17 vjet në mina

Autori:Gazeta Fjala

Shenjat që tregojnë zonën e minuar janë gjysmë metri nga shtegu i vrapimit në parkun e qytetit në Ferizaj. “Toka e ndaluar” dhjetëra hektarësh frekuentohet çdo ditë nga mijëra qytetarë.

Tash e 17 vite kur lufta ka përfunduar mjetet shpërthyese vazhdojnë të kërcënojnë jetën e kosovarëve.

Që atëherë 116 persona kanë vdekur si pasojë e minave të pa pastruara.

Në Kosovë, 4,520 zona të tilla, ku dyshohet për prezencë të mjeteve shpërthyese janë hetuar  nga Forcat e Sigurisë së Kosovës, shkruan Gazeta Fjala.

“Pas përfundimit të luftës ne kemi pasur 4,520 zona të afektuara nga mjetet e ndryshme si mina, bomba kasetore, dhe mjete të tjera eksplozivë të pashpërthyera”, thonë për Gazetën Fjala, zyrtarët për informim në FSK.

Ata thonë se minat dhe municionet e pashpërthyera eksplozive do të vazhdojnë të gjinden në Republikën e Kosovës për shumë vite që do të vijnë.

“Në të vërtetë njësit e FSK-së që zhvillojnë aktivitetet e pastrimit ndeshen edhe me mjete të ndryshme eksplozive që datojnë që nga Luftës së II Botërore, gjatë operacioneve të pastrimit të tanishme”.

Rrezik i ngjashëm dyshohet se u kanoset edhe banorëve të kryeqytetit në parkun Gërmia në Prishtinë.

Hapësira e gjelbëruar, e cila vizitohet nga qindra mijëra qytetarë për ta eliminuar tërësisht rrezikun nga minat e mbetura nga lufta e fundit në Kosovë, do t`i nënshtrohet rishikimit.

Sipas të dhënave janë edhe 125 vende të afektuara nga minat dhe eksplozivët e tjerë.

Kërkohen 800 mijë  euro për të plagosurit

Jo i vogël është numri i të vrarëve, e të lënduarave nga mjetet eksplozive. Gazeta Fjala mëson se deri sot, 116 persona janë vrarë si pasojë e minave ose mjeteve tjera eksplozive dhe 459 janë lënduar.

Shoqata e të plagosurëve civil, nga minat u kishte adresuar Institucioneve të vendit, kërkesën për pajisjën me një fond, nga i cili do të siguroheshin proteza, për 140 personat e lënduar prej këtyre mjeteve .

Një kërkesë e tillë është adresuar edhe në Ministrinë e Shëndetësisë. Mirëpo, vlera 800 mijë eurosh për këtë fond, duket të jetë e pa përballueshme për buxhetin e shëndetësisë.

“Shoqata në fjalë ka dorëzuar një projekt propozim për një projekt për proteza për persona të ndryshëm, gjatë këtij viti. Ministria do ta shqyrtojë këtë projekt, i cili realisht në formën si i është prezantuar Ministrisë është shumë i kushtueshëm, sidomos për buxhetin jo të mjaftueshëm të shëndetësisë, sepse vlera është mbi 800 mijë euro”, thuhet në përgjigjen e ministrisë, për Gazetën Fjala.

Mirëpo derisa një projekt i tillë të marrë dritën e gjelbër, ministria ka bërë të ditur se do tu ofroj mundësi të gjithë qytetarëve, e në veçanti grupeve të ndjeshme aplikimin përmes Programit të Trajtimit Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike, për të siguruar  shërbimet e tyre shëndetësore.

Vetëm gjatë vitit të kaluar 1,033 persona kishin përfituar prej këtij programi, tregon zyrtari për informim në MSH, Faik Hoti.

Edhe njohësit e çështjeve të sigurisë thonë se kjo kategori e qytetarëve duhet të gëzojnë mbrojtje e kujdes shëndetësor.

Blerim Burjani, njohës i këtyre çështjeve ka thënë për Gazetën Fjala, se kujdesi institucional është i domosdoshëm për të ndihmuar me pajisjen me proteza për këta persona.

“Kjo kategori duhet të gëzoj të drejtat sociale, pra duhet mbrojtje sociale dhe kujdes shendetesor. Kujdesi institucional është i domosdoshëm për të ndihmuar si në paisje me proteza ashtu edhe me përkrahje të veçantë ,MSH duhet te ofroje përkrahje me te madhe por kjo temë mund të trajtohet nga qeveria se ajo është përgjegjëse për kërkesat e qytetarëve” thotë për Gazetën Fjala, Burjani.

Ekzistojnë 125 vende të minuara në Kosovë

Që nga periudha e luftës, nga FSK, janë pastruar afër 50 mijë zona të minuara. Zonat më të afektuara duket të kenë qenë ato në afërsi të pikave kufitare me Shqipërinë e Maqedoninë.

“Në tersi në Republikën e Kosovës që nga viti 1999 janë pastruar 49,530, 472 metra katror janë gjetur 88,234 mina dhe mjete eksplozive të pashpërthyera nga FSK dhe të gjitha organizatat e involvuara në pastrimin e minave dhe mjeteve eksplozive të pashpërthyera”, thotë Sejdi Elezi, zyrtar për informim në FSK.
Ai tregon se në Kosovë ekzistojnë 125 vende të afektuara nga minat ndërsa këtë vit FSK do të zhvilloj operacionet e deminimit në pesë lokacione: Ferizaj, Paldenic, Hoce e Qytetit, Parku i Lirisë- Ferizaj dhe Zagrmle. /Gazeta Fjala/
 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/17-vjet-ne-mina/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala