetër kjo padi e AXOS ndaj shteti shihet si dëmtim i imazhit të vendit, pavarësisht vendimit përfundimtare sipas njohësve të ekonomisë.

Sipas tyre kjo e dëshmon edhe mungesën e fuqisë politike për të zhvilluar proceset dhe për të pasur sjellje serioze ndaj partnerëve të jashtëm.

Ibrahim Rexhepi  drejtor Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS tha se pa marrë parasysh epilogun e këtij kontesti, vet hapja e tij është goditje e rëndë për vendin.

“Nëse gjithçka kalon në të mirë të Kosovës, përkatësisht nëse nuk kalon ankesa e AXOS, atëherë kjo e relakson situatën, por megjithatë, mbetet një njollë e rëndë për shkak se qeveria ka dëshmuar paaftësi për udhëheqjen e proceseve të mëdha, si ishte privatizimi i PTK-së”, tha Rexhepi.

Sipas Rexhepit në këtë situatë, ndonëse bëhet fjalë për 50 milionë euro, megjithatë humbjet financiare janë më të vogla, se sa mesazhet e këqija që marrin investitorët.

Agron Demi tha për Gazetën Fjala se më shume se sa akuza dhe humbja eventuale e rastit, dëme Kosovës i sjell papërgjegjësia institucionale.

Pasi sipas tij në tërë këto eksperimentime me shitjen e PTK-së që nga 2010 e këndej nuk ka dhënë askush përgjegjësi politike.

“Janë shpenzuar me miliona euro në keshilltar te transakcionet dhe është humbur vlera e PTK-së, kurse ish ministrat e ekonomise, sidomos Ahmet Shala, Besim Beqaj e Fadil Ismaili, nuk kanë dhënë asnjë përgjegjësi ligjore dhe politike në këtë rast. Paaftësinë e tyre tash duhet me e pagu qytetaret me taksat e tyre”, tha Demi.

Historiku i privatizimit të Postës deri të padia e Axos

Procesi i privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës, pati filluar në vitin 2010. Pas një procesi të gjatë në prill të vitit 2013 “Axos” ishte shpallur fitues pasi kishte ofruar 277 milionë euro për blerjen e 75 për qind të aksioneve në “Vala” e Telekom.

Kishte mbetur vetëm nënshkrimi i kontratës, i paraparë për 28 dhjetorin e 2013.

Privatizimi i PTK-së nuk ndodhi për shkak se procesi nuk mori bekimin e Kuvendit të Kosovës ku opozita kundërshtonte ashpër këtë proces dhe kishte bojkotuar disa herë seancat në kuvend, kur kërkohej që të votohej raporti i qeverisë për shitjen e PTK-së.

Partitë opozitare kërcënuan se nuk do ta votojnë edhe buxhetin e vendit për vitin 2014, pas tentimit të qeverisë që me një amendament në këtë ligj të fusë edhe çështjen e privatizimit të PTK-së.

Kur ishte marrë vendimi për ndërprerjen e privatizimit, AXOS menjëherë kishte paralajmëruar padinë.

“Vendimi përfundimtar nga Qeveria qe i papritur dhe i pa arsyeshëm për të ndërprerë procesin e privatizimit. Ky veprim është krejtësisht i papranueshëm nga të gjitha standardet dhe ka pasoja të rëndësishme ligjore, komerciale, ekonomike dhe pasoja financiare” , thuhet në ACP Axos Capital, në deklaratën e tyre.

Ne do të konsiderojmë që të ndërmarrim të gjitha aksionet e nevojshme duke përfshirë të gjitha procedimet ligjore, në përputhje me ligjet ndërkombëtarisht të aplikueshme për mbrojtjen e interesit dhe të drejtave tona”, thuhej në deklaratën e lëshuar.

Qeveria e Kosovës nuk i mori seriozisht deklaratat e saj. Ministri i Zhvillimit Ekonomik në atëkohë Fadil Ismajli bëri të ditur se asnjë kompensim nuk do t’i shkojë kompanisë Axos e cila u shpall fituese.

Por Kompania ACP Axos Capital GmbH  e vuri në jetë padinë ndaj Kosovës me 4 qershor 2015 në Gjykatën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve Investive (ICSID).

Qeveria e Kosovës tek me 2 shtator të vitit 2015 bëri ndarjen e një shumë prej 200 mijë eurosh për mbrojtje në Arbitrazh.

U vendos që kompania “Patton Boggs” të jetë përfaqësuesja e saj ligjore për të zgjidhjen e këtij kontesti. Kjo kompani për përfaqësim ligjor të Kosovës në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjedhjen e Kontesteve Investive ne rastin me “Axos” ka kërkuar të paguhet në vlerë prej 17 mijë e 700 dollarë. / Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/axos-po-i-kerkon-kot-50-milione-euro-per-ptk-ne/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala