Alternativë e opozitës, lista e përbashkët

Autori:Gazeta Fjala

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, njëherësh ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, ka thënë se kriza politike mund të zgjidhet nëpërmjet krijimit të një qeverie teknike, e cila më pas do të duhej ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme.

Në një intervistë për “Epokën e Re”, Krasniqi ka thënë se Kosovës i duhet ndryshimi dhe, sipas tij, ndryshimi i qeverisjes është më shumë se emergjent. “Reflektimi është domosdoshmëri e çdo komuniteti të organizuar shoqëror, sidomos kur gjendet në situatë siç është kjo e jona. Por, reflektimin e thellë duhet ta bëjë koalicioni qeverisës, sidomos Qeveria e Kosovës. Zgjidhja e kësaj situate duhet kërkuar në krijimin e një qeverie teknike, e cila duhet ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Ky reflektim është në duart e atyre që e kanë pushtetin. Aty duhet të kërkohet reflektimi!”, ka deklaruar Krasniqi, duke shtuar se në këto zgjedhje opozita duhet të shkojë me një listë të përbashkët.

“Alternativa e vetme e opozitës është dalja në zgjedhje me një listë të përbashkët. Këtij vendi i duhet ndryshimi. Opozita duhet të bashkohet rreth një programi emergjent qeverisës për ta nxjerrë vendin nga këtu ku e kanë katandisur Mustafa dhe Thaçi. Shumësia e numrave të opozitës duhet të orientohet vetëm e vetëm në ndryshimin substancial të qeverisjes, aspak për pushtetin e këtij apo atij individi. Ndryshimi i qeverisjes është më shumë se emergjent”, është shprehur Krasniqi.

Ndërsa duke folur për zgjedhjen e presidentit, ai ka thënë se koalicioni qeverisës i ka numrat në Kuvend por, sipas tij, Hashim Thaçi nuk është figurë unifikuese. “Koalicioni i ka numrat për të marrë vendime me dy të tretat e deputetëve të Kuvendit. Shikuar në këta numra (pasi njerëzit janë shndërruar në numra), lehtë mund të zgjidhet kryetari. Ndonëse këtu mund edhe të ketë shumë të panjohura. Në skenën politike nuk është lehtë të gjendet një figurë unifikuese dhe këtë rol më së paku mund ta përfaqësojë Hashim Thaçi, pasi ky gjatë kësaj legjislature ka pasur shumë dështime”, ka vlerësuar Krasniqi. Po ashtu, Krasniqi ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave, dialogun me Serbinë, si dhe për funksionalizimin e Gjykatës Speciale.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/alternative-e-opozites-lista-e-perbashket/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala