AKEA paditë shtetin

Autori:Gazeta Fjala

Vendimet e departamentit të organizatave joqeveritare, për ndalimin e punës së disa organizatave të dyshuara për lidhje me grupet radikale islamike, po kundërshtohen fuqishëm nga këto të fundit.

Njëra prej tyre madje ka paditur shtetin për një vendim të tillë.

Ministria e Administratës Publike  vitin e kaluar pezulloi punën e Asociacioni për Kulturë Edukim dhe Arsim (AKEA), në mesin e dymbëdhjetë organizatave tjera, nën dyshimin se veprimtaria saj nuk përkon me rendin juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës.

Kjo organizatë që është e regjistruar në Kosovë që nga viti 2004, nuk është pajtuar me MAP-in rreth vendimit për pezullim të punës e as me refuzimin e ankesës së saj nga komisioni për shqyrtimin ankesave të OJQ-ve.

Me 18 nëntor 2014 AKEA ushtron padi kundër vendimit të këtij institucioni.

Mirëpo edhe pse ka kaluar një vit nga ajo kohë, në Ministrinë e Administratës Publike thuhet se nuk janë në dijeni se u paditën nga AKEA lidhur me këtë vendim.

Kur Gazeta Fjala u interesua për këtë çështje, udhëheqës i departamentit të komunikimit në MAP tha se nuk kanë marrë asnjë padi nga kjo organizatë.

“Në Departamentin për OJQ-të në MAP nuk është pranuar ndonjë padi e as ftesë për pjesëmarrje në ndonjë  seancë gjyqësore”, ka thënë Zeqir Bekolli.

Por, Gazeta Fjala ka siguruar padinë e cila është e protokolluar nga Gjykata Themelore e Prishtinës me datën 20 nëntor 2014.

Përmes së cilës AKEA pretendon se MAP bëri një mori shkeljesh gjatë marrjes së vendimit për pezullimin e punës së saj.

“Propozojmë anulimin e vendimit dhe kualifikimin e tyre si joligjor dhe kundër kushtetues dhe rikthimin në gjendjen e më pashme që mundëson ushtrimin e veprimtarisë dhe aktiviteteve të OJQ AKEA konform statutit dhe ligjeve të aplikueshme në Kosovë”, shkruan në padi.

AKEA: MAP bëri shkelje me këtë vendim

Në padinë e AKEA-s thuhet se u shkelën të drejtat themelore të përcaktuara me kushtetutën e vendit, dispozitat e ligjit për procedurën administrative, ligji për lirinë e asociimit në organizatat joqeveritare.

Gjithashtu ajo akuzuar Ministrinë e Administratës se kishte bërë vërtetim të gabuar të gjendjes faktike si dhe aplikim të gabuar të së drejtës material.

Në arsyetimin e  padisë pretendohet se vendimi që u bazua në një udhëzim administrative është  drejtpërdrejt shkelje e kushtetutës së vendit.

“Ky udhëzim bie ndesh me kushtetutën e republikës së Kosovës , pasi një vendim mbi ndalimin e veprimtarisë mbi këtë bazë mund të merret vetëm nga gjykata kompetente”, thuhet në padi.

U shkel edhe ligji i procedurës administrative sipas AKEA-s pasi që sipas tyre vendimi nuk u bazua në asnjë provë relevante.

“Sipas dispozitave të këtij ligji kërkohet që vendimeve si ky, t`i paraprijë ndonjë procedure, e që në këtë rast nuk ka ndodhur”, shkruan në arsyetimin e padisë.

Megjithëkëtë në Ministrinë e Administratës kur u pyetën rreth ligjshmërisë së vendimeve për pezullim dhe a është mbajtur ndonjë seancë deri tash, drejtori i departamentit të komunikimit Zeqir Bekolli nuk dha shumë detaje.

“Se a është mbajtur  seancë gjyqësore apo jo, dhe  a janë konstatuar dëshmi për dyshime të bazuara apo jo, këto  pyetje janë bërë në adresë të gabuar”, ka treguar Bekolli.

AKEA ankohet edhe të Avokati i Popullit

Paraprakisht kjo organizatë ishte ankuar në komisionin për shqyrtimin e ankesave në MAP, por që ky komision e kishte refuzuar ankesën e saj si të pabazuar në tetor të vitit të kaluar.

Gazeta Fjala javën e kaluar ka raportuar për vendimin e ri të departamentit të organizatat joqeveritare i cili parasheh ripezullimin e punës së AKEA-as si dhe dymbëdhjetë organizatave tjera.

Këto janë të njëjtat organizata të cilave u është ndërprerë veprimtaria edhe vitin e kaluar.

Sipas MAP-it, ato dyshohen se veprimtaria e tyre bie ndesh me interesat e sigurisë.

Megjithatë, në dokumentacionet e lëshuara nuk ka ndonjë sqarim se çfarë saktësisht kanë vepruar ato në kundërshtim me rendin kushtetues.

Kësaj radhe AKEA u drejtua me shkresë tek avokati i popullit Hilmi Jashari. Përmes kësaj shkrese kjo organizatë e quan vendimin e departamentit të organizatave joqeveritare si jo kushtetues, “sepse kufizon dhe cenon të drejtën themelore të qytetarëve për të marrë pjesë në aktivitete të organizatave”.

“MAP ka tejkaluar autorizimet e përcaktuara me kushtetutë dhe me ligj kur ka nxjerrë udhëzim administrative, me të cilin ja ka lejuar vetes pezullimin e aktivitetit të një OJQ-së”, thuhet më tej në shkresën e drejtuar avokatit të popullit. / Gazeta Fjala/

padia

arsyetimi i padise

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/akea-padite-shtetin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala