Mos rregullimi i ndriçimit në autostradë, merr jetë njerëzish

Në autostradën që llogaritet si investimi më i madh i bërë deri me tani, e që lidh Kosovën me Shqipërinë, ende po vdesin njerëz.
Edhe pse kanë kaluar më se dy vjet nga kur janë vjedhur kabllot e dritave në një pjesë të autostradës “Ibrahim Rugova” problemi nuk është zgjidhur. Terri në këtë rrugë duket se do të vazhdojë të jetë prezent edhe për një kohë të gjatë.
Në Ministrinë e Infrastrukturës, që është kompetente për mirëmbajtjen e “Rrugës së Kombit” nuk kanë ndonjë zgjidhje konkrete, raporton Gazeta Fjala.
Ndërkaq si shkak i mungesës së ndriçimit, janë rritur rastet e aksidenteve në këtë pjesë, të cilët në disa rate kanë përfunduar edhe më humbje të jetës së njerëzve.
Sipas Policisë së Kosovë në këtë rrugë, brenda këtij viti kanë ndodhur 174 aksidente, nga të cilat një person ka mbetur i vdekur dhe 140 të tjerë janë lënduar. Me dëme materiale kanë qenë 114 aksidente, ndërkaq në katër raste ka pasur ikje nga vendi i ngjarjes.
Ministri Lutfi Zharku, ka thënë për Gazetën Fjala, se janë në shqyrtim të ndonjë alternative afatgjate, pasi në projektin e rrugës, dritat parashihen të jenë të vendosura.
“Jemi duke menduar për ndonjë zgjidhje afatgjate, sepse nuk ka kuptim që sa herë t’i vendosim, ato të vjedhin” ka potencuar Zharku.
Ministria e Infrastrukturës, sipas Zharku po synon që problemin ta mënjanoj me anë të përdorimit të teknikës së fundit të energjisë. Siç ka thënë ministri më këtë po synohet që të kursehet rryma dhe të përdoret energjia solare.
“Jemi duke e shqyrtuar mundësinë e vendosjes së dritave me energji solare, sepse është forma e vetme për t’i siguruar për më gjatë” ka thënë Zharku.
E, për vjedhjet që kanë ndodhur deri tani janë arrestuar disa persona, shtetas të Kosovës dhe Shqipërisë. Këta persona dyshohet se kanë qenë të veshur me rroba të kompanisë punëkryese, gjë që ngritë dyshime se mund të jenë vetë punëtorët e kompanisë punëkryese ata që e kanë kryer vjedhjen e pajisjeve ndriçuese në autostradën “Ibrahim Rugova”.
Këtë dyshim e ngritë edhe vetë ministri Zharku, i cili , thotë se dyshon edhe në kompaninë punëkryese.
“Më duket se ata vetë po i vjedhin, për me na u deshtë me i ngjitë prapë” ka thënë Lutfi Zharku, ministër në Qeverinë Mustafa.
Gazeta Fjala ka kërkuar një përgjigje për këtë çështje edhe nga kompania “Bechtel Enka” që ka qenë punëkryesja e vetme në këtë projekt. Por, zyrtar të saj nuk kanë pranuar të thonë asnjë fjalë. E heshtur ka qëndruar edhe zëdhënësja e “Bechtel Enka”, Ela Rucin, ajo as nuk i është përgjigjur telefonatave e as mesazheve.
Autostrada që i kushtoj buxhetit të Kosovës rreth 1 miliard euro, ka mbetur pa drita nga maji i vitit 2013, dhe që atëherë në këtë pjesë nuk është intervenuar për të sanuar dëmin./Gazeta Fjala/.
Aksidentet në autostradën “Dr.IbrahimRugova” | Janar – Korrik 2015 |
Aksidente fatale | 1 |
Persona të vdekur | 1 |
Aksidente me lëndime | 55 |
Persona të lënduar | 140 |
Aksidente me dëme | 114 |
Largim nga vendngjarja | 4 |