Ali Ahmeti del nga qeveria?

Partia shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim do të dalë nga koalicioni qeverisës në Maqedoni.
Faqja shqiptare online në Tetovë “Tetova1” shkruan se Ali Ahmeti ka marrë vendimin të largohet nga koalicioni me Nikola Gruevskin dhe shkak duket se janë bërë publikimi i përgjimeve nga opozita për aferat e qeverisë, por edhe fyerjet e zyrtarëve të lartë të qeverisë ndaj shqiptarëve.
Gjithashtu edhe konflikti i armatosur në Kumanovë është një tjetër arsye që mund ta shtyjë Ahmetin të “divorcohet” nga Gruevski.
Kjo do të sillte edhe rrëzimin e qeverisë së Gruevskit të mbetur pa mbështetje dhe do ta fuste vendin në zgjedhje të parakohshme, ndërsa vendi do të qeveriset nga një qeveri teknike deri në zgjedhjen e tjetrës.
Shqiptarët së fundmi kanë lëshuar një sërë akuzash ndaj Ali Ahmetit dhe kreut të PDSH-së Mendu Thaçi, pasi ata nuk janë prononcuar ende në lidhje me ngjarjet në Kumanovë. Ata janë quajtur tradhtarë, anti-shqiptarë dhe që mbështesin Gruevskin dhe dhunën e tij ndaj shqiptarëve.