Xhamia 20 milionëshe pret lejen këtë muaj

Autori:Avdyl Pajaziti

Ishte kërkuar me ngulm nga komuniteti mysliman në vend që të gjendet vendi për ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë, por kanë kaluar afro katër vite dhe nuk është vënë asnjë tullë në ndërtimin e saj.

Më tetë tetor të vitit 2012, në prezencën e liderëve politikë e fetarë të vendit, ishte vendosur gurthemeli i godinës, siç thuhet të jetë, më të madhe fetare në kryeqytet. Megjithatë, që nga ajo kohë, ky gurthemel, është e vetmja punë e kryer.

Hapësira e ndarë nga Komuna e Prishtinës për ndërtimin e xhamisë vazhdon të shfrytëzohet njëjtë si më herët, parking për veturat e PTK-së.

Por, shpresat për nisjen e ndërtimit të kesaj xhamie, që është thënë se do të kushtojë 20 milionë euro, i janë kthyer Bashkësisë Islame të Kosovës.

Leja për ndërtimin e Xhamisë Qëndrore në Prishtinë pritet të jipet gjatë këtyre dhjet ditëve nga Komuna e Prishtinës.

Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Fjala kryemimami, Sabri Bajgora.

Ai ka thënë se tashmë BIK-u ka dorëzuar kërkesën për marrjen e lejës për ndërimin e xhamisë në komunën e Prishtinës dhe se kanë marrë premtime nga kreu Shpend Ahmeti se ajo do t’i bëhet dhuratë besimtarëve gjatë muajit të Ramazanit.

“Procedurat tashmë kanë mbetur tek komuna e Prishtinës. Ka afro një muaj e gjysmë që ne e kemi dorëzur në komunë. Madje kemi pas edhe një takim me vet kryetarin Ahmeti i cili na ka premtuar se në muajin e Ramazanit do të na gëzojë me leje”, ka thënë për Gazetën Fjala, kryeimami Sabri Bajgora.

Ndërkohë që Gazeta ka provuar që të marrë edhe një përgjigje nga komuna e Prishtinës, por ata nuk qenë të gatshëm që të japin detaje rreth kësaj çështjeje.

Ndërtimi i Xhamisë Qëndrore sipas planifikimeve është dashur që të fillojë në tetor të vitit të kaluar.

Madje edhe vet kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava kohë më parë ka deklaruar se ndërtimi i xhamisë së re në Prishtinë parashihet të fillojë më 4 tetor, kurse lokacioni i caktuar nga Komuna e Prishtinës, siç dihet, është në afërsi të ndërtesës së PTK-së në Dardani.

Edhe qytetarët po e presin me padurim ndërtimin e saj.

Alban Maloku, beson se së shpejti BIK-u do ta ndërtojë xhaminë e premtuar për ta.

“Është vonuar që një kohë të gjatë. Do dëshiroja që namazin e Bajramit ta falja në të, mirëpo kjo është epamundur. beosj që së shpejti do të nderothet ka thënë ai.

Por Enver Kadriu thotë se edhe për një kohë besimtarët musliman nuk do të mund ti kryejnë ritualet në xhaminë e re. Kjo pasi sipas tij, BIK-u nuk po puno sa duhet për jetësimin e saj.

“Ka katër vite që vin e shkojnë të njejtat premtime. Xhamia ka mbetur vetëmm gurthemel”, ka thënë ai.

Ndërkohë që ndërtimi i xhamisë së re parahsihet të kushtojë rreth 20 milionë euro.

BIK-u, për ndërtimin e xhamisë, kishte kërkuar edhe përkrahje materiale nga qytetarët dhe kishte hapur disa xhirollogari në banka të vendit.

Prona i është ndarë nga komuna e prishtinës me një parcelë me 81 ari tokë në lagjen “Ulpiana” për xhaminë. /GazetaFjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/73281-2/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala