400 milionë euro për ta gjykuar UÇK-në

Autori:Avdyl Pajaziti

Gjykimi i ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet t’i sjell goxha shpenzime arkës së shtetit.

Për hetimin e 10 rasteve të ndryshme dhe 40 personave të dyshuar për krime te luftës, qeveria e Kosovës do të detyrohet të paguaj 300 deri në 400 milionë euro.

Krejt këto shpenzime, ndonëse jo të konfirmuar zyrtarisht do të behën përgjatë katër viteve të ardhshme, sa pritet të jetë edhe mandati i Gjykatës Speciale.

Gazeta  ka kërkuar përgjigje lidhur me këto shpenzime nga Ministria e Financave, por ata nuk kanë pranuar të flasin fare për këtë çështje.

Gazeta Fjala ka raportuar ditë më parë se 170 milionë euro për krijimin e Gjykatës Speciale do të epen donacion nga vendet e Bashkimit Evropian.

Kosova, sipas këtyre burimeve thuhet se do t’i përfitoj këto mjete në emër të forcimit të sektorit të drejtësisë dhe mekanizmave për rend dhe ligj.

Kurse, Riza Smaka, profesor i së drejtës juridike ka pranuar se kostoja e kësaj gjykate do të jetë tepër e lartë.

“Përpos aspekteve juridike kjo gjykatë do të ketë edhe pasoja ekonomike e financiare. E para themelimi i kësaj ka kosto të lartë në aspektin e financimit të personelit. Dihet se gjyqtaret janë ndërkombëtare dhe kjo ka me pas një kosto tejet të lartë”, tha Smaka për gazetën Fjala.

Veç kësaj shteti i Kosovës do të humbë edhe ne aspekte tjera.

Smaka përmend mungesën e guximit të investitorëve për të sjell kapital në shtetin e Kosovës.

Sipas tij investitorët do të tremben nga themelimi i kësaj gjykate.

E,  avokati  Arianit Koci ditë ma parë ka thënë se Gjykata Speciale nuk do të ketë asgjë kosovare, përpos emërtimit. Ai ka treguar po ashtu se të akuzuarit do të jenë vetëm shqiptarë.

“Është informatë e njohur që do të jenë 10 raste. Sipas informacioneve që kam nuk do të jenë mbi 40 persona të akuzuar. Kjo Gjykatë nuk ka asgjë kosovare përpos emërtimit. Të akuzuarit do të jenë ekskluzivisht shqiptarë se nëse themi kosovarë në Kosovë ka edhe minoritete”, ka deklaruar Koci.

Themelimi i Gjykatës Speciale do të nis pasi të behën disa ndryshime ne Kushtetutën e Kosovës. Për këtë çështje gjatë ditës së premte është mbledhur edhe Kuvendi i Kosovës. Mirëpo, votimi i saj ka dështuar pasi kundër themelit të Speciales janë deklaruar të gjitha paritet opozitare dhe disa deputet të Partisë Demokratike të Kosovës./Gazeta Fjala/

 

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/400-milione-euro-per-ta-gjykuar-uck-ne/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala