Amerikanët interesohen për rrjetin e shpërndarajes së energjisë

Autori:Gazeta Fjala

Përfaqësuesit e kompanisë amerikane, “Contour Global”, pasi kanë arritur marrëveshje me Qeverinë e Kosovës për ndërtimin e “Termocentralit Kosova e Re”, kanë filluar mbledhjen e informatave nga aktorët e tjerë që lidhën me sektorin e energjisë elektrike.

Burimet e portalit INFOKUSI, kanë bërë të ditur se përfaqësuesit e “Contour Global” sot kanë pasur një takim me zyrtarët e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSST), dhe kanë biseduar për infrastrukturën e rrjetit.

Sipas këtij burimi në takim është diskutuar për gjendjen aktuale të sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike.

Konkretisht amerikanët e kompanisë “Contour Global” janë interesuar se a ka kapacitete rrjeti aktual i shpërndarjes së energjisë për të përballuar transmetimin e 500 megavateve të energjisë elektrike.

Përgjigjja që kanë marrë amerikanët nga zyrtarët e KOSST-it ka qenë pozitive dhe ata i kanë garantuar se infrastruktura aktuale e po ashtu edhe investimet që janë duke u bërë në rrjet përballojnë edhe ngarkesën prej 500 megavatësh aq sa është planifikuar që të prodhojnë termocentralet e reja që do të ndërtohen në 5 vitet e ardhëshme.

Ndryshe, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci para disa ditësh, gjatë një vizite sa ishte në Amerikë ka njoftuar se kanë arritur marrëveshje me kompaninë “Contour Global” për ndërtimin e TC Kosova e Re. MZHE, Banka Botërore dhe kompania “Contour Global”, kanë finalizuar marrëveshjen rreth pikave që ishin objekt i negociatave, të cilat hapin rrugën për nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese – “TC Kosova e Re”.

Përfaqësuesit e kompanisë “Countor Global” kanë deklaruar se po që se fitojnë projektin gjatë fazës së ndërtimit të Kosovës së Re do të krijohen rreth 10,000 vende pune ndërkaq me fillimin e prodhimit, do të mbeten 500 vende të përhershme pune. Kostoja e ndërtimit parashihet të arrijë deri në 1.6 miliard dollarë, me një kapacitet prodhues prej 600 megavatesh./infokusi.com

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/amerikanet-interesohen-per-rrjetin-e-shperndarajes-se-energjise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala