Aleksiq: Rruga ‘Sllobodan Millosheviç’ është emëruar konform ligjit  

Autori:Zekirja Shabani

Kërkesa për emërtimin e një rruge me emrin e Sllobodan Millosheviqit, në komunën e Ranillugut, është miratuar, “sipas procedurave të Kuvendit të kësaj komune” dhe tashmë pritet vetëm vendosja e tabelës që bartë këtë emër.

Lajmin e ka konfirmuar për rel, Sasha Aleksiq, kryesues i Kuvendit të Komunës së Ranillugut.

“Unë jam përfaqësues i pushtetit legjislativ. Në bazë të të gjitha normativave dhe në bazë të ligjeve – konkretisht, pasi që atje ekziston një rrugë me emrin Sllobodan Millosheviq – i kemi udhëzuar këshillat e fshatit dhe këshilltarët që t’i bëjnë listat e rrugëve”.

“Ata i kanë dorëzuar ato lista dhe ne vetëm i kemi zbatuar procedurat e Kuvendit. Unë nuk kam kompetenca të drejtpërdrejta dhe as jo të drejtpërdrejta që të bëj presion mbi qytetarët. Unë vetëm e respektoj vullnetin e qytetarëve që më kanë sjellë në këtë vend”, tha Aleksiq.

Millosheviq ishte akuzuar nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për rolin e tij gjatë luftës në Kosovë, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë gjatë viteve të 90-ta.

Millosheviq është gjetur i vdekur në qendrën e paraburgimit në gjykatën e Hagës më 11 mars 2006.

Aleksiq thotë se e ka të qartë se emërtimi i rrugës me emrin e Millosheviqit mund të nxis reagime, por ai, siç thotë, “nuk mundi të bënte asgjë më shumë se sa ta zbatonte ligjin”.

Megjithatë, ai ka shpjeguar se miratimi i Kuvendit Komunal të Ranillugut për emërtimin e rrugëve, nuk është hapi i fundit në këtë proces.

“Mund të ekzistojë një vendim i kryetarit, apo ministrisë, për kthimin e kësaj çështjeje në procedurë të Kuvendit. Ekzistojnë mundësitë që kjo të hidhet poshtë. Ta zëmë që nesër mund të më vijë vendimi nga ministria për anulimin e këtij vendimi dhe unë si kryetar i Kuvendit të komunës, jam i obliguar që sërish ta kthej në shqyrtim”, theksoi Aleksiq.

Kuvendi Komunal i Ranillugut udhëhiqet nga përfaqësues të Listës Serbe.

Vetë komuna ndërkaq është krijuar gjatë procesit të decentralizimit të pushtetit qendror, të paraparë me planin e Marti Ahtisaarit, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

Gjatë ditës pritet që për çështjen e emërtimit të rrugëve të prononcohen përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës./Gazetaexpress

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/aleksiq-rruga-sllobodan-milloshevic-eshte-emeruar-konform-ligjit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala