Analistët: Marrëveshjet e arritura në Bruksel po diskriminojnë qytetarët e Kosovës

Autori:Avdyl Pajaziti

Me marrëveshjet e arritura në Bruksel, Qeveria e Kosovës në vazhdimësi ka vënë qytetarët e Kosovës në pozitë diskriminuese karshi qytetarëve të Serbisë.

ështu vlerësojnë analistët, sipas të cilëve, përfaqësuesit e Kosovës në bisedimet me Serbinë në Bruksel, e kanë humbur rastin qysh në fillim që të vendosin reciprocitet me Serbinë. Sipas analistëve, Prishtina asnjëherë gjatë bisedimeve me Beogradin nuk e ka treguar autoritetin shtetëror, por gjithnjë i ka mbajtur dhe vazhdon t’i mbajë sytë nga Brukseli.

Janë arritur një sërë marrëveshjesh me Serbinë, por në praktikë, zbatimi i tyre pothuajse asnjëherë nuk është bërë në mënyrë të barabartë mes dy vendeve. Serbia vazhdimisht i ka ikur zbatimit të marrëveshjeve në terren, ndërsa Kosova nuk ka qenë në gjendje që të vendos masa reciprociteti. Së fundi, me fillimin e zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë, janë qytetarët e Kosovës që udhëtojnë për Serbi, ata që po pësojnë më së shumti. Analisti politik Imer Mushkolaj, këtë e sheh si dobësi të institucioneve të Kosovës.

“Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të ndihen të diskriminuar karshi qytetarëve të Serbisë në raport me marrëveshjet që janë arritur për shkak se edhe nëse udhëton për Serbi, nuk udhëton vetëm me letërnjoftim, pa e marrë edhe një letër përcjellëse me të cilën bëhet e ditur se nuk njihet shteti i Kosovës, ndërkohë që po shohim kohëve të fundit edhe rastin e targave ku duhet të vendosen targa provuese dhe duhet paguar për to”, tha Mushkolaj për Radio Kosovën. Profesori i të drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu në anën tjetër thotë se reciprociteti si parim bazë në marrëveshjet mes dy shteteve, nuk po zbatohet në rastin e Kosovës dhe Serbisë.

“Është një detyrë dhe përgjegjësi imediate, e institucioneve të Kosovës që të ndërpresin të gjitha fazat e mëtejme të kontakteve dhe të marrëveshjeve për arsye se në radhë të parë marrëveshjet e lidhura me Serbinë në Bruksel nuk po zbatohen nga ana e Serbisë, në anën tjetër janë të pabarabarta”, tha Baraliu për Radio Kosovën.

Sipas Baraliut, Kosovën në këtë situatë karshi Serbisë, e kanë sjellë krerët e institucioneve të Kosovës.

“Përfaqësuesit tanë janë inferior në këtë proces seriozisht të dëmshëm për Kosovën në bisedat në Bruksel. Ata shpeshherë janë edhe jotransparentë dhe joseriozë, madje edhe të papërgjegjshëm dhe jo të sinqertë”, tha Baraliu.

Ndërsa analisti Imer Mushkolaj thekson se pala e Kosovës nuk është në gjendje të përdorë masa të reciprocitetit, por gjithnjë është e varur nga Brukseli dhe kjo e vë në pozicion defanziv karshi Serbisë.

“Pala kosovare asnjëherë nuk ka vendosur reciprocitet, por kryesisht është mjaftuar me një thirrje telefonike te ndonjë zyrtar i Brukselit, për t’u ankuar se Serbia nuk po e zbaton marrëveshjen”, tha Mushkolaj.

Një letër Brukselit, ministrja për dialog Edita Tahiri ia ka dërguar të dielën, ku u ankua për pengimin e qytetarëve të Medvegjës nga autoritetet serbe, që të shkojnë nga Kosova për të votuar në Medvegjë. Ndërkohë, Tahiri ka bërë të ditur se në Bruksel do të ankohet edhe për aplikimit të targave provuese nga Serbia për veturat që shkojnë nga Kosova.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analistet-marreveshjet-e-arritura-ne-bruksel-po-diskriminojne-qytetaret-e-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala