Ambasadori Minxhozi: Së pari bashkimin ekonomik

Autori:Zekirja Shabani

Bashkimi ekonomik i Kosovës me Shqipërinë është i pandalshëm thotë Qemal Minxhozi, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, i cili mbajti një debat të hapur në Kolegjin “Universum”, në Prishtinë.

Ambasadori shqiptar në Kosovë, thotë se Kosova dhe Shqipëria janë në bashkëpunim në aspektin ekonomik, nga e cila krijohet mirëqenie për banorët e të dy vendeve dhe është diçka e cila nuk mund të ndalet.

“Së pari do të bëjmë bashkimin ekonomik, këtë s’mund të na ndal askush. Për këtë ne duhet të punojmë që shkëmbimet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë të rriten shumë më shumë  meqë kështu rriten edhe vendet e punës si dhe ngrihet mirëqenia e qytetarëve në të shtetet. Ky bashkëpunim do të ndikoj në zhvillimin e dy vendeve, mandej tregjet janë komplementare dhe së fundi është treg ndërmjet vëllezërve”, tha ai.

Kosova dhe Shqipëria, sipas tij, tashmë janë duke punuar në shumë projekte që bashkon dy vendet. “Problemin më të madh që ka sot Kosova, është energjetika dhe një bashkim ose arritje e një tregu të përbashkët në fushën hidrike të themi të energjisë do të bënte situatën sidomos në Kosovë më stabile”, ka thënë Minxhozi.

Minxhozi poashtu paralajmëroi se do të ketë një pikë të përbashkët doganore, si dhe krahas bashkëpunimeve tjera shihet e nevojshme edhe bashkimi në aspektin arsimor.

Ai nuk deshi të komentojë edhe aq zhvillimet e fundit politike brenda Kosovës dhe paralajmërimet për protestë por porositi që protesta të jetë e qetë. “Njerëzit të protestojnë qetë si kudo tjetër. Pa dhunë pa shkatërrime pa eksese”, porosit ambasadori Minxhozi.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ambasadori-minxhozi-se-pari-bashkimin-ekonomik/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala