Ashensorët e rrezikshëm

Autori:Avdyl Pajaziti

Për muaj të tërë një trup i pa jetë kishte mbetur në ashensorë në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

Banorët i janë ofruar derës së ashensorit vetëm atëherë kur kutërbimi është bërë i padurueshëm. Deri athëherë ajo ishte dera e rrezikshme, të cilës i shmangeshin të gjithë.

Shkak i pasigurisë ata përdornin shkallët për tu ngjitur deri në katet më të larta të ndërtesës.

Gati vdekjen nga ashensori në muajin prill të këtij viti kishin gjetur edhe tre punëtorë të Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë. Ndërsa askush nuk garanton se në Kosovë këto pajisje i përmbushin standardet e sigurisë.

Madje vetë Ministria e Tregtisë, tregon se nuk ka as edhe një kompani të licencuar e cila do të merret me këtë qështje.

Lulzim Krasniqi, shef i kabinetit të ministres së Tregtisë Hykmete Bajrami, ka thënë për Gazetën Fjala se  deri tani nuk ka bazë ligjore në lidhje me sistemin e certifikimit të ashensorëve dhe komponentëve të tyre të sigurisë.

“Aktualisht nuk është ndonjë kompani e certifikuar për fushën e lartcekur…. Fusha e vlerësimit të konformitetit të ashensorëve dhe komponentëve të tyre të sigurisë rregullohet në baze te të Ligjit Nr. 04/L-039 Për Kërkesat Teknike për Produkte dhe Vlerësim të Konformitetit, Udhëzimit Administrativ Nr. 04/2016 për Mënyrën e Autorizimit të Trupave për Vlerësim të Konformitetit dhe Rregullorja 09/2012 për ashensorët dhe komponentët e tyre të sigurisë”, ka shpjeguar Krasniqi.

Por, sipas tij, as ftesës publike të MTI-së  për krijimin e trupës inspektuese që të bëjë vlerësimin e sigurisë së ashensorëve nuk i është përgjigjur askush deri më tani.

Ndërkaq, në Kosovë sdo javë, të paktën vlerësohet se një ashensor vihet në punë, në objektet e reja të banimit kolektiv.

E shumica nga kompanitë që bëjnë instalimin e mirëmbajtjen e ashensorëve në Kosovë, janë të shteteve të tjera.

Të shumta janë rastet kur qytetarët mbesin brenda ashensorëve në mungesë të rrymës apo të prishjeve që ata pësojnë.

Banorët tregojnë se me vetë iniciativë angazhojnë persona privat, që nuk janë të fushës përkatëse për mirëmbajtjen e ashensorëve.

Besa Preniqi, banore e lagjes ‘Dardania’, në Prishtinë tregon se për çdo muaj paguan nga 3 euro për mirëmbajtjen e ashensorit, siguria e së cilit nuk është në nivelin e duhur.

“Këto para ia japim një elektricisti më duket. Lifti shpesh ndalet dhe ka disa luhatje që të frikësojnë”, tregon ajo duke bërë të ditur se rrallë-herë kontrollohen këto pajisje lidhur me sigurinë e tyre.

Përveq kësaj në Prishtinë ka disa komplekse banesorë të cilave ashensori nuk u punon tash e disa vite. Shpesh hapësirat e tij shfrytëzohen nga banorët si depo.

Ndërkohë që vetëm në komunën e Prishtinës sipas raportimeve deri më tani janë identifikuar gjithsej 46 mijë ndërtime pa leje, ku prej këtij numri vetëm për 6 mijë e 780 objekte është kërkuar legalizimi, ndërsa janë legalizuar vetëm 65.

Në mënyrë që ndërtesat në komunën e Prishtinës të jenë të legalizuara, siç kërkohet edhe me ligj, komuna kishte filluar procesin e legalizimit në vitin 2010, që pas një pauze vazhdoi në vitin e kaluar./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/ashensoret-e-rrezikshem/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala