Agjencia e [pa]punësimit

Autori:Avdyl Pajaziti

Arben Gashi çdo muaj viziton qendrën e punësimit në Prishtinë, për të parë nëse është hapur ndonjë vend i ri i punës.

Si teknik i kualifikuar, tash e dy vjet asnjëherë nuk është thirrur as në intervistë nga ndonjë kompani.

Si ai janë edhe afro 300 mijë qytetarë të regjistruar si të papunë në Kosovë. Pjesa më e madhe e tyre kurrë nuk kanë pasur një vend pune.

Madje me trendët e tanishme të zhvillimit të vendit dhe mundësitë që ofrohen në tregun e punës, njohësit e ekonomisë vlerësojnë se shumë nga këta punëkërkues do të arrijnë moshën e pensionit në pritje para zyrave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Hallin atyre nuk pritet t’ua zgjidhë as Agjencia e Punësimit, që pritet të funksionalizohet nga janari i vitit të ardhshëm, përmes së cilës Qeveria synon të rris punësimin.

“Agjencia e Punësimit nuk mund të krijojë vende pune. Ato varen kryesisht nga rritja e investimeve të brendshme dhe investimeve direkte nga jashtë, rritja e prodhimtarisë vendore dhe ambienti ligjor e institucional i të bërit biznes”, thonë në Institutin për Politika Zhvillimore INDEP, për Gazetën Fjala.

Dardan Abazi, hulumtues në këtë institut, ka thënë për Gazetën Fjala se promovimi i politikave që shtyjnë këto zhvillime në ekonomi, nuk janë në përgjegjësinë as të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale e as të Agjencisë së Punësimit.

“ Ato janë nën përgjegjësinë e ministrive të tjera si Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Bujqësisë etj”, pohon ai.

Agjencia për punësim, ndonëse një hap i mirë, sipas tij nuk përbënte ndonjë risi të madhe në funksionimin e sistemit. Në vend të Divizionit për Aftësim Profesional, u bë Agjencia e Punësimit që e vendosë këtë Divizion dhe Zyret për Punësim nën ombrellën e saj.

“ Agjencia për Punësim mund të luaj rol në zbutjen e papunësisë varësisht sa fuqizon raportin në mes të Zyrës së Punësimit dhe Qendrave të Aftësimit Profesional në një anë, dhe komunitetit të biznesit në anën tjetër. Pa një fuqizim të bashkëpunimit të këtyre akterëve, Agjencia e Punësimit do të mbetet vetëm një qendër e mbajtjes së një regjistri të papunësisë”, thotë Abazi.

Ai pohon se kjo Agjenci, e në veçanti Zyrat për Punësim duhet të shërbejnë si mekanizma orientues për punëkërkuesit në njërën anë, përmes informimit të tyre në lidhje me trajnimet dhe kualifikimet që ofrohen falas dhe vendet e hapura të punës, por edhe për bizneset në anën tjetër, për tu ofruar në kohë reale informata mbi fuqinë punëtore, kualifikimin e tyre dhe informata të tjera.

“Këtë rol, fatkeqësisht deri më tani Zyrat për Punësim nuk e kanë luajtur”.

Nga afro 300 mijë punëkërkues vetëm 2754 u aktivizuan

Të dhënat e Ministrisë së Punës tregojnë se nga janari i këtij viti deri në nëntor përmes Zyrave të Punësimit janë ndërmjetësuar në programet dhe projektet aktive të tregut të punës gjithsej 2,754 punëkërkues, prej tyre 641 femra.

Këto programe janë punë publike projektet e MPMS me komuna Podujevë, Novobërd, Istog; trajnim në punë, praktik në punë , vetëpunësim, e subvencionim i pagave.

Zëdhënësi i këtij institucioni, Musa Demiri shpreson që me krijimin e Agjencisë për punësim, ky numër i trajtimit të punëkërkuesve të rritet.

Ai tregon se Agjencioni i Punësimit i Republikës së Kosovës do të merret me administrimin e tregut të punës në Kosovë.

“Planet e MPMS janë përmes implementimit të programeve dhe projekteve aktive në tregun e punës të ndikojë në uljen e papunësisë dhe gjenerimin e mundësive të reja për punësimin e punëkërkuesve”, ka thënë Demiri për Gazetën Fjala.

Çfarë është Agjencia e Punësimit?

Agjencia është organ i pavarur në kuadër të MPMS-së, me statusin e personit juridik në bazë të Ligjit për Administratën Shtetërore. Disa nga detyrat kryesore të APRK-së janë: zbatimi i politikave të MPMS-së në fushën e punësimit, aftësimit dhe riaftësimit profesional, përshtatur për personat e papunë, punëkërkuesit, punëdhënësit të punësuarit dhe shtetasit e huaj të cilët kanë për qëllim punësimin në Kosovë; monitorimi dhe koordinimi i zbatimit te masave dhe programeve aktive të tregut të punës; përgatitja e informacioneve, analizave për tregun e punës, hulumtimeve, dhe studimeve për nevojat e tregut të punës si dhe shpërndarja e informatave me palët relevante të interesit në të gjitha nivelet; publikimi dhe Promovimi i punësimit; hartimi i kurrikulave, materialeve mësimore dhe procedurave të vlerësimit sipas Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve përfshirë certifikimin e kandidatëve dhe njohjën e mësimit paraprak; kontraktimi i shërbimeve nga ofrues jopublikë të akredituar në fushën e aftësimit profesional, në profilet e avancuara dhe në profilet të cilat nuk zhvillohen në QAP-a;etj.

Në Institutin INDEP konsiderojnë që vonesa në funksionalizimin e Agjencisë së Punësimit përbën shkelje të ligjit. Ligji Nr. 04/L-205 për Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës i publikuar në Gazetën Zyrtare në janar të vitit 2014.

“I njëjti, thoshte që Ligji hynë në fuqi një vit më vonë, më 1 janar, 2015. Vonesa gati njëvjeçare në funksionalizimin e kësaj agjencie është e paarsyeshme”./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/agjencia-e-papunesimit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala