232 “analfabetët” kosovarë përkrah ISIS-it

Autori:Avdyl Pajaziti

16 vjet më parë nuk ishte menduar se kosovarët do të kapnin armët për të luftuar përkrah grupeve më eksteremist në botë ISIS. Por viti 1999 del të jetë fillimi i përgatitjes së “ushtarëve të djallit” nga Kosova, siç i quan pjesa më e madhe e qytetarëve ata që po terrorizojnë botën me vrasje brutale.

Në bazë të një studimi të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë tani në Siri e Irak luftojnë 232 kosovarë. Në mesin e 22 shteteve perëndimore përfshirë ato në gjithë Europën, ShBA, Rusinë, dhe Turqinë prej ku shumica e luftëtarëve të huaj dyshohen se u janë bashkuar organizatave militante në Siri dhe Irak, Kosova renditet në vendin e tetë për nga numri i luftëtarëve.

01

“Shumica ose 54 për qind e luftëtarëve të huaj nga Kosova u janë bashkuar konflikteve në Siri gjatë vitit 2013, periudhë kjo kur ISIS ishte konsoliduar dhe rekrutimi i tij ishte intensifikuar”, thuhet në këtë raport.

Por, shkuarjes në një vend të huaj i kanë paraprirë shumë faktorë tjerë, të cilat për here të parë i sjellë në detaje ky studim.

02

Ky raport konstaton se ideologjia radikale, e dhunshme dhe ekskluzive e tekfirit nuk është një ideologji e kultivuar dhe e rritur në Kosovë. Ndërsa ndikimet fetare dhe praktika të tjera që janë më konservatore filluan të futen më masivisht në Kosovë gjatë gjysmës së dytë të 1999, ideologjia dhe mësimet tekfire kanë hy në Kosovë më vonë, por më intensivisht nga fillimi i 2005.

“Kjo ideologji ka gjetur vendin e vet në Kosovë përmes një numri të imamëve të Shkupit që kanë vizituar dhe studiuar në Lindjen e Mesme, ku kanë rënë pre e qarqeve tekfire kryesisht në bazën e saj ideologjike – në Egjipt. Ishte diku nga fillimi i viteve 2000, kur shumica e imamëve shqiptarë nga Shqipëria, Maqedonia, dhe Kosova, të cilët së bashku kanë studiuar në Lindjen e Mesme, filluan përçarjet e tyre ideologjike. Pra, kur këta imamë nisën të mos pajtoheshin mes vete në disa çështje themelore dhe esenciale”.

03

Arsyet kryesore përse shumë kosovarë u dhanë së tepërmi pas fesë pas vitit 1999 janë të shumta dhe të ndikuara nga shumë faktorë.

“Së pari, çorientimi shoqëror dhe kushtet e dobëta ekonomike dhe politike kanë krijuar baza të frytshme për fetarizim menjëherë pas luftës. E dyta, është neglizhimi i komuniteteve rurale të Kosovës pas luftës nga strukturat ndërkombëtare dhe vendore së bashku me “agjencitë laike të ndihmave” që krijuan hapësirë për organizatat bamirëse të Lindjes së Mesme për të dëpërtuar masivisht në ato zona. E treta, është neglizhimi i strukturave ndërkombëtare të qeverisjes, kryesisht nga UNMIK-u, si autoriteti suprem qeverisës në atë kohë, ndaj kërkesave të IPVQ-ve për të hetuar “aktivitetet e dyshimta fetare” në Kosovë”.

04

Gjithashtu kushtet e dobëta ekonomike dhe niveli i varfërisë nuk kanë ndryshuar shumë gjatë periudhës që ka pasuar. Korrupsioni në çdo strukturë qeverisëse, pabarazia e lartë në të ardhura, sidomos dallimet midis klasave sunduese dhe shumicës së pjesës rurale të shoqërisë, si dhe ofrimi i pamjaftueshëm i shërbimeve publike kanë mbizotëruar.

Unifikimi dhe angazhimi i qytetarëve shqiptarë të Kosovës në një kauzë kombëtare, i zbehur pas çlirimit në 1999, nuk ishte aq i fortë si më pare.

06

“Si rezultat, grupet e ndryshme politike islamike u bënë më të besueshme se elitat zyrtare qeverisëse sepse ata u bënë më të njohur me shqetësimet e popullit dhe nevojat e tyre. Imamët në Kosovë angazhohen shumë më drejtpërdrejt dhe mbeten shumë më afër qytetarëve, krahasuar me politikëbërësit dhe elitën politike të institucioneve laike në Kosovë”.

Ky raport gjithashtu tregon se Kosova vazhdon të dëmtohet nga një sistem arsimor që në të gjitha nivelet nuk arrin të adresojë nevojat pedagogjike dhe aftësitë e trajnimit të studentëve të saj dhe të ekonomisë. Në përgjithësi, institucionet arsimore në Kosovë nuk ia kanë dalë të zbatojnë një sistem ku personeli mësimdhënës dhe studentët përqafojnë një qasje që nxit mendimin kritik dhe debatet për çështje të ndryshme. Ekziston edhe një normë e lartë e braktisjes mes niveleve të arsimit, ku vetëm një e treta e atyre që përfundojnë arsimin fillor vazhdojnë arsimin e mesëm, dhe vetëm një e treta e atyre që përfundojnë arsimin e mesëm vazhdojnë arsimin e lartë. Shpenzimet për kokë banori në arsim dhe shkencë kanë qenë shumëfish më të ulëta në krahasim me vendet e rajonit.

07

“Ka pak vëmendje kushtuar aktiviteteve kulturore dhe jashtëshkollore ku të rinjtë mund të angazhohen; Mungesa e tillë e vëmendjes për të rinjtë nga institucionet qeverisëse në Kosovë ka ndikuar me sa duket që brezat e rinj të angazhohen më shumë në kauzë fetare dhe më pak në çështje kombëtare a shtetërore, në krahasim me gjeneratat e vjetra”.

Sondazhi më i fundit i vitit 2014 i QKSS-së gjithashtu tregon se gjeneratat e reja kanë më shumë besim në institucionet fetare krahasuar me gjeneratat e vjetra. Për shembull, 42 për qind e atyre që i përkasin grupmoshave 18-24 kanë shumë besim në institucionet fetare, ndërsa më pak se 25 për qind e atyre që i përkasin grupmoshës më të vjetër se 30 kanë shumë besim në institucionet fetare”.

08

 

Kushtet që lehtësojnë idetë dhe grupet ekstremiste të dhunshme

Karakteristikat personale: shumica e atyre që përqafojnë ideologjinë tekfiriste janë kryesisht (i) të rinj; (ii) të cekët dhe mendjelehtë; (iii) injorantë; (iv) pa përvojë; dhe (v) pasi nuk marrin referenca fetare nga studiues të besueshëm fetarë, zakonisht tërheqen nga një grup i tretë që ndjek rrugë të shtrembëruara për kryengritje dhe nxiten nga hipokrizia.

Një numër i mirë i qytetarëve të Kosovës të cilët kanë qenë të përfshirë në Siri, ose 46 për qind janë të lindur mes 1985-1999. Kjo do të thotë se ata e kanë përqafuar ideologjinë tekfiriste edhe në një moshë më të re;

Arsimi dhe qëndrimet ndaj tij: lëvizjet bashkëkohore të xhihadit nuk kërkojnë të edukojnë njerëzit apo të inkurajojnë një studim të thellë të Kuranit. Shumica e qytetarëve të Kosovës që kanë qenë të përfshirë në Siri kanë përfunduar vetëm shkollën e mesme. Sipas një ish-luftëtari të huaj i cili kaloi rreth një muaj në Siri, ku ishte takuar edhe me Lavdrim Muhaxherin, u tha hulumtuesve të QKSS-së, që Lavdrimi nuk i ka dashur të arsimuarit nga Kosova që i janë bashkuar atij në Siri. Muhaxheri u kishte kërkuar rekrutuesve në Kosovë që të mos dërgojnë njerëz të ndritshëm dhe të arsimuar; ai i donte vetëm ata që i bindeshin dhe lehtësisht mund të ndiqnin urdhërat pa bërë pyetje. Ky raport konstaton disa përjashtime në këtë drejtim, megjithatë, dhe i diskuton ato gjatë.

Familja dhe kushtet sociale: shumica dërrmuese e atyre të përfshirë në Siri nga Kosova vijnë nga radhët e atyre që nuk kanë pasur ndonjë punë a një punë të përhershme më parë. Ata zakonisht vijnë nga familje jo të pasura, dhe janë të vendosura në zonat më të izoluara në qytetet dhe fshatrat e tyre. Ky raport konstaton disa përjashtime në këtë drejtim, si dhe i diskuton ato gjatë.

09

 

 

Rrënjët dhe përhapja e ideve religjioze ekstremiste të dhunshme

  • Idetë e dhunshme ekstremiste që promovon ISIS, të cilat një grup i njerëzve në hemisferën perëndimore, duke përfshirë Ballkanin, dhe Kosovën në veçanti, i kanë përqafuar më shumë kohët e fundit, do të mund të ndiqen në Egjiptin modern dhe më vonë në burgjet e tij;

  • Është një numër i mendimtarëve më radikal në fillim të shekullit të 20 në Egjipt dhe riinterpretimi i koncepteve të tyre të ndryshme në Islam dhe burgosja i tyre nga autoritetet laike shtetërore në Egjipt, që kanë shërbyer si një faktor që mundësuan riinterpretimin më radikal e të dhunshëm të koncepteve në Islam;

  • Një nga grupet më të suksesshme që dolën nga të njëjtat fije ideologjike, ishte Tekfir ual Hixhra (ose Tekfirët), të udhëhequr nga Mustafa Shukri, i cili ishte burgosur gjatë viteve 1960 për shkak të përkatësisë së tij me Vëllazërinë Muslimane në atë kohë. Mustafa, me programin e tij të ri dhe më të dhunshëm arriti të rekrutonte me sukses nga mesi i ish-bashkëpunëtorëve të tij të cilët ishin torturuar në burgje, por ai arriti të rekrutonte edhe nga radhët e shoqërisë bashkëkohore;

  • Parimet bazë të ideologjisë radikale ekstreme tekfiriste, rrënjët i kanë që nga koha e ideologjisë Havarixhe (grupi më i hershëm i dhunshëm që ka devijuar në Islam), të cilën tekfirët e kanë rregulluar dhe përshtatur për periudhën moderne të shekullit 20 dhe 21. Kjo është ideologjia që ISIS dhe grupe të tjera të mëparshme ekstremiste të dhunshme e kanë përqafuar, të tilla si Al Kaida dhe të tjerë. Tekfirët dhe ata që kanë përqafuar ideologjinë e tyre, janë pjesë e një grupi radikal ekslusivist që keqinterpreton leximet fetare, dhe në shumë raste bazojnë argumentet e tyre në ajetet Kuranore që kanë të bëjnë me ‘ndëshkimin’ dhe injorojnë ato që kanë të bëjnë me ‘mëshirën’ dhe ‘shpërblimet’. Ata nguten në vendimin e tyre për të etiketuar dhe kuadruar dikë si një jobesimtar ose hipokrit, gjë që ndodh me ISIS-in dhe ata që përqafojnë një ideologji të tillë. Ky raport ka dekonstruktuar parimet e tyre ideologjike dhe i diskuton ato në detaje;

  • Tekfirët nuk duhet të përzihen me praktikuesit e padhunshëm në Kosovë, duke përfshirë ata që praktikojnë Islamin në bazë të interpretimeve më shumë konservative që shkojnë përtej shkollës juridike zyrtare Hanefite. Kur kërkohen ekstremistët, burrat me mjekër, më shpesh sesa jo, ofrojnë adresë të gabuar për të dyshuar ose shikuar për ekstremistët e dhunshëm. Për shembull, tekfirët kanë implikime alarmante për policinë e angazhuar në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, pasiqë adhuruesit e tyre zbatojnë taktika kamuflazhi për të shmangur zbulimin kur planifikojnë të komplotojnë sulme. Për shembull, ndryshe nga adhuruesit muslimanë, adhuruesit e tekfirizmit janë të lejuar të devijojnë nga praktikat strikte muslimane; ata ia lejojnë vetes që t’i rruajnë mjekrat, të pinë alkool, të vizitojnë klubet e striptizit, dhe të kryejnë krime kundër perëndimorëve.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/232-analfabetet-kosovare-perkrah-isis/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala