Alarmante: Punëtorët e Ministrisë së Diasporës në rrezik jete (Foto/Dokument)

Autori:Avdyl Pajaziti

Kurrë nuk e shohin dritën e diellit. Zyrat e tyre kundërmojnë si stallë kafshësh nga rrjedhjet e kanalizimit.  Punonjësit e Ministrisë së Diasporës, në këto kushte i kalojnë plotë tetë orë në ditë.

Ambienti ku mungon ajrosja dhe ka zënë vend myku shpesh ka qenë arsye që zyrtarë të këtij institucioni kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Mungesën e kushteve të punës  e kishte dhënë edhe inspektorati i Punës gjatë një inspektimi të bërë në vitin 2013.

Nga atëherë gjendja veç sa është përkeqësuar, siç edhe shihet në fotografit e bëra nga Gazeta Fjala.

Sabrie Grainca, zyrtare e komunikimit me publikun në Ministrinë e Diasporës ka treguar se rreziku nga kushtet e punës në objektin ku ndodhen është i përhershëm.

“Shumë nga punonjësit e ministrisë për shkak të kushteve jo të mira kanë probleme shëndetësore, që manifestohen me marramendje, kokëdhimbje e simptoma të tjera”.

Por, kryeinspektori i punës, Basri Ibrahimi, përgjegjës për sigurimin e kushteve më të mira për punë siç edhe e obligon ligji, nuk e ka idenë se çfarë po ndodhë me punëtorinë kosovare.

Ai madje mohon të jetë bërë ndonjëherë inspektim në këtë institucion.

“Nuk kemi bere inspektim ne këto objekte dhe as nuk kemi pasur ankesa nga punëtorët. Andaj, nuk e di gjendjen e sigurisë në punë në ato objekte”, ka thënë Ibrahimi.

Deklarata e tij, është befasuese për zyrtarët e ministrisë të cilët tregojnë se m rastin e inspektimit të ambienteve ku ndodhet Ministria e Diasporës, Inspektorati i punës nga Ministria e Mirëqenies së Punës dhe e Mirëqenies Sociale ka konstatuar  se  ambientet e punës në këtë objekt janë joadekuate për ushtrimin e veprimtarisë.

“Ndër të tjera, në raportin e inspektoratit të punës është nënvizuar:  pothuajse në të gjitha zyrat mungon ndriçimi natyral, që paraqet problem tek të gjithë punonjësit; ventilimi i ajrit është i vendosur, por nuk funksionon;  vende të caktuar nëpër disa zyra kundërmojnë nga lagështia etj”, thotë Grainca.

Konstatimi i Inspektoratit të punës ka qenë ky: “ambientet e punës janë joadekuate për ushtrimin e veprimtarisë, duke rekomanduar që të ndërmerren hapat për përmirësimin e kushteve të punës dhe të ambienti. Për t’u vërtetuar ky konstatim i inspektoratit, jo më larg se sot ka shpërthyer një gyp i kanalizimit në ambientet e punës, andaj edhe ju ftojmë që të vini dhe ta vlerësoni vetë gjendjen”.

Bazuar në këtë, në ministri thonë se duke pasur parasysh Ligjin për siguri në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarve dhe ambientit të punës, duke marrë parasysh të drejtën për kushte të përshtatshme pune,  si dhe duke iu referuar ankesave të punonjësve, në këtë objekt nuk ka kushte elementare për punë.

E pas këtyre fakteve, Kryeinspektori nuk ka pasur çfarë të deklaroj.

“Nuk kam koment”, ka thënë ai për Gazetën Fjala.

dok 1

dok 2

2

1

3

IMG_7561

3

5

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/alarmante-punetoret-e-ministrise-se-diaspores-ne-rrezik-jete-fotodokument/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala