Analistët flasin për iniciativën e kryeministrit Mustafa për demarkacionin me Malin e Zi

Autori:Avdyl Pajaziti

Iniciativa e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, për të kërkuar nga BE-ja ekspertizë profesionale për shënimin e kufirit me Malin e Zi, është vlerësuar dhe kritikuar nga njohësit e rrethanave politike dhe të sigurisë në vend. Artan Muhaxhiri ka deklaruar se paraprakisht palët duhet të zotohen publikisht se do t’i pranojnë rezultatet e ekspertizës ndërkombëtare, ndërsa Naim Maloku mendon se Mali i Zi nuk ka për të pranuar ekspertizë tjetër, pos asaj marrëveshje që ka bërë me Qeverinë e Kosovës.

Analisti politik Artan Muhaxhiri e ka mirëpritur këtë ide të kryeministrit Mustafa, kurse njohësi i çështjeve të sigurisë, Naim Maloku, e ka kritikuar qasjen e kryeministrit, duke thënë se është reflektim i mbrapshtë.

“Kjo është një ide shumë e mirë, sepse në raste të këtilla, kur ka konflikt dhe mospajtime të thella, atëherë zgjidhja e vetme është të përzgjidhet një institucion apo një trup, i cili me profesionalizmin e vet do të jetë bindës sa i përket objektivitetit. Gjëja më e rëndësishme është që rezultatet deri tek të cilat do të vijë një ekip ndërkombëtarë të jenë të pranueshme për të dyja palët”, ka thënë Muhaxhiri.
Ai ka bërë me dije se do të ishte mirë që paraprakisht të dyja palët, pozita dhe opozita, të zotoheshin publikisht se do t’i pranonin rezultatet e kësaj ekspertize.

Mirëpo njohësit të çështjeve të sigurisë, Naim Malokut, nuk i ka pëlqyer kjo iniciativë e kryeministrit.
Sipas tij, reflektimi i Qeverisë do të duhej të ishte shkarkimi i komisionit qeveritar, i cili me punën e tij e ka vënë në lajthitje ekzekutivin.

“Qasja e kryeministrit që nga fillimi ka qenë e gabuar. Në mënyrë qorrazi e ka mbështetur komisionin qeveritar dhe ka dalë me fjalë shumë të mëdha që Kosova nuk humbet territor. Qasje totalisht e gabueshme e kryeministrit është edhe tani, kur praktikisht u dëshmua se puna e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi ka defekte shumë të mëdha. Reflektimi i duhur i kryeministrit Mustafa do të duhej të ishte me shkarkimin automatikisht të Komisionit Qeveritar dhe arrestimin e kreut të këtij komisioni, Murat Meha dhe akuzimin e tij për shpërdorim të detyrës”, ka thënë Maloku për “Epokën e re”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analistet-flasin-per-iniciativen-e-kryeministrit-mustafa-per-demarkacionin-me-malin-e-zi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala