Ambasadori Holandez, Robert Bosch: Specialja në interes të liderve politik

Autori:Zekirja Shabani

Ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Robert Bosch thotë se është në interes të liderëve politik në Kosovë që Gjykata Speciale ti pastroj emrat e tyre, nëse ata janë të pafajshëm.

Holandezi që shpesh është parë duke mbushur gropat e kryeqytetit me rërë, thotë për Gazetën Fjala se ende nuk dihet se kush janë të akuzuarit, të cilët do të gjykohen në Gjykatën Speciale e as nuk është vendosur  nëse përfundimisht selia e saj do të jetë në Holandë.

Për këtë po zhvillohen bisedime me shtetin e tij, ndërsa Bosch vlerëson se deputetët kanë vepruar mirë që i kanë thënë po krijimit të saj.

“Ne nuk e dimë kush do të akuzohet, por në qoftë se janë të pafajshëm emrat e tyre do të patrohen përgjithmonë, kështu që është në interesin e tyre”, thotë diplomati Holandez, për Gazetën Fjala.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet edhe më tejë në luftën kundër korrupsionit dhe krijimin e një ambienti të sigurt për investimet e huaja. Këtë, ai thotë se nuk po e bën sa duhet.

“… një përmirësim i mëtejshëm i sundimit të ligjit duhet të ketë prioritet më të lartë, pasi i ndikon të gjithë. Këtu Holanda gjithashtu udheheqë një projekt rajonal për ti bërë bashkë akterët kryesor dhe për të mësuar nga njëri-tjetri”, shprehet Bosch.

I pari i Ambasadës Holandeze në vend thotë se kontributi i tij kryesor në Kosovë ka qenë angazhimi për të promovuar sundimin e ligjit në këtë vend, “të drejtat e grave dhe të drejtat e LGBT, për të përmirësuar mjedisin dhe tërheqjen e investimeve për të krijuar vende pune këtu, si dhe të punoj në lirinë e medias dhe zgjedhjeve të lira, e cila është në zemrën time si ish-ambasadori i OSBE-së”.

Ai nuk tregon nëse për shkak të pakënaqësisë me qeverisjen lokale në Prishtinë, ka marrë vetë iniciativë për të përmirësuar infrastrukturën rrugore, siç edhe është parë disa herë.

Por, Bosch flet për Lëvizjen Vetëvendosje, me përfaqësuesit e së cilës parti është parë ti ketë ngritur tensionet shpesh.

“Kjo është një parti relativisht e re e cila ka sjellë shumë vrull të ri në vend. Unë kam pasur marrëdhënie gjithmonë shumë të përzemërt me ta, natyrisht pa pasur nevojë ti dakordohem me ta në çdo gjë”, thotë Bosch.

Ai dëshironë të mbahet mend në Kosovë si ambasadori që ka dhënë kontribut në përmirësimin e ajrit dhe uljen e ndotjes në vend si dhe avancimin e të drejtave të LGBT-ve.

“Që kur jam këtu edhe falë Holandës dhe Bankës Botërore, ndotja e ajrit në Prishtinë ka rënë në mënyrë të konsiderueshme, për çfarë unë dua të mbahet mend. Dhe siç thash se është shënuar përparimi në të drejtat e  grave dhe të drejtat e LGBT, si dhe ka lidhje më të mira rrugore, por hekurudha nuk  duhet të harrohet”, porositë Bosch duke vlerësuar mikpritjen dhe miqësinë kosovare./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ambasadori-holandez-robert-bosch-specialja-ne-interes-te-liderve-politik/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala