Shefat me aktakuzë

Autori:Gazeta Fjala

Janë rreth 700 milionë euro të buxhetit të Kosovës, të cilat shpenzohen çdo vit përmes prokurimit publik.

Ky vazhdimisht është konsideruar si terreni më i përshtatshëm i keqpërdorimit të parasë publike nga zyrtarët e shtetit.

Edhe vetë Qeveria e Kosovës në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit e pranon se sistemi i prokurimit publik deri më tani  ka çaluar dhe është shoqëruar edhe me probleme të mëdha që kanë penguar orientimin e fondeve publike në tërësi në drejtim të funksionit të zhvillimit.

Ndërkaq, në raportet ndërkombëtare, prokurimi publik ishte konsideruar si burim i korrupsionit në vend.

Një pikë e nxehtë në këtë fushë mbesin edhe dhjetëra akuza për zyrtarë të prokurimit nëpër institucionet buxhetore të vendit, të cilët pavarësisht shkeljeve mbesin të pandëshkuar.

Madje vetë kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha, ka ushtruar funksionin për më shumë se një vit, deri para pak javësh përkundër aktakuzës së ngritur ndaj tij.

Ai dyshohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Rast tjetër është edhe Elmaze Xhema, zyrtarja e suspenduar e prokurimit në Ministrinë e Financave, pasi që Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP),  pas shkeljeve të vazhdueshme të rregullave të prokurimit, i kishte  marrë asaj licencën e punës vazhdon ende të punoj në këtë zyrë.

Emri i saj madje figuron në njoftimet e kontratave.

Me 4 shkurt, policia e Kosovës kishte bastisur komunën e Klinës, përveç zyrës zyra e Kryetarit të Komunës dhe asaj të Personelit,  në hetim ishte përfshirë edhe zyra e Shefit të Prokurimit.

Bastisja lidhej me pasqyrat financiare të Komunës së Klinës për vitin 2014, bazuar në gjetjet e auditorit të përgjithshëm.

Aktakuzat për zyrtarët e prokurimit

Në muajin dhjetor të 2015-ës Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda ngriti aktakuzë ndaj ish shefit të prokurimit në komunën e Lipjanit.

Aktakuza lidhet me keqpërdorimin e detyrës zyrtare nga i pandehuri gjatë kohës sa i njëjti ishte në pozitën e menaxherit të prokurimit.

“R.Z ka shkelë rregullat e Ligjit të Prokurimit Publik me qëllim që një operatori ekonomik ti mundësoj fitimin e tenderit dhe përfitimin material për vete apo personin tjetër”, njoftonte prokuroria.

Në muajin korrik të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur sot  aktakuzë kundër tetë persona shumica prej tyre zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë.

Në këtë rast akuzohej edhe ish menaxheri i Departamentit të Prokurimit të kësaj ministrie.

Bëhej e ditur se aktakuza ka të bëjë me katër aktivitete të prokurimit publik, të iniciuara nga Ministria e Shëndetësisë gjatë vitit 2011 ku si pasojë e shkeljeve është dëmtuar buxheti i shtetit në vlerë rreth 700 mijë euro.

Shefi i prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi, në muajin maj 2015 ishte suspenduar nga puna për shkak se ndaj tij është ngritur aktakuzë për korrupsion.

Krasniqi ka qenë zyrtari më i përfolur i prokurimit si i dyshuar për korrupsion. Ai për vite të tëra kishte drejtuar Zyrën e Prokurimit të Ministrisë së Transporteve, e cila më vonë është shndërruar në Ministrinë e Infrastrukturës.

Krasniqi është i akuzuar bashk me ish ministrin Fatmir Limaj dhe të tjerëve lidhur me rastin “MTPT 1”.

Nexhat Krasniqi akuzohet për kryerjen e veprave penale: krim i organizuar, shpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit, marrje e mitos.

Me 8 maj 2015, drejtori i prokurimit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Besnik Demaku ishte suspenduar nga puna.

“Në kuadër të MMPH-së janë marr disa vendime në harmoni me politikat e Qeverisë për pezullim të zyrtarëve të cilët kanë raste të hapura të natyrave të ndryshme në sistemin e drejtësisë”, thuhet ne njoftimin e kësaj Ministrie.

Në qershor 2015, OSHP-ja “kërcnonte”, KEK-un se nëse nuk e kthente në rivlerësim një tender atëherë do tu merrte licencat dy zyrtarëve të prokurimit në këtë ndërmarrje.

“Paneli shqyrtues konstaton se… mosrespektimi i njoftimit, e detyron atë që konform dispozitave ligjore të vendosë një gjobë prej jo më pak se 5 pesë mijë euro, kurse ndaj zyrtarit përgjegjës të prokurimit do të marrë vendim për marrjen e certifikatës së prokurimit, për bishtnim-ikje të përmbarimit të vendimit të OSHP-së”, thuhej në vendimin e OSHP-së.

Në muajin korrik të vitit 2014, aktakuzë u ngrit edhe ndaj Abdullah Eminit zyrtar i prokurimit publik në komunën e Vitisë.

Ai bashkë me ish nënkryetarin e komunës Xhevat Bislimi nga Prokuroria Themelore në Gjilan, akuzoheshin për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në muajin dhjetor një zyrtar tjetër i prokurimit doli para gjykatës.

Agim Rexhepi  zyrtari i prokurimit në komunën e Shtërpcës së bashku me kryetarin e kësaj komune  Nikoliqin, akuzohet për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Ai u shpall i pafajshëm bashkë me kryetarin Bratislav Nikoliq.

Fillimi i prokurimit elektronik

Ndonëse ishte premtuar se do të ketë ri-licencim të zyrtarëve të prokurimit publik, një gjë e tille më vonë ishte thënë se nuk do të ndodhë.

Kryetari i Komisionit Rregullativ Prokurimit Publik (KRPP), Safet Hoxha pati deklaruar në qershor, se ri-lcencimi i zyrtarëve të prokurimit publik nuk ka filluar ende.

“Për rilecnimin e zyrtarëve të prokurimit, duhet të hartohet fillimisht korniza ligjore, ngase një e drejtë e fituar njëherë, është vështir të merret”, ka thënë Hoxha.

Ai ka njoftuar se njëherë do të bëhet vetëm trajnimi i zyrtarëve të prokurimit për aplikimin e prokurimit elektronik.

Ndërsa fillim të këtij vit, qeveria e Kosovës inauguroi platformën për prokurimin elektronik.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë këtij organizimi, kishte deklaruar se përmes prokurimit elektronik, do të shtohet transparenca dhe konkurrenca në procesin e prokurimit, do të ndikohet në uljen e çmimeve, dhe në kursimin e parasë publike, si dhe në cilësinë më të mirë të projekteve, të cilat financohen me paranë publike.

Ligji i prokurimit publik është miratuar në vitin 2003 dhe deri më tani ky ligj ka pësuar ndryshime më shumë se pesë herë.

Edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka thënë se fillimi i lansimit të platformës së prokurimit elektronik është një hap që do të sigurojë transparencë dhe mbikëqyrje më të mirë të procesit të prokurimit publik dhe llogaridhënies për shpenzimin e parasë së tatimpaguesve /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/aktakuzat-e-prokurimit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala