Aviokompanitë mashtruese i pret burgu  (Dokument)

Autori:Zekirja Shabani

Pasagjerët e kompanive tashmë të falimentuara Belle Air Europe e Darwin Airline AS, që kishin mbetur aeroporteve gati dy vite më parë do të takohen edhe njëherë me udhëheqësit e këtyre dy kompanive.

Jo më në aeroplanët e tyre, por në bankat e gjykatës.

Maurizio Merlo – Drejtor Ekzekutiv i Darwin Airline AS, Klemen Kete – Menaxher për kualitet i Darwin Airline AS dhe Ilir Xhelo – Menaxher Përgjegjës në Belle Air Europe akuzohen nga Ministria e Infrastrukturës, departamenti i Aviacionit Civil se kanë kryer vepër penale duke mashtruar pasagjerët dhe fshehje të provave.

Që të gjithë këta, sipa një kallëzimi penal të Ministrisë së Infrastrukturrës, kishin planifikuar të fitonin në kurriz të pasagjerëv duke shitur bileta më shumë se që kishte ulëse aeroplani.

“Ekziston dyshimi i bazuar që personat e siperpërmendur kane kryer vepër penale nga Neni 99.4 i Ligjit për Nr.03/L-051 për Aviacionin Civil më saktësisht veprën penale “Refuzim për dhënien e dëshmisë ose dhënien e provave”, edhe përkundër faktit se një gjë e tillë është kërkuar me shkrim nga ana e Departamentit të aviacionit Civil, Ministria e Infrastrukturës”, thuhet në kallëzimin penal të ngritur nga MI kundër drejtuesve të këtyre kompanive, të cilin e posedon Gazeta Fjala.

Në këtë kallëzim penal thuhet se ata duke shfrytëzuar mos dijeninë e konsumatorëve të tyre (pasagjerëve) me qëllim të përfitimit pasuror për vete apo kompaninë kanë bërë shitjen e biletave në numër më të madhë se numri i ulëseve të rezervuara për passagjer. Kështu, pasagjerët e kësaj kompanie kanë mbetur pa udhëtuar si rezultat i mungesës së vendeve të mjaftueshme në avion.

“Të njëjtit dyshohet se kanë bërë fshehjen e këtij fakti nga pasagjerët në momentin e shitjes së këtyre biletave të udhëtimit”.

Kjo llogaritet vepër penale nga Neni 335 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës më saktësisht vepër penale e mashtrimit.

Ndaj tyre rëndon edhe akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare pasi përfaqësuesit e kompanisë Darwin
Airline AS në Kosovë, me rastin e tejkalimit të numrit të paraparë të biletave për shitje i kanë shkaktuar dëme materiale dhe shpirtërore pasagjerëve të tyre.

Për këtë Ministria e Infrastrukturës përmes perfaqesuesit të saj, i ka propozuaar Prokurorisë Themelore të Prishtinës që pas admmistrimit të fakteve dhe provave të zhvilloj hetime kundër të pandehurve të përmendur në këtë kallëzim penal apo personave që mund të jenë përgjegjës direkt apo indirekt, dhe nëse konstatohet se të njejtit kanë kryer veprat penale të përmendura të ndërmarr masa peocedurale të nevojshme të ndjekjes ligjore deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti.

Arsyetim për këtë thuhet se është rasti kur në muajin gusht të vitit 2013 pasagjerët e Kompanisë Darëin Airline AS dhe Belle Air Europe, nuk kanë pas mundësi të udhëtojnë në destinacionin e përcaktuar në biletat e tyre.

“Me daten 12 Gusht 2013, Departamenti i Aviacionit Civil ka kërkuar shpjegime për këto probleme nga Ilir Xhelo-Menaxher PergjegjËs i Belle Air dhe njëherit ka kërkuar listën e udhëtarëve të prekur nga keto parregullsi për të siguruar që atyre u është dhënë trajtim i duhur si parashihet me Rregulloren Nr. 2008/5 Mbi Krijimin e Rregullave të Pergjithshme për Kompensimin dhe Asistimin e Udhëtarëve në Rast të Ndalimit të Hypjes dhe të Anulimit apo Vonesave të Gjata të Fluturimeve”.

Të njëjtën kërkesë e kishte përsëritur ky departament më datën 10 Shtator 2013 tek Klemen Kete
– Menaxher i Kualitetit në Kompaninë Darëin Airline AS. Ai ishte përgjigjur se informacionet e kërkuara janë duke i pritur nga Belle Air Europe dhe sapo ti kenë gati do t’ua përcillnin.

Megjithatë, më 17 Shtator 2013 Departamenti i Aviacionit Civil ka pranuar  edhe një përgjigje nga Klemen Kete i cili thekson se pas një hetimi të bërë nga aana e tyre nuk janë gjetur ndonjë shkelje ndaj ndonjë pasagjeri mirëpo nuk e ka bashkëngjitur listën e udhëtarëve sic ishte kërkuar.

Në kallëzim penal përshkruhet rasti se nga fillimi i muajit Gusht 2013 kompania e fluturimeve Belle Air Europe ka pasur probleme me  pasagjer për shkak të shitjes së tepërt të biletave në raport me vendet e dedikuara për pasagjer.

Me datën 10.08.2013 në fluturimet për Zvicër kanë mbetur mbi 127 pasagjer pa udhëtuar por që të njejtit me datën 11.08.2013 përmes një aeroplani enkas për këta pasagjer kanë udhëtuar për në Zvicer në ora 04:00 e mëngjesit.

Po ashtu me daten  12.08.2013 kanë qenë rreth 68 pasagjer të cilët kanë mbetur pa vende në destiancionin  Prishtinë-Dyseldorf dhe Prishtinë-Hanover të cilët udhetar ju është siguruar udhetimi ditën e nesërme me një aeroplan tjetër.
Gazeta Fjala është në pritje të përgjigjeve nga Prokuroria lidhur me masat që janë maarrë për këtë rast.

themelore

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/aviokompanite-mashtruese-i-pret-burgu-dokument/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala