Askush nuk ua prishë tymin duhanpirësve

Autori:Gazeta Fjala

Profesori i Fakultetit Juridik, Shaban Qerreti do të duhet t’i paguaj shtetit gjobën prej 50 eurove siç parashihet me ligjin kundër duhanit. Ditë më parë ai kishte ndezur cigaren në sallën në të cilën po i mbikëqyrte studentët, në kohën kur ata po i nënshtroheshin një provimi. Studentët, atë e kishin xhiruar dhe videon e kishin plasuar në rrjetet sociale.

Raste si të profesorit ku duhani pihet në ambiente të mbyllura ka mjaftë në të gjithë Kosovën. Ndonëse ka më shumë se dy vite që kur ka hyrë në fuqi ligji kundër duhanit.

Kafiteritë, e disa nga institucionet publike janë kryesisht vendet ku më së paku respektohet ky ligj.

E komunat kampione sa i përket pirjes së duhanit kundërligjshëm janë Ferizaji dhe Gjilani.

Ndërkaq, gjobat e shqiptuara del të jenë simbolike në raport me shkeljet.

Gjatë vitit 2015 në të gjithë vendin janë shqiptuar më shumë se 400 gjoba nga inspektorati sanitar. Prej tyre rreth 71 gjoba janë shqiptuar me vlerë prej 50 deri në 3,000 euro.

Janë më shumë se 11 dënime të cilat janë dhënë nga inspektorati shëndetësor i cili ka kryer rreth 570 inspektime në institucione shëndetësore.

Zëdhënësi në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti ka thënë për Gazetën Fjala se Ligji për Kontrollin e Duhanit, me vështirësi po zbatohet në Kosovë.

“Me gjithë shkeljet, ligji ka sjellë efekte pozitive, sepse ka krijuar hapësira të lira nga duhan pirja, ka krijuar mjedise edhe në gastronomi ku familjarët mund të drekojnë me fëmijët e tyre pa ju ekspozuar tymit të duhanit”, thotë Hoti.

Sipas tij me hyrjen në fuqi të këtij ligji ka filluar vetëdijesimi i qytetarëve por edhe i institucioneve lidhur me këtë ligj.

Ndërkaq sipas Qendrës për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë (KADC), institucion ky që bën monitorimin e Ligjit për kontrollin e duhanit janë më shumë se 319 lëngë për duhanpirësit në të gjithë Gjykatat e Kosovës. Prej tyre për 126 lëndë tashmë është shqiptuar masa e vendimit dhe 193 të tjera janë në procedurë.

“Inspektorati në orët e mbrëmjes, me ekipe të kombinuara të inspektorëve dhe me mbështetjen e Policisë së Kosovë gjatë asaj periudhe kishte monitoruar zbatimin e ligjit kryesisht në kafeteri, bare e klube nate në komunën e Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Ferizajt, Rahovecit, Mamushës dhe Suharekës”, kanë thënë  për Gazetën Fjala zyrtarë të KADC

Sipas kësaj organizate komuna e cila prin nga shkeljet e ligjit pёr duhan është komuna e Ferizajt me 71për qind, e përcjellë nga komuna e Gjilanit me një përqindje prej 55 për qind.

Ndërkaq sipas i KADC-së Gjykata e cila ka më së shumti lënë në shqytrim për shkeljen e ligjit të duhanit është në bazë të të dhënave nga Gjykatat Themelore dhe Divizionet e tyre përkatëse në Kosovë, ka rezultuar se Gjykatat me numër më të madh të lëndëve për duhanin janë  gjykata në Lipjan me 85 lëndë, Gjykata Themelore e Prizrenit me 68 lëndë dhe Gjykata Themelore e Prishtinës me 55 lëndë.

Gjykatat e Kosovës  për rreth dy vite kanë përfunduar 126 lëndë për shkelësit e ligjit kundër duhanit.

Sanksionet e shqiptuara nga gjykatat e Kosovës janë të llojeve të ndryshme 4 qortime, 36 gjoba në vlerë prej 50 euro, 4 gjoba në vlerë prej 100 euro, 3 gjoba në vlerë prej 150 euro, 12 gjoba në vlerë prej 200 euro, 13 gjoba në vlerë prej 250 euro, 14 gjoba në vlerë prej 300 euro, 30 gjoba në vlerë prej 500 euro, 1 gjobë në vlerë prej 750 euro, 1 gjobë në vlerë prej 1,000 euro, 2 gjoba në vlerë prej 1500 euro, 2 gjoba në vlerë prej 3000 euro.

Ndërkaq problemet e identifikuara që ulin efikasitetin e zbatimit të Ligjit për kontrollin e duhanit janë, mos përcjellja e lëndëve të dorëzuara në gjykatë nga inspektorati, kërkesat për hapjen e procedurës për kundërvajtje me prova të mangëta apo të pamjaftueshme, si dhe vështirësitë në sigurimin e prezencës fizike të të pandehurit në seancën gjyqësore./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/askush-nuk-ua-prishe-tymin-duhanpiresve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala