17 vjet të harruar nga institucionet

Autori:Avdyl Pajaziti

Kanë kaluar më shumë se 17 vite, prej se lufta e fundit në Kosovë,  kishte  lënë afër 20 mijë viktima të dhunuara.
Gra e vajza të reja ende jetojnë me barrën e dhunimeve nga ushtarë e paramilitarë serb.

Ngjashëm vuajnë pa rrëfyer edhe një numër i konsiderueshëm i burrave që nga viti 99. Deri para një viti të gjithë këta ishin vetëm shifra të lëna në harresë nga institucionet e vendit.

Ish- presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, më 7 mars 2014 , formoi këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, e që I dha shtytje përkrahjes së kësaj kategorie të shoqërisë.

Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqeniës Sociale, kanë treguar për Gazetën Fjala, se në vitin 2016, është miratuar rregullorja për përcaktimin e procedurave për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.

“Qëllimi i kësaj rregulloreje është përcaktimi i kushteve dhe kritereve, dhe unifikimi i procedurave për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale, gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës si dhe organizimi i punës, funksionimi, detyrat dhe përgjegjësitë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës”, thonë zyrtarët për informim në këtë ministri.

Sipas tyre, është Qeveria e Kosovës,  ajo e cila do të përcaktoj pensionin personal dhe mjetet tjera financiare për këto viktima.

“Pas funksionalizimit të Komisionit, Qeveria me vendim përcakton pensionin personal për viktimat e dhunimit, duhet të ndahen edhe mjetet financiare për realizmin e të drejtës në pension për viktimën”, shtojnë zyrtarët për informim në MPMS.

Po keqpërdoret e drejta për pension

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjën e Të drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala, mendon se duhet të formohet një komision professional dhe i paanshëm për verifikimin e këtyre viktimave, sepse sipas tij nuk po dihen shifra të këtyre viktimave, e as identiteti i tyre, madje po keqpërdoret e drejta për pension.

“Duhet me u formu një komision krejt profesional, i paanshëm për verifikimin e këtyre viktimave, apo  që do të ofronte të dhëna. Sepse ne si këshill e kemi ligjin për këto viktima, por aty nuk dihet as numri i tyre, as kush është viktimë seksuale, as verifikimi i tyre”, thotë për Gazetën Fjala, kryetari i KMDLNJ-së.

Ai brengoset për mundësinë e keqpërdorimit të përfitimeve financiare në këtë rast nga pesona të tretë.

“Ka pasur raste të keqpërdorimit të statusit të viktimave,  prej atyre që kanë dashur të përfitojnë por këto gabime janë të mundshme, sepse Kosova është ende një gjysmë shteti, ende s’është shtet i plotë Sovran”.

Shkalla e keqpërdorime mund të rritet pasi ka kaluar kohë e gjatë që nga paslufta dhe nuk është bërë verifikimi i viktimave.

Kjo sipas Shalës, ka ndodhur për shakak të mungesës së shtetit.

“Verifikimi i viktimave, ska mundur të ndodh më herët sepse këtë e bën shteti dhe jo qytetari, sepse s’kemi pasur shtet. Institucionet shtetërore, është dashur me u marrë më shumë me  këtë çështje sepse ka pasur raste kur  personat e pandërgjegjshëm kanë fituar, nga statusi i viktimave, dhe kjo është e dënueshme”, thotë ai.

Janë institucionet ato, që nuk janë marrë më këtë çështje, sipas tij.

Dhunë e tillë, ka ndodhur edhe në shtetet më të zhvilluara, por sipas Shalës, janë të pafalshme keqpërdorimet që po bëhen.

Qeveria u vonua në verifikimin e tyre

Ndryshe nga Shala, mendon, deputetja nga rradhët e Lidhjës Demokratike të Kosovës (LDK), Alma Lama.

Ajo thotë, për Gazetën Fjala, se nuk janë dashur kaq shumë vite për tu bërë verifikimi i këtyre viktimave.

Sipas Lamës, këto çështje duhet ti adresohen pozitës e cila është në pushtet që nga paslufta, tek gratë e mandateve të kaluara, të cilat kanë heshtur në kohën kur është marrë vendimi për këto viktima.

“Mendoj se prej 17 vitesh janë lënë anash. Nuk është dashur të pritet kaq gjatë. Ndryshimi per statusin e tyre ka ndodhur në mandatin e kaluar, kur me iniciativën tonë si deputete parlamenti miratoi ligjin që iu siguron atyre një lloj pensioni. Ligji ka filluar zbatimin. Shumë shpejt priten rezultatet e para”, thotë deputetja e LDK-së.

Pensioni në vlerën prej treqind eurosh, nuk i shëron traumat e përjetuara të këtyre femrave sipas Lamës dëmshpërblimin duhet ta paguaj Serbia.

“Asnjë shumë parash nuk mund te kompensoj dhimbjen dhe shërojë traumat. Pensioni është për t’iu ndihmuar të mbijetojnë. Dëmshpërblimin për traumat duhet ta paguajë Serbia”, shton ajo.
Se janë lënë anash këto viktima, nga Institucionet mendon edhe psikologu Adem Shala.

“Dhuna seksuale ndaj femrave është një ndër mjetet më të turpshme të luftës së fundit, dukuri e cila është trajtuar shumë vonë nga institucionet dhe organet kompetente të Kosovës, por jo në nivelin e kënaqshëm. Për më shumë femrat të cilat kanë pësuar këtë dhunë, disa prej tyre edhe sistematikisht dhe vazhdimisht, kanë mbetur në vuajtje psikologjike, në ankth e harresë institucionale si dhe në konflikt të vazhdueshëm me veten familjen dhe rrethin shoqëror”, thotë për Gazetën Fjala Shala.

Është mungesa e institucioneve të specializuara, sipas psikologut ajo që po lë me pasoja viktimat, edhe në planin personal e edhe në atë familjar.

“Mungesa e institucioneve të specializuara për hulumtimin dhe trajtimin e viktimave të dhunuara gjatë luftës, duke parë këtë teme si “tabu shoqërore” lë pasoja të rënda në vet viktimën, për më shumë pasojat janë të mëdha në planin personal dhe familjar. Gruaja viktimë e dhunës seksuale shndërrohet në një qenie të parespektuar njerëzore, e përjashtuar edhe nga familja, e pa integruar në shoqëri”, thotë ai.

Sipas tij, shoqëria kosovare që po shëron ende plagët e luftës së fundit, duhet të gjejë forcën që të ndihmojë viktimat e saj, jo vetëm nga aspekti material i ndihmës, por mbi të gjitha përkrahaja dhe rahabilitimi i plotë në forma më humane duke ofruar shërbime të shumta multi-disiplinare nga profesionistë të shumtë të fushës së shëndetit mendor për t`i ndihmuar dhe aftësuar ato për jetë.

Edhe ish presidentja Jahjaga, në fjalimin e mbajtur në Maltë, në forumin “Dhuna seksuale në konflikt dhe përtej” ku kishte folur për viktimat e dhunuara gjatë luftës, kishte thënë se institucionet nuk kanë bërë asgjë për to.

Sipas fakteve të mbledhura nga Instituti për Hetimin Krimeve të Luftës në Kosovë për gratë e dhunuara, ende asnjë person nuk është akuzuar për krimet e kryera.

Sipas raportimeve, në të vetmin proces gjyqësor në Kosovë janë  dy serbët e dënuar për dhunimin e një të miture në Vushtrri , madje edhe ata janë liruar vitin e kaluar. /Gazeta Fjala/

 (Fitnete Rrahimi)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/17-vjet-te-harruar-nga-institucionet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala