Al Petrol “në krizë”, ndëshkon punëtorët në paga

Autori:Gazeta Fjala

Në shumë vende të botës, në fund të vitit bizneset i shpërblejnë punëtorët më të zellshëm, kurse  në sektorin privat në Kosovë ndodhë e kundërta.

Punëtorëve u zvogëlohet paga.

Kompania që shumë herë ka qenë cak i kritikave për shkeljen e të drejtave të punëtorëve Al Petrol, më shumë se 1000 punëtorëve u ka ndal nga 5 për qind të pagës së muajit dhjetor.

Në adresë të Gazetës Fjala kanë ardhur shumë ankesa të këtyre punëtorëve lidhur me këtë rast.

Por nga frika e ndonjë hakmarrje nga drejtuesit e Al Petrol ata nuk kanë dashur të identifikohen, megjithatë emrat e tyre janë të njohur për redaksinë.

“Askush nuk i di arsyet përveç drejtorit. Kjo është një turp dhe zhgënjim i madh të “shpërblehesh” me minus 5% të rrogës”, ka thënë njëra nga punëtoret  që ka pritur që të shpërblehet për mundin e një muaji të stërngarkuar.

Një punëtore tjetër ka treguar  se parat punëtorëve ju ndalën për shkak se kjo kompani nuk ka pasur performancë të mirë vitin e fundit.

“Halli im është se ne vend se me u gëzu për festa të fund vitit Al Petroli gjithë puntorve jau ndali gzimin, pasi të gjithë puntorve të saj na ka ndal ka 5% rrogës do të thotë ka 15 euro më pak i kena marë”, tha ajo.

“Fakti është se viti 2015 su kanë i knaqun për ta e me dal knaqem ata i ndalin puntorëve rroga”, tha ajo.

Kjo punëtore tregon se nuk guxojnë as të ankohen pasi që i largojnë prej punës.

“Ai që ankohet ecë prej shpie automatikisht edhe plus i mbet një muaj mbrenda nuk mudesh e merr rrogën”, tha ajo për Gazetën Fjala.

Kjo punëtore thotë se paga e saj mujore ka qenë 260 euro, mirëpo kur ka shkuar në bankë për të tërhequr parat, në xhirollogari i gjeti vetëm 245 euro.

“Rrogën e kam marr mas festës së vitit të ri në NLB edhe kur e kam tërhek unë gjithë i kam marr 260 euro atë ditë me kanë dal veç 245 euro. Hyra në bankë deshta me ditë  mos ka ndodhë ndonjë gabim- më thanë jo jo në ketë llogari janë transferuar vetë këto para”, tha ajo.

Ngjashëm thotë se u kishte ndodhur edhe kolegëve të tjetër të kësaj kompanie.

Inspektorët të lidhur me “Al Petrol”

Pronaret e AL Petrol nuk janë përgjigjur në interesimin e Gazetës lidhur me këtë çështje, ani pse gazeta ka pritur shtatë ditë për përgjigje.

Agim Millaku Inspektor i Sigurisë në Punë në Inspektoratin e Punës e konfirmoj për Gazetën Fjala se punëtorët i kanë raportuar rastet në këtë institucion.

“Inspektori i punës në komunën e Gjilanit më njoftoi se nga punëtorët e Al Petrol kanë arritur 5 ankesa për shkelje të të drejtave të tyre nga punëdhënësi”, tha Millaku.

Millaku tregon se këto raste kanë filluar të trajtohen, është duke u vërtetuar gjendja faktike dhe se brenda afatit do të merret vendimi i shkallës së parë.

Të njoftuar me rastin e shkeljes së të drejtave të punëtorëve të Al Petrolit janë edhe në Sindikatën e Sektorit Privat të Kosovës.

Jusuf Azemi kryetar i kësaj sindikate tha se për këtë çështje nuk do të përballen drejtpërdrejtë  me Al Petrolin pasi që ai thotë se asnjëherë nuk kanë mundur të merren vesh për problemet që kanë pasur me punëtorë.

Azemi thotë se vazhdimisht kanë ofruar dëshmi edhe në Inspektoratin e Punës, mirëpo ata asnjëherë nuk kanë vepruar.

“Kjo na është dëshmi se pronari i Al Petrolit ka lidhje të forta me Inspektoratin e Punës, pasi që sa herë që ne kemi ofruar dëshmi ata përveç që nuk janë merr me to janë sjellur në mënyrë arrogante me ne”, tha ai.

Azemi paralajmëroj se faktet që janë duke i mbledhur këtë rast dhe rastet e tjera të shkeljes së të drejtave të punëtorëve në sektorin privat do t`i publikojnë gjatë këtij muajin, në konferencën që do të organizoj kjo sindikatë.

“Hap tjetër i radhës neve na mbetet padia ndaj Al Petrolit”, tha Azemi.

Largimi i 16 punëtorëve

Pagesat me zbritje për punëtorët nuk ka qenë problem i vetëm i punëtorëve të Al Petrolit. Kjo kompani është raportuar nga përfaqësuesit sindikal të jetë në mesin e dhjetëra kompanive kosovare që keqtrajtojnë punëtorët.

Lexo: http://gazetafjala.com/al-petrol-interex-e-mss-i-dhunojne-punetoret/

Ndërkaq, së fundmi një qytetar nga Gjilani, tash ish punëtor i kësaj kompanie ka treguar për Gazetën Fjala se ai ka qenë në mesin e 16 punëtorëve të larguar.

Nuk dihet për far arsye. Po njëra nga të keqet është se krejtve rrogat ja kanë qitë në bankë e këtyre 16 punëtorëve nuk na ka dhon rroga hiq”, ka thënë ish punëtori.

Jusuf Azemi nga sindikata e sektorit privat tha se ka dëgjuar se janë larguar nga puna 5 punëtorë e që sipas tij  4 prej tyre kanë punuar në marketin e Al Petrolit që gjendet në komunën e Podujevës.

”Mirëpo sipas informative që ne kemi punëtorët e larguar kanë pasur vet faj”, tha ai.  /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/al-petrol-ne-krize-ndeshkon-punetoret-ne-paga/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala