Amnesty International akuzon kurdët sirianë për krime lufte

Autori:Gazeta Fjala

Pak ditë pas ngjarjeve që rindezën tensionet e vjetra turko-kurde, Amnesty International publikoi një raport ku i akuzon forcat kurde në veri të Sirisë për shpërngulje të detyruara dhe shkatërrime masive banesash.

Organizata e të drejtave të njeriut thotë se Njësitë Popullore të Mbrojtjes, YPG, kanë rrafshuar fshatra të tërë pas rimarrjes nën kontroll të tyre nga duart e militantëve të Shtetit Islamik.

Një gjë e tillë është bërë mesa duket në formë hakmarrjeje ndaj banorëve të konsideruar simpatizantë, apo edhe të lidhur me grupin xhihadist.

Vetë forcat kurde i kanë mohuar me forcë akuzat e shpërnguljeve të detyruara. Por, këta aleatë kyç të koalicionit të udhehequr nga Shtetet e Bashkuara kundër ISIS e kanë pranuar bashkë me krahun e vet politik, PYD, se disa incidente të izoluara ka pasur vërtet.

Bombardimet e koalicionit, ashtu si dhe hedhja nga ajri e armëve dhe municioneve, i ndihmuan paraushtarakët kurdë të zmbrapsnin ISIS-in nga pjesë të mëdha të veriut të Sirisë vitin që shkoi.

Pikërisht në kohën e publikimit të këtij raporti, Uashingtoni deklaroi se rebelëve në rajonet veri-perëndimore të këtij vendi u ka hedhur mbi 45 tonë municione. Për Amnesty International, abuzimet e YPG-së janë alarmuese.

Ndër dëshmitë e tjera të cituara në dokument është edhe ajo e një banori të fshatit Huseinija të provincës Hasakeh, i cili tregon sesi i kanë nxjerrë me dhunë nga shtëpia, të cilën ia shkatërruan pastaj me fadromë. “Bënë këtë gjë me të gjitha banesat njëra pas tjetrës, derisa u rrënua i gjithë fshati”, rrëfen ai.

Në njërin prej incidenteve, luftëtarët kurdë thuhet të kenë lagur muret e një shtëpie me benzinë e më pas i kanë vënë flakën në kohën kur banorët ishin ende brenda./TCH

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/amnesty-international-akuzon-kurdet-siriane-per-krime-lufte/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala