Ali Lajçi: Nuk japim llogari për veprimet e banorëve të Rugovës

Autori:Avdyl Pajaziti

Frustrimi i banorëve të brezit kufitar Kosovë- Mali i zi, mund të ndikojë që ata kundërshtimet e tyre t’i përshkallëzojnë, por në asnjë moment nuk japim llogari për veprimet e tyre.

Kështu ka deklaruar anëtari i Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Ali Lajçi, i cili e ka quajtur të tmerrshëm vendimin e Qeverisë së Kosovës për demarkacionin me Malin e Zi, vendim i cili u miratua sot nga ekzekutivi kosovar.

Ai ka thënë për Telegrafin se miratimi i demarkacionit në mes Kosovës dhe Malit të Zi, është një papërgjegjësi e plotë e qeverisë dhe ekipit qeveritar.

“Kjo mënyrë e ndarjes së pronës është variant i Malit të Zi ekskluzivisht, dhe për më tepër shpreh ambiciet dhe synimet e ekspansionit malazez dhe sllav në përgjithësi, qysh e kanë zanat ata”, ka theksuar Lajçi.
Sipas tij, “këta tonët po ia bëjnë qejfin malazezëve me këtë marrëveshje”, duke shtuar “se më këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, cenohen bjeshkët më të mira të asaj zone, dhe kjo pa u kundërshtuar fare nga ana e Komisionit për përcaktimin e vijës kufitarë Kosovë- Mal i Zi”.

“Mbase merren ballinat e bjeshkëve, nga ana e Malit të Zi, për aspekte strategjike dhe kontroll. Mali i Zi merr 12 mijë hektarë, e që këta tonët po manipulojnë duke thënë se nuk do të humbet asnjë pëllëmbë”, ka thënë Lajçi .

Ai tha se për pronësinë e banorëve të këtyre pjesëve i kanë të argumentuara me kadastër, me gjeodezi, duke shtuar se tatimi është paguar në komunën e Pejës dhe njësitë kadastrale të pylltarisë po ashtu dëshmojnë për pronësinë e banorëve të këtyre pjesëve mbi ato toka.

“Është projekti i asfaltimit të rrugës Pejë- Kullë- Rozhajë. Është mirëmbajtja që është bërë nga Kosova. I kemi tatimorët e pronarëve të fshatit Llukë e Epërme, Poqest, Lubeniq etj. Prona e malazezeve, si pronë private shkon 5,7 deri 8 kilometra. Këta tonët duan të vendosin kufij komunal dhe jo shtetëror. Prona shtetërore, me bjeshkët më të bukura të kësaj zone i mbesin Malit të Zi”, ka theksuar Lajçi.

Ai ndjehet i zhgënjyer nga institucionet e Kosovës, duke theksuar se “ata në vend që të ofrojnë një tjetër zgjidhje të pranueshme për banorët, kanë ofruar alternativën e Malit të Zi”.

Ndryshe, në mbledhjen e së mërkurës së Qeverisë së Kosovës, ka miratuar demarkacionin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ali-lajci-nuk-japim-llogari-per-veprimet-e-banoreve-te-rugoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala