As drunjtë më nuk janë lirë

Autori:Avdyl Pajaziti

 

“Dimri do dru”, thotë populli. Ndërkaq, drutë janë gjithnjë e më shtrenjtë. Kur temperaturat ulen, çmimi i tyre ngrihet, por shtohet edhe vëllimi i prerjeve ilegale të pyjeve.  Kurse, kjo lëndë djegëse mbetet alternativa më e preferuar për ngrohje për shumë banorë të Kosovës, madje jo vetëm në zonat rurale.

Ngrohja me energji elektrike tashmë është e shtrenjtë, ndërsa KESCO nuk toleron për borxhet. Ngrohjen qendrore si privilegj e kanë banorët e vetëm tri qyteteve në vend- Prishtinë, Gjakovë e Mitrovicë, por janë vetëm prishtinasit që mund të thotë se ngrohtorja iu garanton njëfarë mbrojtje nga të ftohtët.

Ne Gjakovë ka probleme me paranë dhe financimin, kurse ajo në Mitrovicë gjendet në pjesën veriore të qytetit , prej të cilës nuk kanë ndonjë dobi banorët në jug.

Druri mbetet zgjidhja.

Mirëpo, kjo lëndë djegëse po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë.

Në treg  ato shiten nga 40 e deri në 65 euro për metër kub. Intervenimi i inxhinierëve pyjor  dhe përgjegjësve për mbrojtjen e pyjeve ka rezultuar edhe me sulme fizike, komunat nuk kane ndonjë kompetencë për mbikëqyrjen e këtij sektori, ndërsa policia e gjykatat janë treguar me neglizhencë ndaj  keqbërësve – shkatërruesve të pyjeve.

Prerja ilegale ne rënie

Albulena Maloku, nga Zyra për informim e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kuadër të së cilës bënë pjesë edhe Agjencia Pyjore e Kosovës, ka thënë për Gazetën Fjala,se dukuria e aktiviteteve ilegale në pyje është në rënie e sipër. Ndërkaq, sipas saj, mungon angazhimi serioz nga komunat përkatëse për mbrojtjen e pyjeve.

“Mund të themi se numri i personave që merren me aktivitete ilegale në pyje është në rënie e sipër, por ne mendojmë se mungon angazhimi serioz për mbrojtjen e pyjeve sidomos nga nivelet komunale, ku disa prej tyre aspak nuk i kushtojnë rendësi kësaj çështje”, është shprehur ajo.

Gjithashtu, ajo e shqetësuar ka thënë se gjykatat nuk i kanë marrë me prioritet fletëparaqitjet ndaj personave civil të cilët i kanë sulmuar inxhinierët pyjor.  Sipas Malokut, pas dy ditësh e kanë liruar nga paraburgimi sulmuesin dhe ky ende, siq thotë ajo  paraqet problem serioz për punëtorët e atij terreni.

“Problem mjaft shqetësues është edhe puna e gjykatave, ku lëndët për veprat për prerje ilegale të pyjeve nuk trajtohet aspak me prioritet. Të mos harrojmë edhe rastin e fundit ku dy inxhinier të pylltarisë të regjionit të Mitrovicës janë sulmuar fizikisht nga disa dëmtues të pyjeve, njëkohësisht është thyer edhe makina zyrtare, dhe pasi është arrestuar kryesi i veprës, pas dy dite është liruar dhe i njëjti paraqet kërcenim serioz për punëtoret e atij terreni. Me keqardhje mund të themi se ky nuk është rasti i vetëm ku sulmohen punëtoret e sektorit pyjor”, ka thënë Maloku.

Tregtarët të cilët shesin dru për djegie, tregojnë se çmimi i metrit për kub dru fillon nga 40 euro, e duke u shtrenjtuar sipas llojit.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, sasia totale e lejuar për prerje në Kosovë është 1.446.000 metra kub të të gjitha llojeve- teknik dhe për ngrohje. Ndërkaq, brenda vitit prehen afër një milion metra kub dru, prej të cilave 619 mijë janë nga pronësia publike, ndërsa pjesa tjetër për ato private.

Importohen afro 10 mijë metra kub

Por, nuk mjafton vetëm druri me  prejardhje nga vendi. Kosova me dru furnizohet edhe nga vendet fqinje. Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, në periudhën nga janari i vitit 2014 e deri ën fund të  gushtit të vitit 2015, janë importuar 9,521.08 metra kub. Sasia më e madhe importohet nga Mali i Zi, ndërsa nga Bosnaj e Hercegovina janë importuar 59,6 metra kub që kanë vlerën importuese 5.643 euro.

Në përgjithësi, gjatë kësaj periudhe vlera e importit të drunjtëve ishte 714,199.18 euro.

Mirëpo, duhet pasur parasysh se një sasi e konsiderueshme e drunjëve në Kosovë në mënyrë ilegale hyjnë nga Serbia

Për sa i përket cilësisë, kryesisht importon trupa dhe trungje bredhi të klasit të III dhe të IV. Do të thotë se ka shumë pak import të drunjëve për djegie, posa kontrabandës që bëhet nga fqinji verior.

Sipas të dhënave të dala nga Inventarizimi Nacional i pyjeve, Kosova i ka 481 mijë hektarë pyje, të cilat mbulojnë 44.7% të territorit të saj. Rreth 62% e sipërfaqeve pyjore i përkasin sektorit publik, ndërsa 38% janë pronë private.

Në periudhën e fundit dhjetë vjeçare, sipërfaqet pyjore të Kosovës janë rritur për 20.200 hektarë ose rreth 5 për qind.

Sipas një llogaritjeje të përafërt, volumi i përgjithshëm i masës drusore të pyjeve të Kosovës është rreth  46.331 milionë metra kub, ndërsa rritja vjetore e masës drusore është 3.3 metra kub për hektar ose rreth 1.55 milion metra kub për gjithë sipërfaqet pyjore të Kosovës./Gazeta Fjala/.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/as-drunjte-me-nuk-jane-lire/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala