Alarmon FMN: Buxheti për 2017 në rrezik

Autori:Gazeta Fjala

 

Numri prej 46 mijë veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka futur në telashe Qeverinë e Kosovës për gjetjen e fondeve të mjaftueshme për tu dhënë pensione kategorive të dala nga lufta.

Madje numri kaq i madh i ish-ushtarëve të UCK është duke e vënë në rrezik edhe buxhetin e shtetit  për vitin 2017.

Alarmin për këtë rrezik është duke e dhënë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Në një prononcim për Gazetën Fjala,  shefi i FMN-së për Kosovën, Ruud thotë se për momentin pensionet e veteranëve janë të mjaftueshme por nëse nuk reformohen skemat  e lidhura me luftën buxheti për vitin 2017 mund të jetë në rrezik.

“…vitin e ardhshëm do të jetë vërtetë e vështirë për të mbajtur deficitin brenda kufijve të rregullës fiskale në qoftë se nuk bëhet asgjë”, ka bërë të ditur shefi i FMN-së, për Gazetën Fjala.

Sipas tij ka ende kohë për të gjetur një zgjidhje.

“… ka kohë tani e deri në fillimin e përgatitjeve të buxhetit për vitin 2017 të gjejmë një zgjidhje, përndryshe vitin e ardhshëm do të jetë e vështirë për të menaxhuar”, ka thënë  Ruud Vermeulen, nga FMN.

Sipas Vermeulen shpenzimet vjetore për të gjitha skemat e lidhura me luftën (që janë, pensionet e veteranëve të luftës, pensionet e invaliditetit të luftës, pensionet e të mbijetuarve të luftës, etj.) duhet të jenë në nivelin 60-75 milionë euro e  jo më shumë.

Zgjidhja në dorë të drejtuesve të shtetit

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur gjatë javës së kaluar vendosi që  të ndajë edhe 7 milionë euro shtesë për t’i mbuluar këto pensione, shkruan Gazeta Fjala.

Mirëpo FMN thotë se për t’i gjetur zgjidhje kësaj çështje duhet mbështetja e të gjitha partive politike në vend si dhe e Qeverisë.

“Por një gjë është e qartë: Që çdo zgjidhje të jetë e besueshme, ajo duhet të gëzojë mbështetjen e të gjithë partive politike, dhe ajo duhet të gëzojnë mbështetjen e të dyjave qeverisë dhe parlamentit”, ka thënë Ruud Vermeulen.

Fondi Monetar Ndërkombëtarë thotë se si zgjidhje eventuale mund të jetë ajo që veteranëve të rinj tu paguhen pensione më ulta.

Por sipas FMN-së  kjo gjë është në dorë të te gjithë lojtarëve kryesorë, deputetëve dhe Qeverisë që të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të bien dakord për rrugën përpara.

“Roli ynë si FMN-ja është që të ofrojë këshilla teknike dhe mbështetje për reformat me qëllim për të ruajtur financat publike të shëndosha; kjo nuk është për të imponuar zgjidhje, as të sajoj një konsensus politik artificiale që mund të gjëndërohet vetëm organikisht”, ka thënë më tej FMN.

Ministria e Financave: Pensione ka veç deri në muajin tetor

E ndërkohë drojën e njëjtë si të FMN-së e ka edhe Ministria e Financave.

Zëvendësministri i kësaj ministrie, Agim Krasniqi ka thënë se problemi me numrin e madh të veteranëve është duke vazhduar  dhe se zgjidhje për këtë kategori ministria ka bërë veç deri në muajin tetor.

Ndërkohë që edhe vet ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti në një intervistë për Gazetën Fjala tha se është në hall se si ti siguroi afro 100 milionë euro në vit për ti paguar “pensionet” e ish luftëtarëve.

Përveç kësaj Hoti druan se do të vihen në rrezik edhe mbi 400 milionë euro para të planifikuara për financim të projekteve kapitale nga institucionet financiare ndërkombëtare.

“Ne jemi në një fazë ku e rrezikojmë marrëveshjen drejtë për së drejti me FMN-në. Nuk e di ende se çfarë zgjidhje duhet gjetur tani për ta tejkaluar këtë çështje. Të dhënat e fundit tregojnë numrin prej 46 mijë e 230 veteranëve. Kjo i tejkalon të gjitha parashikimet tona, është katërfish më shumë se sa i kemi parashikuar”, ka thënë Hoti për Gazetën Fjala.

Ndërkohë që në llogaritjet fillestare Ministria e Financave ka qenë e përgatitur për 12 deri 13 mijë persona të kësaj kategorie  që mund ti paguaj deri në 25 milionë euro.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/alarmon-fmn-buxheti-per-2017-ne-rrezik/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala