Agani shfuqizon vendimin e Gashit për Prevallën

Autori:Gazeta Fjala

 

Ndërtimet e egra që kishin zënë viteve të fundit qendrën turistike në Prevallë, vazhdojnë të mbesin në gjendjen çfare ishin lënë që nga qeverisja e kaluar.

Aksionet e rrënimit të disa prej këtyre ndërtimeve të ndërmarra në vitin 2013 janë të fundit që kemi parë.

Vendimi i ish ministri Dardan Gashi, për rrëzimin e të gjitha punimeve pa leje, ka mbetur në gjysmë. Qeverisja aktuale e ministrit Ferid Agani nuk ishte parë të dal në ndonjë aksion që të vazhdoj rrënimet.

Bashkim Bekolli Këshilltar Politik dhe zëdhënës i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor tha për Gazetën Fjala se ministri Agani pjesërisht e ka bërë shfuqizimin e vendimit të ish ministrit për ndalimin e të gjitha ndërtimeve në zonën e Prevallës.

“Sipas të cilit tashmë të gjithë ata që janë të interesuar për të ndërtuar në prona të veta, mund të aplikojnë në MMPH për marrjen e lejes ndërtimore sipas kushteve qe i parasheh ligji”, tha Bekolli.

Ai tregoi se tashmë në këtë ministri kanë arritur disa kërkesa të qytetarëve për leje.

“Dhe janë në procedurë të marrjes së Lejes Ndërtimore”, deklaroi ai.

Ndërkohë që sipas MMPH gjendja në Prevallë është ajo qe ka qenë.

“Për të cilën gjë opinioni është i njoftuar rreth rrënimit të objekteve pa leje si dhe procedurave ligjore qe janë duke i ndjekur pronarët e objekteve të cilët kanë vendime për rrënim. Kjo sidomos pas miratimit të ligjit për legalizim, dhe draftit të ligjit për ndryshimet që duhet të aprovohen në Parlamentin e Kosovës për këtë ligj”, tha Bekolli.

Ish-ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi pati deklaruar se fatkeqësisht nuk është vazhduar me ekzekutimin e 40 vendimeve që kanë mbetur të nënshkruara dhe rishikimi i rreth 200 lejeve në aspektin e tejkalimit në atë zonë.

Nuk ka të dhëna për përfundimin e lëndëve

Në fillim të vitit 2014, Ministria e Mjedisit kishte ngritur në Prokurorinë themelore të  Prizrenit 20 kallëzime penale për rastin “Prevalla”.

Pas këtyre kallëzimeve madje u ngritën edhe aktakuza.

Përveç disa seancave që janë zhvilluar rreth këtyre lëndëve Bashkim Bekolli tha se Ministria nuk ka të dhëna rreth përfundimit të tyre.

”Në disa nga këto lëndë është ftuar Inspektorati për të dëshmuar rreth arsyeve të inicimit gjyqësor. Në disa raste madje janë mbajtur nga disa seanca, por nuk kemi të dhëna rreth përfundimit të lëndeve përkatëse”, deklaroi Bekolli për Gazetën Fjala.

Përpjekja për ndërtimin e qendrës turistike

Fashati malor Prevalla, që është pjesë e Parkut Nacional gjendet 28 kilometra larg komunës së Prizrenit.

Në një sipërfaqe prej 27 hektarësh atje, në vitin 2006 ishte marrë vendimi nga komuna e Prizrenit të shndërrohej në qendër turistike.

Planifikoheshin 360 vila në atë zonë. Një numër prej 35 syresh planifikonte t’i ndërtonte vetë komuna, që pastaj t’i jepte në shfrytëzim, ndërsa 315 vila planifikoheshin të ndërtoheshin nga personat privatë.

Ndërtimi mendohej të kryhej brenda dy vjetësh, 2007-09.

Por nga 100 prej shtëpive të ndërtuara, 90 prej tyre e kishte shkelur projektin, duke u ngritur në mospërputhje me planin urbanistik të paraparë nga Komuna e Prizrenit si dhe me udhëzimin dhe ligjin që rregullon mbrojtjen e mjedisit.

Në Brezovicë u identifikuan objektet

Përveç në këtë fshat të komunës së Prizrenit as në Zonën turistike të Brezovicës nuk është parë ndonjë aksion nga Ministria e Ambientit.

Zyrtarët e saj deklaruan se deri tani është bërë vetëm identifikimi i objekteve.

“Në Brezovicë, është bërë identifikimi objekteve të tërsishme ku duhet të bëhet klasifikimi i atyre me leje dhe eventualisht atyre pa leje”, tha Bashkim Bekolli.

Ndërkaq sipas tij, në hapësirat jashtë zonës se mbrojtur menaxhon komuna përkatëse, që do të thotë se jep leje për objektet e caktuara sipas ligjit.

Por Bashkim Bekolli tha se veprimet e tyre ndaj ndërtimeve të egra do të trajtohen në bazë të ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje.

“Për ndërtimet pa leje të ndërtuara para datës 30 gusht 2013 në parqe kombëtare e të cilat nuk janë shtëpi familjare, objekte ekonomike apo bujqësore që janë ndërtuar në fshat, MMPH duhet të përdorë procedurat e parapara në Ligjin për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje”, .

Sipas këtij Ligji, parashihet që kjo ministri të sigurohet se ndërtimi është i përfshirë në Regjistër, të konfirmojë se ndërtimi ndodhet në park kombëtar e jo në fshat (nëse është në fshat ndërtimi do të ishte përgjegjësi e komunës).

Por në rastet kur konstatohet se nuk ka leje ai ndërtim të përfshijë ndërtimin në listën e rrënimit dhe të ndiqen procedurat e rrënimit. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/agani-shfuqizon-vendimin-e-gashit-per-prevallen/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala